Vogli: Tani dua “tripletën” me Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2016 | 13:06

Vogli: Tani dua “tripletën” me Tiranën

Basketbollisti më i mirë i vitit 2015, Redi Vogli, i përzgjedhur nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar mes 10 sportistëve më të mirë të vitit, gjatë një interviste për “Panorama Sport” ka rrëfyer se cilat janë objektivat e tij për vitin 2016:

Vogli“Jam shumë i lumtur që KOKSH më nderoi me çmimin ‘Fair Play’ dhe atë të basketbollistit më të mirë të vitit. Nuk e prisja këtë vlerësim. Ky titull është një stimul më shumë për mua për të bërë mirë në këtë sezon”. Më tej lojtari i Tiranës dhe përfaqësueses shqiptare shtoi:

“Objektivi i radhës është të fitoj tre trofetë sezonalë me Tiranën: Kupën, Kampionatin dhe Superkupën. Kemi një organikë të shkëlqyer dhe gjithmonë zbresim në parket për të fituar përballë çdo kundërshtari. Tirana i ka të gjitha ‘letrat në rregull’ për të synuar suksesin e trefishtë në këtë sezon. Presidenti dhe drejtuesit e klubit po përkushtohen shumë për të rikthyer titullin në shtëpi. Sigurisht konkurrenca është e fortë, pasi Vllaznia dhe Kamza Basket kanë një skuadër të shkëlqyer dhe në shtëpi gabojnë rrallëherë. Gjithsesi, kush vesh fanellën bardheblu, nuk i druhet askujt, por kërkon gjithmonë maksimumin”.

Gjatë fjalës së tij, Vogli u ndal edhe te merkatoja:

“Organika jonë është e kompletuar, mirëpo, nëse vijnë përforcime, e kanë derën të hapur, pasi të gjithë kemi një qëllim të përbashkët: të fitojmë ‘tripletën’. Ajo që nuk më pëlqen është fakti që federata hap merkaton përpara fazës së ‘play off’-it, pasi kjo ndikon drejtpërdrejt në garën për titull”.

I pyetur se çfarë ka ndryshuar te bardheblutë në këtë sezon krahasuar me ekipin e edicionit të kaluar, Vogli tha:

“Qysh kur kam veshur për herë të parë fanellën e Tiranës, objektivi ka qenë fitimi i kupës dhe i kampionatit. Në sezonin e kaluar nuk arritëm dot ta konkretizonim me sukses objektivin që kishim, ndërsa shpresoj që t’ia dalim në këtë sezon. Siç e thashë, të gjithë jemi të përqendruar dhe kemi bindjen që mund të bëjmë një ecuri pozitive në vitin 2016. Shima dhe Hysenagolli? Janë dy basketbollistë të shkëlqyer që kanë bërë historinë te Tirana, por nuk besoj se do të na bashkohen gjatë këtij sezoni”, përfundoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"