Tirana dhe Dinamo para një “semafori”, derbi i sotëm mund të vlejë sa i gjithë sezoni

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2024 | 12:54

Tirana dhe Dinamo para një “semafori”, derbi i sotëm mund të vlejë sa i gjithë sezoni

Sa vlen derbi i fundit sezonal midis Tiranës dhe Dinamos, që luhet sot, në orën 17:00, në “Air Albania”? Më shumë se tre të mëparshmit, sigurisht. Në çdo aspekt, sepse përcakton në një përqindje të konsiderueshme sa mundësi do të kenë më pas bardheblutë dhe blutë për të qenë në të famshmin “Final 4”.

DINAMO-TIRANA

Dy skuadrat vijnë me pikë të barabarta, me Dinamon që ka një ndeshje më pak dhe mund të ketë një avantazh të lehtë, por në çdo rast rezultati i këtij derbi do të thotë shumë për fatet e sezonit. Tirana nuk mund të kënaqet me Kupën e Shqipërisë, gjithmonë nëse e fiton, 4-shen e parë e do me çdo kusht për prestigjin e klubit dhe Europën.

Dinamo, e nisur pa pretendime madhore këtë sezon, ka bërë vërtet “Nëndetësen” dhe tani ka ardhur në pikën që ka çdo të drejtë të ulet në tavolinën e 4 më të mirëve pas përfundimit të 36 javëve kampionat. Pas derbit janë edhe 8 ndeshje të tjera, shumë pikë në lojë, megjithatë është lehtësisht e kuptueshme se kush fiton nesër në “Air Albania”, ia lehtëson ndjeshëm punën vetes.

Tirana dhe Dinamo duket sikur janë para një “semafori”: skuadrës që fiton i hapet drita jeshile për një rrugë të drejtë, ajo që humbet do ta ketë rrugën malore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"