VIDEO/ Bylisi spektakolar, përmbys Kukësin në shtëpi dhe i shkakton humbjen e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2019 | 17:57

VIDEO/ Bylisi spektakolar, përmbys Kukësin në shtëpi dhe i shkakton humbjen e parë

Bylisi arriti një fitore të madhe me shifrat 2-1 përballë Kukësit, madje edhe me përmbysje.

bandicam 2019-09-15 17-56-07-418

Në “Adush Muça” të qytetit të Ballshit, sfida u zhbllokua që në minutën e 16-të, ku Vesel Limaj goditi saktë një goditje dënimi shumë pranë zonës së vendasve. Hidi nuk pati mundësi çfarë të bënte, dhe në avantazh kuksianët.

Me kalimin e minutave, ishte ekipi i Dovedan që kërkoi të reagonte, dhe në minutën e 30-të, fituan një penallti pas një pengimi në zonë. Përsipër e mori portieri Isli Hidi, ashtu si një javë më parë ndaj Skënderbeut, dhe shënoi me saktësi ndaj Avdylit.

bandicam 2019-09-15 17-49-26-428

Pjesa e parë u mbyll në barazim, ndërkohë që me nisjen e të dytës, ballshiotët kërkuan në disa raste golin e dytë. Më pas, Kukësi mori frenat e lojës, dhe me Rrocën, Abazajn e lojtarët e sulmit, goditi disa raste portën e Hidit, por gardiani mbajti të paprekur kuadratin nga goli i dytë.

Teksa dukej se sfida po shkonte drejt një barazimi, ishte kapiteni Murataj, që në një krosim të gjatë nga e majta në minutën e 89-të, e çoi topin drejt e në fundin e rrjetës, edhe me pak ndihmë nga Guindo që hutoi mbrojtjen dhe portierin.

bylis kukesi

Murataj u ndëshkua edhe me të dytin e verdhë, dhe kështu në minutat e fundit la të tijtë me një lojtar më pak. Në fund, Bylisi fitoi me shifrat 2-1, duke i dhënë humbjen e parë ekipit të Duros.

 

 

FT  | Bylis-Kukësi 2-1

GOL:  Hidi pen. 32′, Guindo 89’/ Limaj 16′ 

KARTON I KUQ: Murataj 90′ (2V) / 

 

KOMENTI LIVE

Mbyllet takimi. Bylis-Kukësi 2-1

92’ Zëvendësimi i tretë për vendasit. Ujkan ë vendin e Guindos.

90′ 5 minuta shtesë.

90’ Ndëshkohet me të dytin e verdhë kapiteni Murataj sepse hoqi fanellën, dhe lë në pak minuta të tijtë me 10 lojtarë.

89’ GOOOOOOL BYLISI 2-1/ Përmbysin gjithçka ballshiotët. Kapiteni Murataj hedh një krosim nga e majta, dhe është Guindo që huton mbrojtjen. Goli i quhet Muratajt.

87’ Murataj nis bukur Guindon në të majtë, me një top të gjatë, avancon sulmuesi, por rrëshqet në momentin e fundit.

86’ Guindo provon me një kthesë brenda zone, por goditja pa rrezik për Avdylin.

82’ Murataj ndëshkohet me të verdha për protestë.

81’ Abazaj provon nga hyrja e zonës me të majtën, por tërësisht për t’u harruar pasi topi kalon rrethimin e stadiumit.

80’ Mëllugja provon me të djathtën nga jashtë zone, por goditja e mesfushorit nuk përfundon në kuadrat.

76’ Pas një krosimi nga e majta, Ymeralilaj dhe Çelis nuk merren vesh me njëri-tjetrin, dhe goditja me kokë është mbi kuadrat.

75’ Kryen dy ndërrime menjëherë Duro. Kotobelli në vendin e Rrocës, si dhe Mirlind Daku në fushë, në vendin e Kitanovskit.

75’ Mëllugja lëviz bukur nga e djathta, kroson për CCelis, por nuk e arrin dot i futuri në fushë pak minuta më parë.

73’ Ndëshkohet me karton të verdhë Peposhi tek Bylisi.

71’ Përsëri goditje dënimi për Kukësin pranë zonës së Hidit. Godet Limaj, por topi ndalet në mur. Më tej, është Shkurtaj që provon, por topin e devijuar e mban Hidi brenda vijave kufizuese.

69’ Limaj provon sërish të shënojë nga një goditje e dënimit, por këtë herë gjuajtja shkon jashtë.

66’ Ndërrimi i dytë te Bylisi. Qardaku largohet nga fusha, futet Çelis.

65’ Isli Hidi shpëton sërish portën. Rroca futet brenda zone, por me këmbë është Hidi që i pret gjuajtjen.

64’ Peposhi provon të kërcënojnë Avdylin, goditja e tij me të djathtën shumë e lehtë.

61’ Shpëton nëj gol të sigurt Isli Hidi, pas goditjes së fortë.

61’ Lojtarët e Kukësit pretendojnë për një prekje të topit me dorë në zonën e Bylisit, por nuk është i këtij mendimi kryesori Xhaja.

