Vendimtar me dopietën ndaj Dinamos, Xhonatan: Ky ekip ngjitet në elitë! Flamurtari tregoi se bën diferencën në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2022 | 21:59

Vendimtar me dopietën ndaj Dinamos, Xhonatan: Ky ekip ngjitet në elitë! Flamurtari tregoi se bën diferencën në Kategorinë e Parë

Protagonistë të fitores se madhe të Flamurtarit në “Selman Stërmasi” ishin dy sulmuesit brazilianë, Xhonatan da Silva dhe Mateus Iakoveli, secili me nga një dopietë në sfidën me Dinamon. Por, më tepër i pari, pasi i dha goditjen e nokautit skuadrës kryeqytetase me golin e dytë dhe të tretë për vlonjatët që në pjesën e parë.

Xhonatan Flamurtari

Pas ndeshjes, sigurisht shumë i lumtur për golat dhe fitoren, braziliani foli për “Panorama Sport”. Sulmuesi 26-vjeçar vjen pas një karriere modeste në futbollin maltez, ku ka luajtur për skuadra si Qrendi dhe Zebug. Më parë e ka nisur në Brazil me Novoperario FC.

“Jam i kënaqur për golat dhe më shumë për fitoren e Flamurtarit, që synon të shkojë në Superiore. Janë dy gola të rëndësishëm në një ndeshje shumë të vështirë, sepse luanim ndaj ekipit kryesues. Ishte ndeshje e vështirë, pavarësisht se si shkoi rezultati në fund. A mund të shënonte më shumë Flamurtari?

Po, mund të kishim shënuar më shumë gola, sepse i kishim mundësitë në zonën kundërshtare gjatë ndeshjes. Megjithatë, jemi të lumtur për atë që kemi arritur”, ka thënë fillimisht braziliani. SITUATA Sulmuesi brazilian vlerëson skuadrën ku bën pjesë dhe premton të japë gjithçka, ndërsa aspekti personal për të është në plan të dytë. Ai ndihet shumë mirë në Vlorë, aq më tepër që ka edhe disa patriotë si shokë skuadre. Xhonatan shprehet me modesti se mendon vetëm për suksesin e skuadrës: “Nuk është se kam ndonjë objektiv personal për të shënuar një numër të caktuar golash në këtë kampionat, rëndësi ka që Flamurtari të ecë mirë dhe të arrijë pretendimet e tij.

Kemi një ekip të mirë dhe do të shikojmë pastaj si do të shkojnë gjërat jave pas jave”. I pyetur nëse ka një dedikim të veçantë për golat, Xhonatan bëri pak humor, duke thënë se ia dedikon patriotit të tij, Leonardo Martins (ndihmësi i Troisit), që bëri edhe rolin e përkthyesit në intervistë. Por çfarë mendon braziliani për Kategorinë e Parë? “Është një kampionat i fortë, ka nivel të kënaqshëm. Ne kemi një skuadër mjaft të mirë, po punojmë shumë dhe po tregojmë në fushë se jemi Flamurtari që kërkon Superioren”. Vlonjatët kanë në gjirin e tyre një grup brazilianësh, që dje në “Selman Stërmasi” vërtet kërcyen samba.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"