Zeman: Turp i Kontes, duhet ta lërë karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:55

Zeman: Turp i Kontes, duhet ta lërë karrierën

Nga grumbullimi austriak me Romën në Irdning, trajneri verdhekuq, Zdenek Zeman, bën një përmbledhje të shkurtër për sa i përket gjendjes së skuadrës së tij. Por nuk lë pa sulmuar edhe trajnerin e Juventusit, Antonio Konte, i cili është skualifikuar nga Gjykata Sportive me dhjetë muaj pas përfshirjes së tij në skandalin e basteve: “Edhe një futbollist i skualifikuar mund të stërvitet. Por një trajner nëse pezullohet nga organet kompetente, qoftë edhe një muaj, nuk duhet të stërvitë më kurrë. Për mendim tim, Konte bën mirë të japë dorëheqjen përfundimisht nga bota e futbollit. Për ne trajnerët është e patolerueshme të kemi një koleg si ai. E gjithë kjo histori për mendimin tim po vërteton dalëngadalë atë që kam thënë kohë më parë, kur po këta persona ma mbyllën gojën duke më degdisur sa andej-këtej. Ai është një turp dhe fakti që është dënuar në akuzat për trukim, do të thotë se është fajtor”, – ka thënë trajneri i Romës. Për sa u përket vendimeve të Gjykatës sportive pas skandalit të basteve, Zeman preferon të mos zhbalancohet: “Nuk di çfarë të them, deri tani kam kuptuar pak gjëra, – pohon – Nuk i kam lexuar vendimet dhe si rrjedhojë nuk mund të jap një mendim. Por jam i mendimit se nëse duhet të shuajmë një fenomen të turpshëm si trukimi i rezultatit të ndeshjeve, duhet të jemi më të vendosur dhe akoma më të ashpër”. Por Zeman nuk ndalet me kaq, atij nuk i kanë pëlqyer aspak polemikat e finales së Superkupës: “Ndeshjen nuk e kam parë, por polemikat i kam ndjekur dhe nuk më kanë pëlqyer. Gjatë një ndeshjeje të një niveli të tillë, polemikat nuk duhet të mbizotërojë mbi futbollin”. Në përfundim, Zemani ka folur për skuadrën e Romës, për të cilin me sa duket i ka idetë e qarta: “Edhe pse na ndajnë dy janë nga përfundimi i kampionati, unë i kam zgjedhur të 11 titullarët. Skuadra është mirë dhe të gjithë së bashku po presim me padurim fillimin e sezonit. Jam i bindur se kjo skuadër ka për të bërë gjëra të bukura sivjet”.

Zbardhet biseda, Bufon: Mos ikni!
Dyshimet e të kaltërve, edhe pse jo zyrtarisht, kanë hapur polemika të shumta. Penalltia e paqenë, dy kartonët e kuq dhe ajo penallti që iu mohua Behramit kanë tërbuar së tepërmi popullin napolitan. Sikur të mos mjaftonin vendimet e dyshimta të klasës arbitrare, kësaj historie i shtohet edhe një foto e portierit të Juventusit, Xhixhi Bufon, i cili i shkel syrin arbitrit Ricoli në momentin e golit të katërt të takimit. Por nuk ka qenë ky i vetmi moment që portieri bardhezi është kapur mat nga telekamerat në fushë, pasi në përfundim të ndeshjes, Bufon ka vrapuar mbrapa mikut të tij në Kombëtaren italiane, De Santis, për ta ftuar atë të mos braktiste ceremoninë e dhënies së trofeut. “Çfarë bën Morgan? Mos bëni budallallëqe, mos ikni…!”, mësohet t’i ketë thënë Bufon portierit të Napolit, i cili pasi kthehu kokën vendosi të respektonte vendimin e shokëve të skuadrës për të braktisur ceremoninë e dhënies së kupës. Këtë lumë polemikash ka arritur ta shuajë vetëm presidenti i Napolit, De Laurentis, i cili duke i vendosur skuadrës së tij heshtjen për shtyp, ka ndaluar që situata të ndërlikohej më tepër.

Bonuçi: Fitoren e merituam në fushë
24 orë për t’u mbajtur mend gjatë për mbrojtësin e Juventusit Leonardo Bonuçi, i cili kaloi nga frika e një skualifikimi të mundshëm për çështjen e skandalit të basteve, në fitoren e Superkupës së Italisë. Mbrojtësi pasi mori lajmin e mirë se është i pafajshëm dhe në drejtim të tij nuk do të kishte asnjë skualifikim, bëri “bis” duke arritur të fitojë me bardhezinjtë edhe trofeun e Superkupës. “Fitorja e Superkupës është vetëm fillimi i një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm. Kjo fitore është plotësisht e merituar për ne, pasi e kemi treguar në fushë që jemi skuadra më e mirë”, u shpreh lojtari i Juventusit.

Morati mbron Napolin: Nuk ankohen kot
Polemikat e shpërthyera për finalen e Superkupës mes Juventusit dhe Napolit nuk kanë lënë mënjanë as presidentin e Interit, Masimo Morati. Numri një i zikaltërve i ka dalë në krah mikut të tij, De Laurentis, duke thënë: “Ma kanë treguar rezultatin vetëm kur kam ardhur, pasi nuk po e shikoja ndeshjen. Mund të them vetëm se Napoli një arsye duhet ta ketë pasur nëse ka preferuar të dezertojë ceremoninë finale. Por takimin nuk e kam ndjekur, kështu që nuk mund të jap një gjykim të plotë”. Presidentit të zikaltërve më pas i është kërkuar edhe një mendim lidhur me çështjen e skualifikimit të trajnerit të Juventusit, Antonio Konte, për të cilin është shprehur: “Është e kotë t’i rikthehesh kësaj teme, pasi tani kapitulli mund të konsiderohet i mbyllur”.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"