“Tregojmë forcën, do ta nxjerrim ndeshjen aty ku duam”, Troisi: Askush nuk e ndal Flamurtarin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2022 | 10:30

“Tregojmë forcën, do ta nxjerrim ndeshjen aty ku duam”, Troisi: Askush nuk e ndal Flamurtarin!

Flamurtari as e men don blofin në Lushnjë. Luajnë në transfertë, por misioni “Superiore” ua ndalon zyrtarisht gabimet. Këtë e thotë edhe Marcelo Troisi, gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

TROISI

Sikletet shtohen para këtij 90-minutëshi, e megjithatë trajneri i ka gjetur zgjidhjen. Veç Andi Ribajt dhe Reinaldo Mukojt, është shtuar edhe një tjetër mungesë në sulm.

Bëhet fjalë për Xhonatan Fausto Silvera da Silva, i cili është dëmtuar. Edhe pse nuk ka vend për panik, mjekët nuk duan që ta rrezikojnë. Autori i dy golave është zyrtarisht i padisponueshëm, e megjithatë pritet që ta zëvendësojë Erik Flores.

Braziliani pritet që ta nis si titullar sot dhe “sytë” do të jenë që të gjitha tek ai.

MISIONI

Numri një i pankinës së kuqezinjve e vlerëson të vështirë transfertën e kësaj jave, por beson te vazhdimësia.

Ai e sheh edhe këtë ndeshje si provë force.

“Me Lushnjën është një ndeshje e vështirë. Luajmë në transfertë në fund të fundit, ndaj e kemi marrë seriozisht.

Por, do të kërkojmë vazhdimësinë. Pas rezultateve pozitive që kemi marrë, nuk do të ndalemi. Duam të realizojmë objektivin që kemi dhe kjo është rruga e vetme që kemi.

Shkojmë me respektin maksimal për kundërshtarin dhe për të bërë më të mirën tonë.

E dimë se nëse duam të ngjitemi në Superiore, duhet ta fitojmë. Nuk na falet asnjë gabim dhe se këtë gjë e dimë mjaft mirë. Nuk ka ekipe të lehta më, ndaj duhet që të bëjmë lojën tonë më të mirë.

Nëse kemi angazhim dhe seriozitet nga minuta e parë dhe deri në fund, do ta nxjerrë ndeshjen ashtu sikundër ne duam”, shprehet fillimisht Troisi. RRITJA Brazilian i stolit të Flamurtarit, ndalet edhe te situata në skuadër.

Ai thekson se, skuadra po ndryshon nga dita në ditë dhe se është i kënaqur nga performanca e lojtarëve.

“Flamurtari po ndryshon nga dita në ditë. Qëllim kemi që të rritemi sa më shumë. Ekipi po ndryshon dhe më pëlqen reagimi i skuadrës. Tani na mbetet të bëjmë më të mirën për të arritur objektivin”, përfundon Troisi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"