Shqipëri-Poloni, 35 vite nga “rrufeja” e Boniekut në Tiranë. Të pathënat e ndeshjes së luajtur më 30 maj (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2020 | 16:00

Shqipëri-Poloni, 35 vite nga “rrufeja” e Boniekut në Tiranë. Të pathënat e ndeshjes së luajtur më 30 maj (VIDEO)

UVIL ZAJMI 

Uvil Zajmi

35 vite kanë kaluar nga ai fundmaji i 1985-ës dhe ne po përpiqemi të sjellim disa detaje të pathëna më parë nga ndeshja e famshme Shqipëri-Poloni 0-1. Sapo ishte ndarë nga jeta diktatori Enver Hoxha, pastaj tragjedia e “Hejselit” para finales së Kupës së Kampioneve të mërkurën e 29 majit dhe një ditë më pas, në “Qemal Stafa”, luhej Shqipëri-Poloni, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror.

kapiteet (1)

Si lindi çështja “Boniek”, takimi me Bonipertin, ndërhyrja e Suzana Anjelit, peripecitë se pse pengohej udhëtimi i tij në Tiranë, deri te dhënia e vizës në “shkëmbim” të një fanelle të Platinisë: Në një intervistë ekskluzive me Luftar Malinë, zyrtarin e ambasadës sonë në Romë, që për herë të parë pas kaq vitesh zbulon të vërtetën e refuzimit të lejekalimit për ish-asin polak të Juventusit. Takimi i Malisë me Pelenë në Fiumiçino dhe si u çmend braziliani nga bukuria e vajzave shqiptare.

Në një rrëfim unik Kristaq Miço, ish-kryetari i FSHF-së, flet për shqetësimin dhe pasigurinë e drejtuesve të federatës polake për mosardhjen e Boniekut dhe si mori dhenë disa orë para takimit lajmi se “Boniek ka ardhur me çarterin e Anjelit”. Si e kujton sot mesfushori Mirel Josa vdekjen e Hoxhës, ndeshjen e shtyrë me Greqinë, ankthin në Kombëtare “do të vijë apo jo Boniek” dhe “zhgënjimi” për bluzën e premtuar. Minuta fatale e golit të realizuar nga i sapoardhuri nga “Hejseli”, në një rikthim tek ai moment nga portieri Perlat Musta.

Shpresat për kualifikim, vdekja e Hoxhës, tragjedia e “Hejselit” dhe ndeshja të enjten

Kishte më pak se një muaj që Shqipëria ishte ndarë përfundimisht me diktatorin Hoxha, i cili kishte ndërruar jetë më 11 prill të 1985-ës dhe ishte planifikuar që të luhej ndeshja Shqipëri-Greqi. Nuk u luajt dhe u shty për në tetor. Bëmat e atij edicioni nuk mbaronin këtu… Çudira ndodhin edhe të enjten e 30 majit, kur në “Qemal Stafa” do të zhvillohej Shqipëri-Poloni për kualifikueset e Botërorit “Meksikë ’86”. Nuk ishte hera e parë që ndesheshin. Sa për pak histori, po ju kujtojmë: – Më 10 tetor të 1970, EKB, në Katovicë, Poloni-Shqipëri 3- Nga  0 (Gadoha, Lunaksi, Soltisick) dhe barazimi jo pak i vogël më 12 maj 1971, Shqipëri-Poloni 1-1 (Zhega).

Më pas shorti na vë sërish kundër polakëve në “Meksikë ’86” dhe në grup janë Belgjika e Shifos, Polonia e Boniekut, sigurisht pretendente, Greqia dhe Shqipëria. Në tetor 1984, në kalendar janë dy takime: Në Bruksel më 17 tetor “Hejsel Stadium”, Belgjikë-Shqipëri 3-1 (Omuri ’84). Pas dy javësh, në Mielec, 31 tetor, Poloni-Shqipëri 2-2 (Smolarek ’23, Omuri ’54, Kola A. ’76, Palaz ’79), një barazim befasues, kur takimi edhe mund të fitohej. Por, për skuadrën që drejtohej nga Sh. Rreli e ndihmësi M. Zhega, “bomba” do të vijë në dhjetor, Shqipëri-Belgjikë 2-0 (Josa ’69, Minga ’86). Një rezultat befasues për opinionin sportiv europian dhe papritur lindin shpresat për pjesëmarrje në fazën finale të Botërorit meksikan.

