Rama: Këtë herë s’meritoja të isha në Kombëtare. S’kam bërë stërvitje të rregullt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2014 | 9:00

Rama: Këtë herë s’meritoja të isha në Kombëtare. S’kam bërë stërvitje të rregullt

valdet rama475 2Valdet Rama është njeriu i momentit te Mynih 1860. Mesfushori i avancuar i Kombëtares shqiptare ishte një nga goditjet e orëve të fundit në merkaton e këtij klubi, duke rritur ndjeshëm cilësinë në organikën e skuadrës që drejtohet nga Rikardo Moniz. Kësisoj, Rama ka qenë në qendër të vëmendjes edhe të shtypit vendës, i cili është mundur që më së shumti të zbulojë karrierën dhe jetën, përtej futbollit të mesfushorit kuqezi. “I lindur në Ish-Jugosllavi (në Mitrovicë), në 1996-ën, kur ishte vetëm 8 vjeç ai zbarkoi në krahinën e Ruhr, në juglindje të Gjermanisë. Babai i tij ishte larguar nga shtëpia pak kohë më parë dhe kishte gjetur punë pikërisht në këtë vend. Në momentin e parë ai merr edhe familjen dhe nga këtu nis rrugëtimi futbollistik i Valdet Ramës”, shkruante dje uebsajti i klubit bavarez.
Karriera Pasi hedh hapat e para në skuadrat amatore të kësaj zone, në moshën 17-vjeçare Rama kalon te Rot-Vajs Esen dhe vetëm një vit më vonë rekrutohet nga drejtuesit e akademisë së Volfsburgut, ku mori edhe eksperiencën e duhur për t’iu prezantuar më pas futbollit profesionist. Në 2008-ën e shikojmë te skuadra e Bundesligës së dytë, Ingolstadt. Këtu Rama bëri një sezon shumë të mirë dhe në fund kërkohej nga disa klube gjermane, por garën e fitoi Hanover. “Në atë moment pashë vërtet mundësinë se mund të luaj në elitë”, thotë Rama. Në fillim te Hanoveri ai është një lojtar formacioni, por më pas “kap” stolin. “Në fillim ishte trajner Dieter Heking, më pas erdhi Andreas Bergman e Mirko Slomka dhe shumë gjëra ndryshuan. Secili kishte një filozofi të ndryshme loje. Ishte koha kur bëri vetëvrasje edhe portieri Robert Enke dhe për ne të rinjtë ajo situatë ishte jashtëzakonisht e vështirë. Ishte e pamundur që të përqendroheshim te futbolli”, vijon Rama.
Vajadolidi Pikërisht në ato momente Valdet Rama largohet nga Hanoveri tek Orebro SK në Suedi, klub i cili në janar të 2013-ës e la të shkonte në formë huazimi te Real Vajadolidi në Primera Division në Spanjë. Këtu qëndroi për një sezon e gjysmë, por rënia një kategori më poshtë solli edhe largimin nga Spanja. “Ishte Antonio Rukavina, ish-kolegu im te Vajadolidi, ai që më sugjeroi të vija te Mynih 1860. E mora në konsideratë idenë e tij dhe ja ku jam”, tregon mesfushori i Kombëtares. Gjatë kësaj kohe jam stërvitur individualisht, por gjithsesi nuk kam qenë në formën më të mirë të mundshme. Ndihem mirë vetëm në momentin kur kam topin në këmbë”, vazhdon Rama.
Kombëtarja Edicionin e shkuar lojtari ka qenë një pikë referimi te Kombëtarja shqiptare, por ai nuk u grumbullua nga De Biazi për ndeshjen e parë kualifikuese për “Francë 2016”, ndaj Portugalisë. Gjithsesi, Rama nuk ndihet aspak i zhgënjyer. “Nuk kishte kuptim që unë të shkoja në Kombëtare, përderisa nuk kam bërë stërvitje të rregullt gjatë kësaj kohe. Në të ardhmen e di që do të jem përsëri pjesë e skuadrës”, thotë Rama, i cili shikon një kombëtare në rritje e sipër për kualifikimet e radhës. Më tej ai flet për ditët e para me fanellën e Mynih 1860. “U ndjeva si në shtëpi sapo erdha këtu. Më pëlqyen edhe stërvitjet që aplikon trajneri Rikardo Moniz. Besoj se do të debutoj këtë të premte, në miqësore, por natyrisht objektivi im është që të jem gati për ndeshjen e 14 shtatorit ndaj St.Paulit në kampionat. Deri atë ditë do jap maksimumin tim, me qëllim që trajneri të mos ketë mundësi tjetër përveçse të më hedhë në fushë nga minuta e parë”, thotë Rama.
Familja Në fund Valdet Rama tregon edhe ambientimin e shpejtë si të tij dhe të familjes. Ai është i martuar dhe ka një vajzë tremuajshe. Rama thekson se do të banojë në shtëpinë që kishte ish-lojtari hungarez i Mynih 1860, Gabor Kirali, i cili u largua drejt Londrës. “Morëm apartamentin që la të lirë Gabor Kirali. Tani ka ardhur edhe bashkëshortja ime Laura me vajzën Soraja, ndaj gjithçka shkon më së miri. E vetmja gjë mbetet një debutim sa më i mirë me skuadrën në kampionat”, përfundon Valdet Rama. Mesfushori ishte ndër ata lojtarë të Kombëtares shqiptare, të cilët, për arsye nga më të ndryshmet, iu desh të ndryshonin skuadër gjatë merkatos së kësaj vere.

Oferta nga Italia, por zgjodhi Gjermaninë
Valdet Rama, i cili ka për agjent një nga avokatët më të njohur në Itali, Federiko Frenin, gjatë ditëve të nxehta të merkatos ka qenë në “listën” e disa klubeve në Europë si: Kievo, Atalanta, Xhenova, Sasuolo në Itali, Deportivo La Korunja e Eibar në Spanjë dhe deri AEK-u i Athinës në Greqi. Megjithatë, Rama është rikthyer përfundimisht në Gjermani, pikërisht aty ku është rritur si futbollist. Fakti që Rama nuk firmosi me njërën nga skuadrat e mësipërme lidhej sa me ofertat e ulëta financiare (rroga, pasi nuk do të paguhej për kartonin, përderisa ishte lojtar i lirë) dhe me kategoritë si në rastin e grekëve, të cilët militojnë në ligën e tretë.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"