Trajneri analizë të detajuar me ekipin. Mërgjyshi “shkund” Apoloninë, kërkohen gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 16:56

Trajneri analizë të detajuar me ekipin. Mërgjyshi “shkund” Apoloninë, kërkohen gola

Pas humbjes minimale me vorakët, Apolonia ka zbritur menjëherë në stërvitje për të përgatitur ndeshjen e parë të fazës së tretë, ku fierakët do të presin krutanët në stadiumin “Loni Papuçiu”. Prag ndeshja me Kastriotin ka nisur me një analizë të shkurtër në mesin e fushës, ku stafi teknik dhe ekipi janë ndalur fillimisht te transferta ndaj Vorës.

apolonia

Trajneri Artan Mërgjyshi dhe stafi i tij kanë analizuar hollësisht paraqitjen e çdo reparti, duke kërkuar kthesën e menjëhershme. Grupi i lojtarëve fierakë do të jetë i plotë në këtë duel, ndërkohë që dhe stoli tashmë është më solid dhe më me alternativa. Trajneri Mërgjyshi ka “luksin” që të përzgjedhë formacionin më të mirë të mundshëm për krutanët. Pas fitoreve të rivalëve, si Vora, Flamurtari dhe Korabi, Apoloninë e kënaq vetëm fitorja përballë Kastriotit sa u përket shpresave për të qenë të sigurt në “play off”.

Çdo rezultat tjetër nuk do t’i hynte në punë. Artan Mërgjyshi ka qenë tej mase i fokusuar në seancën e parë stërvitore pikërisht te gjetja e golit, sepse pa shënuar, nuk fiton dot. Duhet thënë se në katër nga pesë ndeshjet e fundit, skuadra nuk ia ka dalë të shënojë më shumë sesa një gol.

HILMI SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"