Troisi “fiksohet” pas ngjitjes: Flamurtarin nuk e ndal askush!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 9:40

Troisi “fiksohet” pas ngjitjes: Flamurtarin nuk e ndal askush!

Flamurtari llogarit vetëm fitore kundër Besës, kundërshtar që e pret sot në shtëpi. Vlonjatët nuk duan të kursejnë askënd në shtëpi, madje as skuadrën e ish-trajnerit Gugash Magani. Qëllimi i kuqezinjve është të rikuperojnë pozitat në renditje dhe futen fuqishëm në garë për ngjitjen. Këtë e thotë edhe Marcelo Troisi, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Braziliani respekton kundërshtarin, por në fund qartëson se i duhen pikët.

TROISI

“Kemi punuar gjatë gjithë javës për Besën dhe pa frikë e them se jemi gati. Vijmë me moral të lartë në këtë 90-minutësh dhe shkaku dihet. Morëm një rezultat pozitiv në Kupën e Shqipërisë dhe tashmë e vetmja gjë që duam është vazhdimësia.

Kthesa për ne nisi në Cërrik në fakt, ku fituam pastër. Ndaj, erdhi koha që të konfirmojmë veten dhe rikuperojmë pozitat në renditje.

Tani na duhet që në çdo ndeshje të japim dhe marrim maksimumin. Është forma e vetme për të arritur objektivin madhor që i kemi vendosur vetes. Duhet ta çojmë Flamurtarin ku e ka vendin, në elitën e futbollit shqiptar.

Duhet ta arrijmë me çdo kusht Superioren. E respektojmë edhe kundërshtarin e radhës, por llogaritë tonë janë të qarta. Jemi të përqendruar totalisht te kampionati dhe misioni ynë”, shprehet fillimisht Troisi, duke i mëshuar ndejshëm objektivit “Superiore”.

MANGËSITË

Trajneri sheh një skuadër në rritje. Edhe pse nuk e ndërtoi ai vetë këtë grup, braziliani thotë se po punon maksimalisht për të mbushur mangësitë.

Sipas Troisit ekipi po ndryshon, ndërsa ka pasur kohën e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen e radhës dhe për të korrigjuar problemet e evidentuara.

“Të gjithë lojtarët janë këtu për të dhënë maksimumin.

Normalisht që kemi disa gjëra që do të korrigjojmë dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur për të kapur perfeksionin. Kohën në dispozicion e kemi pasur të mjaftueshme për të punuar me mangësitë tona dhe them i kemi riparuar. Ju e dini që unë kam pak kohë që po punoj me skuadrën, ky grup më bind.

Më bind pasi të gjithë e dinë se çfarë kërkohet prej nesh, duhet të arrijmë objektivat që ka klubi dhe që presin tifozët”, përfundoi braziliani i kuqezinjve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"