70-vjetori i Partizanit, diktati i fuqishëm i një filozofie të re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2016 | 22:05

70-vjetori i Partizanit, diktati i fuqishëm i një filozofie të re

BESNIK-DIZDARINga BESNIK DIZDARI

Për Shqipërinë e Mbasluftës domethënia e themelimit të klubit sportiv Partizani do të kishte një filozofi krejt të re. Dhe, në thelb, për Shqipërinë ky themelim mund të quhet një lloj “revolucioni” i pangjashëm, si të thuash “sui generis”, një imitim krejt i ri, për çka kishte bërë sporti i saj Paraluftës.

E megjithatë, prapëseprapë, për një çast mendon se duhet quajtur edhe “origjinal”. Është një filozofi, të cilën na e jep krejt qartë shkrimi i posaçëm i gazetës “Sporti” 1946.

 

 

Ky shkrim, i cili sa duket si sportiv, në të vërtetë, po aq është dhe politik, teksa kërkon të bëjë konkluzionin e përfundimit të ngjarjes që e quan “Tourne-a fotballistike e Partizanit nëpër qytetet e Shqipnisë”.

Cilësimi është fjalë për fjalë në këtë drejtshkrim të paqëndrueshëm “gegnishto-toskënisht” e paksa edhe të një fjalori sportiv ndërkombëtar, siç e kemi përmendur edhe në Kapitullin III.

Por, ajo çka është më e rëndësishme, shihet qartë se kemi të bëjmë me një konkluzion apo përfundim, një platformë apo një informim disi të rreptë, që, si të thuash, kërkon t’u tregojë shqiptarëve përsenë e themelimit të këtij klubi sportiv apo të futbollit.

Ky është diktati i një filozofie të re futbollistiko-sportive që nuk do të ishte asgjë tjetër përveçse shpalosja e një prej hallkave më të posaçme të organizimit edhe të sportit shqiptar sipas modelit të sportit sovjetik.

Untitled-6Çka dihej, veçan e gjitha kjo do të realizohej përmes Jugosllavisë, që, siç merret me mend, që prej Luftës, formimit të PKSH-së dhe tash të atij që po quhej “rindërtimi i Shqipërisë së re”, vinte pra prej një platforme të mirëmenduar “kominternase”.

“Skuadra jonë më e mirë, – shkruan fjalë për fjalë e germë për germë “Sporti” i Tiranës – kaloi brenda një muaji nëpër Korçë, Gjinokastër, Berat, Kuçovë, Vlorë, Fier, Kavajë, Durrës, Shkodër dhe Tiranë, duke u ndeshur dy herë në javë pothuaj në të gjithë klubet civile. Gjatë gjithë turnesë u zhvilluan nëntë ndeshje, prej të cilave shtatë u fituan, një u barazua dhe një e vetme u humb.

U shënuan kompleksivisht 26 gola në favor t’ekipit tonë dhe 9 kundër. Midis shënonjësve ushtarakë u dallua sidomos Teliti me 11 gola”.

Sot, historiani ka të drejtë që këto rreshta t’i përcaktojë paksa edhe si të një lloj prepotence shtetare. Vështroni për një çast!

E quan Partizanin “skuadra e jonë” a thua se të tjerat nuk ishin tonat, pra po të Shqipërisë edhe ato! Më tej shkruan se skuadra “u ndesh me të gjitha klubet civile”, duke i detyruar terminologjisë “strategjike” të sportit shqiptar një term të herës së parë në krejt historinë e Shqipërisë.

Sanksionohet kështu për herë të parë se tash e mbrapa Shqipëria do të kishte klube “civile” dhe klube “ushtarake”! Nga ana tjetër, ky Partizan mbas këtij turneu të bujshëm, paraqitës (prezantues), duke lënë vërtetësisht mbresa të jashtëzakonshme te publiku, cilësohet megjithatë apriori si “skuadra jonë më e mirë”!

Kur ende nuk kishte marrë pjesë në asnjë Kampionat Kombëtar dhe kur skuadra më e mirë dihej se ishte kampionia Vllaznia e Shkodrës, me të cilën madje edhe në këtë turne befasues ajo e kishte fituar ndeshjen e saj me Partizanin e ri.

Dhe ishte kjo Vllazni, e cila vetëm mbas pak javëve do t’i jepte Kombëtares së Shqipërisë plot 5 lojtarë të titullit Kampione e Ballkanit: Tahiri, Dibra, Fakja, Boriçi, Mirashi.

Pa harruar shkodranin e gjashtë, që ishte Bahri Kavaja, i cili ndoshta mund të konsiderohet si i vetmi lojtar i këtij Partizani, i cili bëhet gjithashtu titullar i Kombëtares në Ballkaniadë.

