2026 trondit Kategorinë e Parë. Laçi skuadra në perfeksion, Apolonia në krizë të thellë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2026 | 10:49

2026 trondit Kategorinë e Parë. Laçi skuadra në perfeksion, Apolonia në krizë të thellë

Viti 2026 ka sjellë një panoramë krejt të re në Kategorinë e Parë. Në shtatë javët e para të këtij viti, Laçi është skuadra më në formë e kampionatit, duke marrë maksimumin e pikëve dhe duke u shndërruar në një lokomotivë të frikshme në garën për kreun.

APOLONIA LACI

Në krahun tjetër të tabelës, Apolonia po kalon momentin më të vështirë, duke qenë ekipi me rezultatet më të dobëta në këtë periudhë. Laçi ka zhvilluar një seri perfekte në këto shtatë javë të vitit 2026: shtatë ndeshje, shtatë fitore dhe plot 21 pikë. Kurbinasit kanë shënuar 15 gola dhe kanë pësuar vetëm 5, duke treguar jo vetëm forcë në sulm, por edhe një stabilitet të admirueshëm në mbrojtje. Kjo ecuri ka bërë që Laçi të afrohet ndjeshëm me kreun e renditjes së përgjithshme dhe të shndërrohet në rivalin kryesor të Skënderbeut në garën për vendin e parë. Pas Laçit vijnë Pogradeci dhe Skënderbeu, të cilët kanë pasur gjithashtu një ecuri shumë pozitive në këtë fillim viti. Të dy skuadrat kanë grumbulluar nga 17 pikë në shtatë ndeshje, me nga pesë fitore dhe dy barazime. Pogradeci ka treguar efikasitet të madh në sulm me 16 gola të shënuar, ndërsa Skënderbeu ka ruajtur një ritëm të qëndrueshëm që i mban korçarët në krye të renditjes së përgjithshme.

Në mesin e tabelës për këtë periudhë ndodhet Iliria me 11 pikë, një skuadër që ka ruajtur ekuilibrin mes fitoreve, barazimeve dhe humbjeve. Ndërsa Kastrioti renditet më poshtë me 9 pikë, duke pasur një ecuri më të paqëndrueshme. Një grup i ngjeshur skuadrash si Burreli, Luftëtari dhe Korabi kanë grumbulluar nga 8 pikë secila, duke treguar një balancë të plotë mes rezultateve pozitive dhe negative. Kukësi dhe Besa kanë pasur vështirësi për të mbajtur ritmin e rivalëve, ndërsa Lushnja ka arritur vetëm 4 pikë në këtë periudhë.

Megjithatë, skuadra që ka zhgënjyer më shumë është Apolonia. Fierakët nuk kanë arritur asnjë fitore në shtatë javët e para të vitit 2026, duke marrë vetëm dy barazime dhe pesë humbje. Me vetëm 2 pikë të grumbulluara dhe golavarazh 5-12, Apolonia është skuadra me performancën më të dobët të këtij fillimviti, një situatë që rrezikon seriozisht pozitat e saj në renditjen e përgjithshme. Në tabelën totale të kampionatit, Skënderbeu vazhdon të kryesojë me 57 pikë pas 24 ndeshjesh, i ndjekur nga Laçi me 54 dhe Pogradeci me 49 pikë. Diferencat mes skuadrave në zonën e mesit janë të vogla, duke mbajtur garën të hapur për shumë objektiva, nga lufta për kreun deri te mbijetesa. Në fund të renditjes, Kukësi, Luftëtari dhe Lushnja po përballen me një sezon shumë të vështirë, ndërsa Apolonia, pavarësisht se nuk është e fundit në klasifikimin total, ka treguar rënien më të madhe të formës në javët e fundit. Këto shifra tregojnë qartë se forma e skuadrave në vitin 2026 po ndikon ndjeshëm në rrjedhën e kampionatit. Laçi është skuadra që po bën diferencën më të madhe, ndërsa Apolonia duhet të reagojë shpejt nëse dëshiron të shmangë një sezon të mbushur me vuajtje.

RENDITJA 2026

PANORAMASPORT.AL