boniek platini

Por, në shkurt të 1985-ës, Greqi-Shqipëri 2-0, pastaj ShqipëriPoloni 0-1 që zbehin përfundimisht ëndrrën botërore. Ndërkohë, pas “Gjermani ’74”, ku shkëlqeu, kombëtarja polake kishte një dekadë që ishte në elitë. Luante një futboll modern, të shpejtë, të frikshëm dhe kishte lojtarë cilësorë, mbi të gjithë Boniek. Ishte futbollist klasi, titullar me Juventus në Serinë A. Por, në ndryshim nga ndeshja e Mielcit, gjysma e skuadrës nuk do të vijë në Tiranë, ndër ta legjendari Zmuda, si dhe të tjerë emra të rinj do të shfaqen në “Qemal Stafa”, bashkë me ta Smolarek e Boniek. Në krahun kuqezi, nga sfida e parë nuk luajnë F. Rragami, H. Ballgjini, të zëvendësuar nga Zmijani e F. Jera. Nga UEFA, takimi ishte programuar të zhvillohej të enjten dhe jo të mërkurën, i caktuar për finalen e Kupës së Kampioneve.

Pikërisht atë mbrëmje Juventusi fiton 1-0 ndaj Liverpulit dhe merr trofeun. Dyshja Boniek-Platini ishte vendimtare në triumfin bardhezi. Madje, Bonieku merr penalltinë që Platini e transformoi në gol. Por, pas mbrëmjes së finales me 39 të vdekur në stadium, gjë që u përjetua shumë edhe në Tiranë, në opinionin sportiv shtrohej pyetja: “Pas tragjedisë, a do të vijë Bonieku në Tiranë?” Dhe papritmas lajmi që mori dhenë: “Boniek ka ardhur”. Nga “Sporti” i 4 qershorit 1985 informohemi:shqiperia ndaj polonise (1)

E enjte më 30 maj, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” të kryeqytetit, ora 17:00.

SHQIPËRI-POLONI 0-1

SHQIPËRIA: Musta, Zmijani, Hodja, Targaj, Omuri, Jera, Muça (Mile 60′) Demollari (Marko 81′) Josa, Minga, Kola. Trajner: Sh. Rreli

POLONIA: Minarcik, Pavlak, Vojciski, Pshebes, Ostrovski, Matilshik, Boniek, Urban (Taraseviç 87′), Xhekanovski, Boniek, Smolarek. Trajner: A. Piehnicek

SHËNUES: Boniek 24′

ARBITRA: Zhezhov, Jerimov, Dotcev nga Bullgaria

SPEKTATORË: 17 000

KORNET: 6-3

Ndeshjes së ekipeve A i parapriu ajo e skuadrave Shpresa, e zhvilluar ditën e mërkurë me 29 maj në Berat, në kuadrin e Kampionatit të 5-të Europian të kësaj moshe. Rezultati 2-1 për polakët, ndonëse shqiptarët ishin të parët në avantazh me Fakajn në ’32 dhe 1-0 u mbyll pjesa e parë. Për Shpresat që drejtoheshin nga F. Frashëri luajtën: Mersini, Stafa, Ramadani, Lekbello, Ocelli, A. Arbëri, Canaj, Briza, Millo (Imami 79), Kushta dhe Fakaj. Të nesërmen në faqen e parë, krahas një titulli të madh ku shqiptarët njoftohen se janë likuiduar dëmet e tërmetit, është edhe një shkrim i gjatë nga I. Bellova e N. Gjuzi për takimin e shumëpritur të formacioneve “Big”.

“Një fillim i vrullshëm me një rast ideal për Mingën në ‘2, hezitim, i papërgatitur për rrethanën që u krijua dhe sigurisht nuk mund të shënonte. Më vonë loja do të barazohet, për të ardhur te minuta e 24-t, kur Boniek, pasi merr një top me mjeshtëri nga Urban, gjuan rreptë dhe 1-0! Gabim i mbrojtësve, i portierit? Më shumë se kaq, edhe meritë e lojtarit të njohur polak!” Renditja: Polonia 7, Belgjika 7, Shqipëria 3, Greqia 3 pikë. Në tetor Shqipëri-Greqi 1-1 (Omuri ’26) dhe këtu mbyllet aventura kuqezi.

UVIL ZAJMI

Në versionin print do të lexoni edhe:

Mirel Josa: Boniek nuk e “mbajti” premtimin

Luftar Malia: Viza e Boniekut rrezikoi edhe marrëdhëniet me Italinë

Miço: Boniek erdhi me çarterin e Anjelit pak orë para ndeshjes

Perlat Musta: E preka topin, por nuk munda ta nxirrja jashtë

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"