Ngaqë titullari tjetër i kësaj Kombëtareje, Qamil Teliti, ende i Besës së Kavajës, edhe pse po luante me Partizanin e ri në këtë turne, gjithë Kampionatin e këtij viti 1946 ai kishte luajtur po me Besën.

Kështu pra, prej partizanasve të parë, as Qymyri e as Tepelia, as Vathi e as Pelingu, as Laçej, Cuciqi e as Sakiqi nuk do të ishin as të përzgjedhur për këtë Kombëtare.

Po nga ana tjetër, është një fakt krejt i veçantë që dy lojtarë të tjerë të këtij Partizani, Besim Fagu dhe Xhavit Demneri, ndonëse jo titullarë, do të luanin respektivisht 50 dhe 90 minuta secili në 1 ndeshje të vetme të kësaj Kampioneje të bujshme të Ballkanit që quhej Shqipëri.

E pra, a mund të pranojmë se ende pa dalë në fushën e lojës për ndeshje të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, ky Partizan i saponjohur papritmas i dha Kampiones e Ballkanit 4 lojtarë? Për saktësi historike, nuk mund ta themi një gjë të tillë.

Kjo sepse as Kavaja e as Teliti nuk e veshën asnjëherë fanellën e Partizanit për një Kampionat Kombëtar të Shqipërisë.

Këtë e mbërritën një vit më vonë, më 1947, Demneri e Fagu, duke u bërë kampionë të parë të spikatur të Shqipërisë me Partizanin 1947.

Dhe duke pas një vazhdimësi spektakolare sidomos Besim Fagu, i cili do të shndërrohet në një simbol të Partizanit si futbollist dhe si drejtues i tij, madje për dekada, duke i dhënë, në sportin e basketbollit këtij Partizani dhe Shqipërisë, edhe dy djemtë e tij, Agim Fagun e madh, por dhe vëllanë e tij Arbenin, gjithashtu basketbollist, por dhe trajner i shquar…. Shkruan “Sporti”: “…

Kështu, provohet edhe një herë se fiskultura dhe sporti n’ushtrinë tonë zhvillohen, zgjerohen dhe përparojnë vazhdimisht, për t’u bërë sa më shumë të masës ushtarake dhe faktorë në modernizimin dhe forcimin fizik të ushtrisë”.

Morali i kësaj fabule, që më sipër e përcaktova si “diktati i fuqishëm i një filozofie të re futbollistiko- sportive”, vë kështu vulën edhe përmes shfaqjes së Partizanit të Ushtrisë Kombëtare datuar 1946, se për Shqipërinë po mbërrinte ndërtimi i organizimit tjetër sportiv, këtij të një “Shqipërie të Re”, siç quhej. E kjo do të realizohej edhe përmes këtij Partizani që thuajse rrufeshëm po bëhej shembulli i parë tejet i fuqishëm i një shndërrimi të pandalshëm, ndonëse njerëzit ende s’e dinin ose nuk po arrinin ta kuptonin se çka mund të ishte në të vërtetë e gjitha kjo…

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore natyrisht do të çonte tek organizime të reja simbas modelit sovjetik në të gjithë vendet tashmâ të sistemit komunist dhe, për rrjedhojë, të një politike sportive krejt të re. Shqipëria e vogël nuk mund të bënte përjashtim.

Kur ndërkohë, skuadra ushtarake nuk do të ngriheshin vetëm në Shqipëri, por në gjithë shtetet e Lindjes Komuniste, e cila sapo kishte “rrëmbyer” gjysmën e kontinentit.

Ndërkaq, është vërtet madhështore e si kjo Shqipëri e vogël do të merrte përsipër deri dhe organizmin e Lojërave të para Ballkanike të Mbasluftës, sot e kësaj dite një nder i madh në vetë historinë e sportit shqiptar, më saktë një sensacion po i madh, siç u quajt asokohe edhe prej të huajve.

“Asnjëherë nuk asht pa në vendin t’onë nji aktivitet kaq i madh sportiv se sa mbas çlirimit të Shqipnisë!”, buçet shtypi i Tiranës. Çka ishte më se e vërtetë, teksa mbrenda 24 muajve në Shqipëri do të themeloheshin jo thjesht një Partizan, por dhe kampionatet kombëtare të basketbollit e të volejbollit, të cilët nuk kishin ekzistuar Paraluftës.

Me bujë njoftohet se vetëm nga prilli deri në shtator 1946 shteti kishte dhënë 188.924 franga për sportet. Pa përfshirë këtu 300.000 franga për përfundimin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Pushteti i ri po i vinte pikat mbi “i”, teksa nuk mëdyshej për të njoftuar pa iu “trembur” syri se vetëm “për shtypin dhe propagandën sportive janë shpenzuar 48.000 franga”!…

Edhe ky një përcaktim i ri, krejt i panjohur për shqiptarët: “shtyp dhe propagandë”, pra! Ai do të ishte një pushtet i pakrahasueshëm, sidomos në propagandë.

