Zyrtare, Mazrekaj çlirohet nga Prishtina dhe huazohet për gjashtë muaj tek Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2013 | 11:55

Zyrtare, Mazrekaj çlirohet nga Prishtina dhe huazohet për gjashtë muaj tek Partizani

MazrekajNuk ka më asnjë alibi. Mentor Mazrekaj do t’i bashkohet Partizanit për sezonin e ardhshëm futbollistik, pasi dje ka firmosur një kontratë gjashtëmujore. Lojtari do të jetë i huazuar në klubin e kuq, duke qenë se ka ende një vit kontratë me Prishtinën, por ka edhe opsionin e rinovimit me Partizanin. Drejtuesit e kuq i kanë nisur dje futbollistit kontratën me faks dhe mesfushori, pas konsultimeve që ka pasur edhe me presidentin Ejupi, ka firmosur duke iu bashkuar Besnik Krasniqit, Labinot Ibrahimit, Behar Maliqit dhe Amir Rrahmanit, të cilët aktualisht janë duke u stërvitur me ekipin në fazën përgatitore në Greqi. Mazrekaj ka qenë në objektivat e shumë skuadrave të Kategorisë Superiore, megjithatë binjakëzimi që ekziston mes Partizanit dhe Prishtinës ka bërë që drejtuesit kosovarë ta kalojnë lojtarin te “demat”.
Deklarata – I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Mazrekaj ka konfirmuar faktin duke u shprehur: “Drejtuesit e Partizanit kanë nisur kontratën dhe klubet kanë rënë dakord që unë do të transferohem në Tiranë sezonin e ardhshëm. Për një gjë të tillë jam shumë i lumtur shuma financiare është e kënaqshme, por nuk mund të jap detaje të tjera. Gjithashtu, klubi i Partizanit është duke u marrë edhe me çështjen e vizës dhe shumë shpejt do t’i bashkohem ekipit në Greqi”, – ka pohuar Mazrekaj.
Konferenca – Ndërkohë, sot Mazrekaj do të japë një konferencë për shtyp në ambientet e klubit të Prishtinës, ku do të bëhet i ditur zyrtarizimi i kalimit te skuadra e Partizanit. “Në zyrën e klubit, nga ora 12:00, mbahet konferenca për shtyp me rastin e vazhdimit të kontratës me Mentor Mazrekajn dhe njëkohësisht huazimin e tij te Partizani i Tiranës”, – thuhet në një deklaratë të klubit kosovar. Ndërkohë kujtojmë që lojtari një vit më parë ishte shumë pranë kalimit në Kategorinë Superiore te skuadra e Tiranës, por tratativat u prishën vetëm në momentin e fundit. Mazrekaj është një përforcim cilësor për Partizanin, i cili bashkë me Demirin pritet të formojnë dyshen e mesfushës te Partizani, duke garantuar siguri. Ndërkaq, të kuqtë vazhdojnë merkaton për të afruar futbollistë për repartin e avancuar.

Sot, miqësorja e parë ndaj Grevenas
Ashtu siç ishte parashikuar, të kuqtë do të luajnë sot miqësoren e parë ndaj ekipit vendës të Grevenas, i cili luan në kategoritë inferiore të kampionatit grek. Një gjë të tillë e ka konfirmuar zyra për shtyp e klubit të kuq, ndërkohë që sfida do të luhet pasdite. Dje Partizani zhvilloi dy seanca stërvitore, gjatë të cilave lojtarët treguan shenja pozitive në lojën në grup, çka është shumë e rëndësishme për një skuadër të re siç janë “demat”. Ndërkohë, trajneri Lika pret në skuadër edhe dy nigerianët Oladele dhe Felix, të cilët ende nuk janë pajisur me vizë. Mazrekaj gjithashtu do të udhëtojë drejt Greqisë.

“Ultras Guerrils” rekord anëtarësimesh
Prej më shumë se 15 ditësh, grupimi kryesor tifozerik i skuadrës së Partizanit, “Ultras- Guerrils”, ka nisur nga anëtarësimet e reja për sezonin e ardhshëm. Numri i tyre ka shkuar në rreth 450 vetë, ndërkohë që në ditët në vijim pritet që të rritet akoma edhe më shumë. Lapraka, Tirana e Re dhe Kombinati janë aktualisht bazat e anëtarësimeve në kryeqytet, ndërkohë që ato janë shtrirë edhe në pjesë të tjera të vendit. Deri në mesin e muajit të ardhshëm, organizatorët shprehen se numri total i të anëtarësuarve do të shkojë në rreth 1000 mijë tifozë, të cilët do të jenë aktivë edhe nëpër transferta. Kuota e anëtarësimit është 10 mijë lekë të vjetër.
Armand Halili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"