60’ Kitanovski kroson nga e majta, devijohet në këndore topi.

59’ Murataj harkon nga goditja e dënimit, por topi menjëherë në duart e Avdylit.

58’ Lulaj zgjat një dorë ndaj Qardakut, faull për vendasit. Ndëshkohet me karton të verdhë mbrojtësi, por për protesta, me të verdhë ndëshkohet edhe Musolli.

55’ Lulaj dhe Guindo përplasen kokë më kokë, dhe kryesori ndal menjëherë lojën. Stafet mjekësore në ndihmë të dy lojtarëve.

53’ Goditje këndi për ballshiotët, topi i ardhur goditet në fillim, por ndal Avdyli. Më tej, është Bici që tund rrjetën, por anulohet goli për pozicion jashtë loje.

51’ Qardaku nis Muratajn në të majtë, por Lulaj rrëshqet dhe e mbyll.

50’ Avdyli shpëton sërish Kukësin. Guindo godet fort me të djathtën, por gardiani i Kukësit dërgon topin në goditje këndi.

48’ Dovedan kryen ndërrimin e parë. Barjamaj në fushë, në vendin e Ntepe.

46’ Nis pjesa e dytë. Asnjë zëvendësim në radhët e të dyja skuadrave.

Mbyllet pjesa e parë. Bylis-Kukësi 1-1

47’ Nga goditja e dënimit, Murataj harkon për Bicin, por mbrojtësi me kokë godet mbi traun e portës.

46’ Dorë e zgjatur e Obanor ndaj Guindos, arbitri e ndëshkon me karton të verdhë.

45’ 2 minuta shtesë.

43’ Probleme për Goxhajn pasi ndal një top ndaj Gavazajt. Stafi mjekësor në fushë për mbrojtësin e Bylisit.

42’ Pasim i gjatë për Kitanovskin në të majtë, e ul me kokë por pa adresë e topi shkon në duart e Hidit.

37’ Sërish pranë golit Bylisi. Ymeralilaj godet portën e Avdylit, por grushton portieri. Më pas, është Obanor që çon topin në goditje këndi.

35’ Merr zemër Bylisi. Pranë golit të dytë, teksa Guindo godet portën, por pret Avdyli në dy kohë.

32’ GOOOOOOL BYLISI 1-1/ Ashtu si në Korçë, është portieri Isli Hidi që e merr përsipër ekzekutimin e penalltisë, dhe gardiani i ballshiotëve nuk fal 11 metrat.

30’ Penallti për Bylisin. Pas një harkimi nga e majta, mbrojtja e Kukësit harron Goxhën, dhe atij i shkaktohet faull, ka ndërhyrje edhe ndaj Bicit, dhe kryesori Xhaja akordon penallti.

29’ Mëllugja godet nga jashtë zone, por Obanor devijon me trup. Në vijimin e aksionit, vjen një top nga e majta, por është sërish Obanor që nxiton të rikthehet në pozicionin e tij, dhe largon topin me kokë në goditje këndi.

28’ Qardaku hedh një top për Guindon, por gjithsesi anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje.

24’ Ntepe merr një top nga e majta, dhe pengohet brenda zone, por asgjë për kryesorin.

22’ Mëllugja jep një top për Qardakun në hyrje të zonës, por mbrojtja mike mbyll dhe dërgon topin në goditje këndi.

20’ Ndalet për pak sekonda loja, teksa stafi mjekësor i vjen në ndihmë Rrocës teksa pësoi një dëmtim.

16’ GOOOOL KUKËSI 0-1/ Zhbllokon shifrat Limaj. Direkt nga goditja e dënimit me të djathtën, mposht Isli Hidin dhe çon të tijtë në avantazh.

14’ Rroca avancon bukur nga mesi i fushës deri tek zona e Bylisit, por është Goxha që i bën faull pa u futur brenda saj. Goditje dënimi për verilindorët, dhe karton i verdhë për Goxhën.

13’ Ymeraliaj avancon bukur në krahun e djathtë, dhe fiton një faull.

11’ Krosim nga e djathta prej Abazajt, por Goxha ndal rrezikun.

2’ Ntepe kërkon të nisë të tijtë, ndalet me dorë topi nga Musolli. Faull për vendasit.

1’ Menjëherë ndërhyrje e gabuar e kapitenit Murataj, ndaj Gavazajt. Faull për kuksianët.

1′ Nis takimi në Ballsh.

 

FORMACIONET

BYLIS: Hidi; Ymeraliaj, Bici, Goxhaj, Peposhi, Mëllugja, Murataj, Ntepe, Turabov; Qardaku, Guindo. Trajner: Veljko Dovedan

bandicam 2019-09-15 15-42-46-260

KUKËSI: Avdyli; Kitanovski, Obanor, Lulaj, Maliqi; Rroca, Musolli, Limaj; Gavazaj, Abazaj, Shkurtaj. Trajner: Shpëtim Duro

bandicam 2019-09-15 16-01-22-296

Gjyqtar: Juxhin Xhaja

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"