Trajneri i ri lehtëson afrimin e Grezdës, Partizani pritet të ketë shumë lëvizje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2023 | 0:04

Trajneri i ri lehtëson afrimin e Grezdës, Partizani pritet të ketë shumë lëvizje

Aktualisht Partizani nuk ka në skuadër asnjë sulmues tipik krahu dhe forcimi në këtë pozicion është padyshim objektivi i parë në merkato, që të kuqtë duhet të arrijnë për të pasur një skuadër të denjë për të konkurruar me kundërshtarët në Champions League. Tregu vendës fatkeqësisht nuk ofron shumë opsione, teksa mësohet se Eros Grezda është një nga opsionet dhe dëshirat e të kuqve.

grezda zekic

28-vjeçari nga Gjakova është një dëshirë e vjetër e Partizanit, por me ardhjen e Zekiçit pritet që tentativat të lehtësohen, pasi trajneri dhe lojtari njihen më parë. Nën drejtimin e Zekiçit tek Osijek, Grezda ka arritur të shkëlqejë në sezonin 2017-2018 dhe të shitet për plot 2 milionë euro te Rejnxhërs në Skoci. Në ditët e fundit sulmuesi i djathtë është bërë baba dhe e ka lënë mënjanë të ardhmen, por pritet që shpejt të aktivizohet dhe të flasë kokë më kokë me drejtuesit e Partizanit. Fakt është që të kuqtë janë më afër se çdokush me 28-vjeçarin, por siç dihet, merkatoja është tejet e paparashikueshme deri në momentin që vihet firma mbi kontratë.

LËVIZJET E TJERA – Aktualisht merkatoja e Partizanit është e ngrirë për shkak se pa nisur puna e trajnerit të ri dhe pa u “skanuar” skuadra nga ana e tij, nuk mund të konirmohet asgjë. Pas zyrtarizimit, pritet që të zhvillohet edhe mbledhja mes drejtuesve dhe Zekiçit, ku do të flitet konkretisht edhe rreth merkatos dhe çdo detaji tjetër. Ndërkohë, përveç afrimeve, Partizanit i duhet të menaxhojë edhe largimet.

Deri më tani janë katër lojtarë, për të cilët është mësuar se ka oferta konkrete. Bëhet fjalë për Rrapajn, Hadrojn, Matondon dhe Muratajn, për të cilët të paktën dihet publikisht se mund të largohen. Partizani deri më tani është përpjekur të rezistojë, por kjo nuk do të zgjasë shumë dhe pritet që 2 apo 3 lojtarë të largohen. Shanset më të mëdha aktualisht i kanë Hadroj dhe Rrapaj, ndërkohë që është refuzuar një ofertë nga Hatajspor për Matondon.

Në këto kushte, Partizani me siguri ka nisur lëvizjet për të gjetur zëvendësuesit e lojtarëve, të cilët janë projektuar për t’u shitur dhe për të sjellë të ardhura në klub. Sa u përket hyrjeve, Skuka dhe Sadiku janë përfolur si afrime të mundshme të paktën për Europën, por në ditët e fundit nuk ka pasur lëvizje konkrete mes palëve. Të dyja opsionet mbeten të hapura.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"