Vogli: Kampionati i dobët, Tirana i fiton të gjitha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2012 | 7:54

Vogli: Kampionati i dobët, Tirana i fiton të gjitha

Titullar kudo ku ka luajtur, jo më pak edhe në Kombëtaren shqiptare. Basketbollisti Red Vogli, një vit më parë, me Studentin do fitonte Kupën e Shqipërisë duke thyer hegjemoninë e Tiranës. Përsëritet historia këtë sezon për organizatorin, por kësaj here nën logon e bardhebluve në finalen e 29 janarit. Në një intervistë për “Panorama Sport” 25-vjeçari bën bilancin e sezonit rekord me kampionët në fuqi, si dhe shpreh ambiciet.
Një kupë e fituar dhe prej 14 ndeshjeve radhazi nuk njihni kundërshtar. I pritshëm për Voglin një bilanc i tillë?
E kisha parashikuar. Ajo që më bënte kaq optimist ishte kontingjenti që ka kjo skuadër elitare, krahasuar me të tjerat. Plot tetë lojtarë të saj janë në organikën e Kombëtares, kësisoj dhe superioriteti i Tiranës ka qenë i pritshëm nga unë. Në fakt, deri tani diferenca në lojë dhe rezultat mes Tiranës dhe skuadrave të tjera ka qenë e dukshme. Është për të ardhur keq, porse duhet përmendur si fakt se këtë vit kampionati është më i dobët nga ai i kaluari. Nëse vjet mund të pretendoje për rivalitet, një gjë e tillë sivjet mungon. Me përjashtim të Kamza Basket që, edhe pse e kemi mundur 3 herë, por me vështirësi, pjesa tjetër lë për të dëshiruar. Ndërkohë, fazën e tretë e mbyllim pikërisht me këtë ekip dhe objektivi mbetet po ajo, fitorja. Personalisht do të dëshiroja mjaft që edhe kontributi im të ishte përcaktues në rezultatin final, duke qenë se vij nga një dëmtim.
Në përfundim të sezonit, është radha e finales së Superkupës. Prisni ndonjë surprizë të mundshme?
Absolutisht që nuk do të ketë asnjë të papritur edhe në Superkupë. Tirana është skuadër me mentalitet fituesi, gjë që e ka dëshmuar prej kohësh. Pas kupës, të cilën siç duket ia kam marr dorën, kërkoj një tjetër trofe me Tiranën. Ju siguroj se edhe në finalen e radhës me Kamza Basket, fundi do t’u buzëqeshë bardhebluve.
Arsyeja?
Këtu punohet jashtëzakonisht dhe serioziteti nga stafi dhe lojtarët është i madh. Me pak fjalë, fanella e Tiranës rëndon shumë.
Këtë verë do të luani në Evropian. Çfarë parashikoni?
Duke qenë se luajmë në Divizionin A, konkurrenca do të jetë e madhe. Ndaj lind nevoja për më tepër impenjim nga federata, stafi teknik, sigurisht edhe nga ne. Por vë theksin se federata duhet të na stimulojë më tepër financiarisht, si dhe duhet të programojë më shumë miqësore.
Cila është e ardhmja e Voglit?
Kur u largova nga Tirana nuk kam dashur por, i kushtëzuar nga rrethanat, zgjodha Studentin. E vetmja ofertë që do të më joshte të hiqja dorë tani nga Tirana, ky ekip i zemrës sime, është vetëm nëse do të më vinte nga jashtë Shqipërisë. Pastaj, çdo interesim tjetër nga klubet vendëse nuk do ta merrja fare në konsideratë.
OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"