VIDEO/ Bylisi shkërmoq Skënderbeun në Korçë, shënon edhe portieri Hidi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2019 | 23:54

VIDEO/ Bylisi shkërmoq Skënderbeun në Korçë, shënon edhe portieri Hidi

Bylisi ka shkërmoqur Skënderbeun me rezultatin 3-0, në përballjen e vlefshme për javën e tretë të Kategorisë Superiore, të zhvilluar në Korçë.

bandicam 2019-09-01 20-23-05-853

Dominim absolut i skuadrës ballshiote, që arriti t’i jepte një leksion futbolli skuadrës së Ilir Dajës. Ishte futbollisti Peposhi ai që hapi serinë e golave në minutën e 11-të duke goditur saktë nga brenda zonës, pas asistit të Muratajt.

bandicam 2019-09-01 20-56-07-353

Miqtë nuk u mjaftuan më një gol në fragmentin e parë të lojës, teksa në sekondat e fundit, ish-sulmuesi i Skënderbeut, Guindo, ndëshkon korçarët, duke shënuar me kokë.

bandicam 2019-09-01 19-47-59-506

Skuadra e Dovedan, shkon në dhomat e zhveshjes në avantazhin e  2 golave. Kur u mendua se pjesa e dytë do të fliste për bardhekuqtë, Bylisi i surprizon të gjithë, duke shënuar edhe golin e tretë, me anë të portierit Hidi, i cili realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.

bandicam 2019-09-01 19-51-18-030

Me këtë triumf skuadra ballshiote u ngjit në kuotën e 4 pikëve, ndërkohë që Skënderbeu mbetet në kuotën e 6 pikëve. Në javën e katërt, Skënderbeu do të ndeshet ndaj Tiranës në transfertë, ndërkohë që Bylis pret Kukësin në “Adush Muça”.

 

FT| SKËNDERBEU-BYLIS 0-3

Peposhi 11′, Guindo 45′, Hidi 61′ (p)

KOMENTI LIVE:

Përfundon takimi. 

90′ Akordohen 3 minuta shtesë!

87′ Zëvendësim i tretë te Bylisi, largohet autori i golit të dytë Guindo, vendin e tij e zë i riu Ujka.

82′ Skënderbeu kërkon të shënojë golin e nderit. Pollozhani provon me një goditje nga distanca, topi shkon jashtë kudratit.

78′ Tjetër zëvendësim te Bylis, largohet nga fusha Ntepe, vendin e tij e zë lojtari i afruar së fundmi në merkato, Opoku.

77′ Mara kombinon bukur me Bregun, por ky i fundit nuk koordinohet siç duhet brenda zonës.

72’ Zëvendësim te Bylisi, largohet Qardaku dhe  hyn në fushën e lojës Celis.

70′ Turabov ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar.

69′ Zëvendësim te Skënderbeu, largohet nga fusha Oto Xhon, vendin e tij e zë Uerdi Mara.

61′ GOOOL BYLISI 0-3/ Shkërmoqet Skënderbeu, ballshiotët shënojnë golin e tretë me portierin Hidi, i cili tregohet i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. 

60′ Penallti për Bylisin, e shkakton Pollozhani, i cili ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Guindos.

58′ Bylisi pretendon për 11-metërsh pas rrëzimit të Guindos brenda zonës, gjyqtari kryesor akordon penallti, megjithatë asistenti nuk është i atij mendimi dhe e anulon. Protestojnë miqtë.

56′ Zëvendësim te Skënderbeu, largohet Taipi, vendin e tij e zë Turtulli.

54’ Mundësi e artë për Bylisin me Ntepe, i cili avancon i vetëm përballë portierit Koliçi dhe godet, por topi shkon në duart e gardianit pogradecar.

53’ Bylisi në sulm, pas një harkimi nga e djathta, largon në vështirësi mbrojtësi Meksi.

48′ Dejvi Bregu provon të rihapë sfidën me një gjuajtje në hyrje të zonës, topi shkon jashtë kuadratit të Hidit.

46′ Starton pjesa e dytë, trajnerët nuk bëjnë ndryshime.

Mbyllet pjesa e parë.

45′ Akordohen 2 minuta shtesë.

45′ GOOOL BYLIS 0-2/ Nuk kanë fund surprizat në Korçë, ballshiotët dyfishojnë rezultatin me anë të Guindos, i cili godet saktë me nga brenda zonës, pas aksionit fantastik të Qardakut brenda zonës, duke mposhtur portierin Koliçi. 

41′ Tjetër mundësi shënimi për Bylisin me anë të Qardakut, por gjuajtja e talentit shkodran shkon jashtë kuadratit.

35′ Drithërima në portën e Koliçit, pranë golit të dytë Bylis me Guindon, i cili provon me një gjuajtje potente nga jashtë zonës, topi shkon ngjitur me traversën.

33′ Ndizet sfida në Korçë. Skuadra e Dajës, merr frenat e lojës në dorë dhe kërkon me ngulm golin e barazimit, mbrohen mirë ballshiotët.

32′ Gripshi provon me një gjuajtje nga goditja e dënimit, topi ndalet nga muri. Sfumohet kjo mundësi shënimi.

30′ Bicaj ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Gripshit. Goditje dënimi në favor të Skënderbeut, shumë pranë zonës.

25′ Muzaka ndëshkohet me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj kapitenit Murataj.

23′ Skënderbeu provon të rrezikojë me Taipin, por tentativa e mesfushorit largohet në këndore nga futbollistët e Bylisit.

21’ Goditje dënimi për Skënderbeun, topi i krosuar nga Gripshi shkon jashtë kuadratit.

14′ Aksion i rrezikshëm i Skënderbeut, por nuk vlen, pasi Dejvi Bregu zihet në pozicion jashtë loje.

11′ GOOOL BYLIS 0-1/ Ballshiotët kalojnë në avantazh me anë të futbollistit Peposhi! Pas një asisti nga Murataj, Peposhi nuk ka falur brenda zonës, duke mposhtur portierin Koliçi, me një gjuajtje të saktë me të djathtën. 

6’ Tjetër mundësi e mirë për Bylisin, Ymeralilaj tenton goditjen në hyrje të zonës, por topi shkon jashtë.

4’ Goditje nga këndi në favor të Bylisit,  kroson Qaradaku në zonë për Bicajn, por goditja e mbrojtësit lezhian shkon jashtë kuadratit.

2′ Pranë golit Skënderbeu me Oto Xhon që ka shpërdoruar një mundësi të artë shënimi. Në një penallti në lëvizje, sulmuesi i skuadrës korçare, ka goditur keq, duke e dërguar topin në duart e Hidit.

1′ Ka startuar sfida në Korçë!

FORMACIONET ZYRTARE:

Skënderbeu: Koliçi, Meksi, Pëllumbi, Pollozhani, Dita, Taipi, Muzaka, Gripshi, Bregu, Oto Xhon, Krasniqi. Trajner: I. Daja.

Bylisi: Hidi, Bicaj, Janku, Mëllugja, Peposhi, Ntepe, Ymeralilaj, Turabov,  Murataj, Qardaku, Guindo. Trajner: V. Dovedan.

Gjyqtar: K. Kola.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"