Zbardhet lista: Ja kush largohet dhe kujt i ofrohet rinovimi nga Tirana për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2014 | 9:03

Zbardhet lista: Ja kush largohet dhe kujt i ofrohet rinovimi nga Tirana për sezonin e ri

lista e TiranesTirana “zien”, ashtu sikundër edhe një pjesë e mirë e klubeve të Superiores. Por nëse Partizani, Skënderbeu apo edhe Kukësi kanë bërë goxha hapa përpara në pikasjen dhe blindimin e disa lojtarëve për edicionin e ardhshëm, te bardheblutë gjithçka është pezull. Në fakt problemi më shumë qëndron tek e ardhmja e klubit, duke qenë se nuk dihet ende nëse do të privatizohet, apo do të vijohet sërish me problematikën financiare, sikundër ka ndodhur në tre vitet e fundit. Në këtë kontekst, edhe dy donatorët së bashku me trajnerin Gugash Magani nuk kanë bërë edhe aq lëvizje në merkato si në hyrje dhe në dalje. Gjithsesi, duke iu referuar burimeve tepër të sigurta, “Panorama Sport” zbardh sot listën e lojtarëve që klubi ka nën kontratë, të atyre që do t’u ofrohet rinovimi, të lojtarëve që konsiderohen përfundimisht të larguar dhe natyrisht edhe futbollistët që synojnë të afrojnë drejtuesit për edicionin e ri futbollistik.
Nën kontratë – Ashtu si pjesa dërrmues e klubeve të Superiores, edhe te Tirana nuk kanë menduar më shumë për të ardhmen në terma afatgjatë, përderisa sot ka vetëm pesë lojtarë me kontrata: Marsel Caka, Erjon Hoxhallari, Glori Hoxha, Gentian Muça dhe Selemani Ndikumana. Tre të parët janë lojtarë të dalë nga akademia e këtij klubi, ndërsa Muça e Ndikumana kanë firmosur kontratat e tyre deri në fundin e edicionit tjetër (i pari nënshkroi verën e 2013-s, i dyti në janar të këtij viti, kur erdhi nga Burundi). Gjithsesi, Ndikumana, më shumë se një herë ka shprehur dëshirën për t’u larguar, ndaj nëse për të do ketë ndonjë ofertë nga ku do përfitojë edhe klubi, atëherë ai me shumë gjasa do të largohet nga kjo skuadër.
Rinovimet – Ndërkohë janë plot 13 lojtarë që e mbyllën edicionin e fundit, të cilëve do t’u ofrohet rinovimi. Bëhet fjalë për Ilion Likën, Kalarin, Kotobellin, Pashajn, Vrapin, Caken, Kahatan, Karabecin, Kërçikun, Koreshin, Peposhin, Takun dhe Morinën. Disave prej këtyre do t’u ofrohet kontratë disi më afatgjatë (të paktën dy vjet) dhe me një shtesë të konsiderueshme rroge. Në këtë listë hyjnë emra si kapiteni Karabeci, Taka, apo edhe Morina, futbollistë këta që shihen si baza e formacionit titullar nga ana e trajnerit Magani. Ndërsa të tjerëve ose do t’u ofrohet e njëjta kontratë (pra me rrogë të njëjtë), ose një kontratë me një ulje të rrogës, krahasuar me edicionin që sapo u mbyll. Duhet theksuar se bëhet fjalë gjithnjë për oferta për rinovime të kontratave, pasi askush prej emrave të mësipërm nuk është i lidhur sot për sot ligjërisht me Tiranën, çka do të thotë që edhe mund të mos pranojnë ofertat dhe të shkojnë në një skuadër tjetër në Superiore ose jashtë Shqipërisë.
Largimet – Ndërsa tjetër gjë për pjesën e mbetur të skuadrës. Këtyre lojtarëve (nuk kanë kontrata fare me klubin ndaj konsiderohen që tani të larguar), si: Ervis Kaja, Roland Peqini, Elvis Sina (i tërhequr nga futbolli), Ivan Deliç, Mensur Limani, Mirel Çota dhe Ergys Sorra nuk do t’u ofrohet fare rinovimi, ndaj që tani mund të vihen në kërkim të një skuadre tjetër për edicionin e ri futbollistik. Në këtë grup lojtarësh, pra te përfundimisht “të larguarit”, është futur edhe sulmuesi brazilian, Gilberto Fortunato, të cilit në fakt iu ofrua rinovimi me më shumë se dyfishi i rrogës aktuale, por nuk e pranoi.
Synimet – E natyrisht Tirana do bëjë merkaton e vet, duke synuar disa lojtarë që sipas drejtuesve dhe trajnerit Magani mund t’u bëjnë punë për arritjen e objektivave sezonalë. Në këtë këndvështrim mësohet se në krye të listës së dëshirave të klubit është Ervin Bulku. Mesfushori i Kombëtares pritet të rikthehet “në bazë”, aty ku edhe e nisi karrierën futbollistike. Me lojtarin është folur, por vetëm nëse ai nuk do arrijë të gjejë një tjetër klub jashtë Shqipërisë (shumë e vështirë për moshën që ka), do të rivishet bardheblu. Përveç tij, Tirana kërkon dy lojtarë të Vllaznisë: Tomisllav Bushiç dhe Arsen Hajdari, që të dy lojtarë të lirë (u ka përfunduar kontrata me klubin shkodran), si dhe dy lojtarë të Prishtinës: Viktor Kuka dhe Argjend Malaj. Sakaq është arritur një akord verbal me Stivi Frashërin, por mësohet se portieri korçar nuk ka firmosur me bardheblutë.

Dy brazilianë u ofrohen bardhebluve
Tirana nuk i ndahet tregut të huaj dhe në veçanti atij brazilian. Edhe gjatë kësaj meraktoje, drejtuesve të këtij klubi u janë bërë disa propozime për lojtarë që kanë nisur karrierat e tyre në skuadra kryesisht inferiore në vendin e sambas. Kështu, së fundmi, donatorëve të klubit bardheblu u janë propozuar dy lojtarë: bëhet fjalë për Karlos Eduardo Amparo Pereira, i njohur shkurtimisht me emrin Edu Amparo dhe Eliel da Cruz Guardiano, i njohur si Eliel. Amparo është një mesfushor shkatërrues i datëlindjes 1 gusht 1986, i cili ka luajtur në disa skuadra të kategorive të ulëta në Brazil. Nisur nga pamjet e ofruara në sajtin “Youtube”, të krijohej përshtypja e një lojtari të shkathët që di të përdorë mirë edhe gjuajtjet nga distanca. Ndërsa Eliel, është i datëlindjes 30 qershor 1987 dhe luan si sulmues. Ky i fundit shquhet për fizikun e shëndetshëm dhe lojën e fortë, duke pasur goxha cilësi në dribling. Lojtari pat provuar të “ngulet” në Europë që sezonin e shkuar, kur firmosi një kontratë për Raguza Calcio në Itali (ish-skuadra që drejtonte vitin e kaluar ish-trajneri i Teutës së Durrësit, Roberto Sorrentino), por klubi falimentoi ndaj edhe lojtari pranoi një ofertë nga kampionati malajzian te skuadra e Perak.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"