Vuk e Moreno, të parët që ikin nga Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2012 | 12:55

Vuk e Moreno, të parët që ikin nga Vllaznia

Gjatë ditës së sotme, pritet që të largohen zyrtarisht nga skuadra e Vllaznisë dy prej lojtarëve të huaj të cilët erdhën gjatë merkatos së janarit, kur në krye të shkodranëve ishte Rudi Vata, tashmë i larguar. Bëhet fjalë për mbrojtësin kroat, Gordon Vuk dhe mesfushorin e Kombëtares së Andoras, Serxhi Moreno, të cilët shpeshherë janë kritikuar nga opinioni për formën e treguar në ndeshjet e kampionatit. Që të dy lojtarët mësohet se kanë zgjidhur me mirëkuptim, pas disa diskutimesh me drejtuesit e klubit shkodranë, kontratën e tyre, afati i së cilës përfundonte në fund të këtij muaji. Një fakt i tillë është konfirmuar dje për “Panorama Sport” nga ana e drejtuesve të klubit të Vllaznisë, të cilët kanë vepruar shpejt në këtë drejtim, pasi nuk do të detyrohen që t’u paguajnë lojtarëve këstet e fundit të parashikuara në kontratë, por i kanë lënë ata të lirë të largohen në drejtim të ekipeve të tjera. Duhet thënë se largimi i Morenos dhe Vuk ishte i paralajmëruar në ekip, pasi ata ishin në një pozitë jo të mirë pas largimit të trajnerit Vata nga ekipi, i cili i bëri pjesë të tij. Me ardhjen ne krye të skuadrës të trajnerit Grima, si Vuk ashtu edhe Moreno nuk janë përfshirë asnjëherë në formacionin e ekipit, madje ky i fundit ka vuajtur edhe nga një dëmtim. Largimet e këtyre futbollistëve janë të parat, pasi në kampin shkodran me hapjen e merkatos së verës, pritet të largohen edhe disa futbolliste të tjerë, të huaj të cilët janë afruar gjatë merkatos së janarit te Vllaznia.

Smajli dhe Hajdari: Me blutë, për fitoren e qetësisë
Dy nga pikat më të forta të skuadrës së Vllaznisë, Dritan Smajli dhe Arsen Hajdari, janë të bindur se skuadra e tyre nuk do të luajë një ndeshje shtesë për të qëndruar në Superiore, por do të marrë një fitore ndaj Dinamos javën e ardhshme. “Vllaznia nuk mendoj se do të rrezikojë të hyjë në zonën e ftohtë për shkak se kemi një ndeshje me Dinamon që duhet ta fitojmë patjetër. Kjo sigurisht që ne do të na japë garancinë me tri pikët që duhet të fitojmë. Nuk është e lehtë një ndeshje me Dinamon ndonëse renditet në vendin e fundit të klasifikimit, por ne jemi të bindur se do të arrijmë të korrigjojmë gabimet e dy ndeshjeve të mëparshme dhe të fitojmë takimin”, tha Smajli. Hajdari – “Nuk duhet të shikojmë prapa. Barazuam një takim, të cilin mund ta fitonim dhe kjo na ndikoi jo pak në planet tona. Megjithatë, jam tepër optimist se do mund të realizojmë një fitore në takimin me Dinamon dhe do të mbyllim gjithçka për sa u përket atyre hamendësimeve, që thonë se ne do të shkojmë në zonën e “play-out”-it. Jemi përgatitur përgjatë gjithë kësaj jave që të arrijmë më të mirën në këtë takim. Kemi punuar fort dhe tekniku ka punuar shumë me ne, sidomos në aspektin psikologjik. Jam i bindur se që këtë javë në skuadrën tonë do të diskutohet vetëm për sezonin e ardhshëm dhe projektet e tij”, ka deklaruar Hajdari.
ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"