Xhani-Laçi, rritet presioni për marrëveshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:48

Xhani-Laçi, rritet presioni për marrëveshjen

Futbollistët e Partizanit janë lënë dje pushim nga trajneri Nikolin Çoçlli. Pas një jave intensive përgatitore, lojtarët kanë pushuar për t’iu rikthyer sërish sot stërvitjeve normale. Stafi ka programuar që këto ditë të zhvillojë disa ndeshje miqësore për të parë më mirë formën e çdo lojtari. Gjithashtu, deri të martën, drejtuesit e kuq do të vendosin përfundimisht se ku do ta zhvillojnë fazën përgatitore. Dy janë opsionet, Razma në Shkodër dhe Pogradeci. Por, çështja më e diskutuar në ambientin e kuq aktualisht është marrëveshja që është shkruar mes dy aksionerëve, Albert Xhanit dhe Paro Laçit, por që ende nuk është firmosur. Pritet që kjo të bëhet brenda këtyre ditëve, pasi klubi duhet të përmbushë edhe disa kritere të FSHF-së deri më 15 gusht. Ky është afati përfundimtar që i ka lënë institucioni i futbollit klubit të kuq. Një prej kushteve është edhe garancia financiare prej 20 milionë lekësh të vjetër që Partizani duhet të depozitojë në federatë. Administratori Paro Laçi duket shumë aktiv gjatë kësaj periudhe dhe i qëndron afër skuadrës në çdo moment. Numri dy i klubit ka bërë të ditur se deri në fund të merkatos do të bëhen edhe tri blerje cilësore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"