Dhe mû këtu duhet ta kuptojmë edhe vetë lindjen dhe fillesën spektakolare të klubit Partizani. E gjithë kjo terminologji ushtarake, edhe në gazetari, sigurisht nuk kishte diçka të paarsyeshme për atë sistem. Ajo vetëm tregonte se tash e mbrapa, qoftë edhe nëpërmjet themelimit të Partizanit, politika sportive e Shqipërisë do të ndryshonte kryekëput.

Ajo do të ndryshonte natyrisht përmes ndikimit të Luftës nacionalçlirimtare, ku përvoja sportive jugosllave ishte krejt afër për të mësuar prej saj, për ta imituar atë edhe në fushën e themelimeve sportive.

Kësisoj, me shpejtësi të pandalshme, Shqipëria po i largohej rrufeshëm përvojës italiane, e cila gjatë gjithë viteve ’20, ’30 e ato të para ’40, kishte qenë kultura tjetër, ajo perëndimore në të gjitha themelimet, organizimet dhe zhvillimet e sportit shqiptar.

Me Partizanin e Ushtrisë Kombëtare, siç ende ai thirrej, Shqipëria kishte hyrë në orbitën sportive të shoqërisë komuniste.

Më 4 tetor 1945 ishte themeluar pra Partizani i Jugosllavisë. Ai është klubi legjendar jugosllav, i cili, përveç rreth 30 e sa kampionateve dhe Kupave të Jugosllavisë që do të fitonte, më 1966 do të bëhej deri dhe nënkampion i Europës në Kupën e Kampioneve. Siç kam shkruar me kohë, ky është Partizani i parë në Europë.

Prej tij kanë rrjedhur gjithë “Partizanët” e tjerë. I dyti është i yni, në më pak se katër muaj mbas të parit, si një “binjakëzim” që vinte prej kancelarive të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, vasale e së cilës ishte Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila po sundonte Shqipërinë.

E vërteta është se Beogradi tregon një origjinalitet duke themeluar emërtimin “Partizan”. Po në thelb edhe ai ishte një imitim sovjetik, teksa në emërtimin e tij zyrtar ishte krejt i njëjtë me atë të Moskës:

“Fiskulturno drustvo Centralnog Doma Jugoslovensko Armije Partizan” (“Klubi sportiv (fiskulturor) i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Jugosllave Partizan”). Ndërsa klubi CSKA i Moskës, apo CDKA, siç quhej asokohe, emërtohej: (“Klubi Sportiv i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë së Kuqe”). Kopje e njeri-tjetrit! Imitimi shqiptar ka ndërkaq një origjinalitet.

Ai quhet Partizani i Ushtrisë Kombëtare. Nuk do të zgjaste shumë. Shpejt edhe ai do të mbërrinte te “Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore të Shqipërisë”…

E mandej, jo larg, të gjithë së bashku ata do të bëheshin nja dhjetë a pesëmbëdhjetë “Partizanë” të futbollit në Europën Komuniste: Partizani i Beogradit, Partizan Bardelov, Partizan Prevalje, Partizani i Tiranës, Partizanskje Sllovaki, Partizan Tabor, Partizani Russe, Partizani Bukuresht, Partizanul Lupeni, Partizani Medias, Partizanul Moreni, Partizanul Petrosani, Partizanul Ploeshti, Partizanul Reghin! Ndërkaq, disa prej këtyre “Partizan”-ëve ne i njohim po mirë edhe të shndërruar, teksa sot ata quhen Jiul i Petroshanit, Dunav Ruse apo Petrolul i Ploeshtit. Dhe me ta edhe gjithë “Partizanët” e tjerë jetëshkurtër.

Madje, deri në Kosovë, por në hendboll, ku e pakta ka pasur nja shtatë “Partizanë”: Partizani i Vushtrisë, Partizani i Prizrenit, Partizani i Mitrovicës, Partizani i Startërgut, Partizani i Gjilanit, Partizani i Skenderajt, Partizani i Rahovecit!

Nuk ekzistojnë më asnjeri. Dhe asnjeri prej këtyre nuk mund të krahasohen me dy Partizanët në fjalë. Partizani i Beogradit ka dhënë për Kombëtaren e Jugosllavisë 130 lojtarë. Partizani i Tiranës plot 75 të këtillë për Kombëtaren e Shqipërisë! Legjendarë!…

Do ta mbyllim këtë histori tonën kritike me kapitullin e fundit në numrat e ardhshëm të “Panorama Sport”…

* Për vazhdimësi shih Kapitullin I, II dhe III në “Panorama Sport” të 7, 23 mars dhe 2 prill 2016.