Tomori merr Mihanin dhe Dostin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2016 | 19:42

Tomori merr Mihanin dhe Dostin

Meglid Mihani do të jetë futbollist i Tomorit për sezonin e ardhshëm futbollistik. Më në fund ka ardhur një goditje cilësore për teknikun Bledar Sinella që vetëm pak ditë më përpara ishte shprehur se i mungonte një “yll” në mesfushë.

mihani cota

33-vjeçari nga Kavaja ka mbërritur pasditen e kësaj të enjteje në Berat ku është bashkuar në seancën stërvitore të pasdites me Tomorin, ndërsa vetëm pak më vonë klubi beratas zyrtarizoi afrimin e mesfushorit duke bërë të ditur arritjen e akordit duke nënshkruar edhe kontratën. Mihani ka eksperiencë të madhe në kampionatin tonë, ku është aktivizuar për shumë klube.

Sezonin e shkuar mesfushori nga Kavaja u aktivizua në 12 ndeshje me Pogradecin për një total prej 916 minutash duke shënuar dhe 4 gola. Ndërkaq, duhet përmendur fakti që Mihani u afrua te beratasit para një muaji, por që më pas iu desh që të largohej për një ofertë më të mirë nga Superiorja, pikërisht nga klubi i Korabit. Por, me sa duket, lojtari nuk ka arritur të përshtatet te dibranët duke vendosur të rikthehet te Tomori.

Dosti

Ndërkaq, Tomori nuk është ndalur vetëm me afrimin e mesfushorit Meglid Mihani, pasi një tjetër lojtar cilësor është bërë pjesë e beratasve. Bëhet fjalë për 25-vjeçarin Dejan Dosti, i cili është aktivizuar në shumë klube të njohura si Kastrioti, Luftëtari, Apolonia, Dinamo apo Elbasani.

Dejan Dosti, Apolonia

Një element i tillë pritet t’i bëjë shumë punë kontingjentit të Bledar Sinellës që prej kohësh i është nevojitur një shkatërrues, rol ku luan edhe Dosti. Me këto dy afrime pritet të mbyllet edhe merkato e beratasve, pasi tashmë çdo repart është i kompletuar, duke u bazuar në fjalët e drejtuesve.

Megjithatë, zërat flasin edhe për ndonjë surprizë tjetër në ditët në vijim, por ende nuk janë bërë me dije emrat, pasi stafi teknik në bashkëpunim me drejtuesit vazhdojnë të punojnë në heshtje. Tomori sezonin e ardhshëm do të ketë objektiv renditjen në vendet e para të tabelës së klasifikimit edhe pse një gjë e tillë do të jetë mjaft e vështirë duke parë rivalitetin që ka grupi ku bëjnë pjesë beratasit.

Gjithsesi stafi drejtues dhe trajneri Sinella janë optimistë se mund ta arrijnë një gjë të tillë duke u bazuar edhe te forma që kanë treguar lojtarët deri më tani.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"