Tirana, 108 trofe në 100 vjet. Bilanc i shkëlqyer, sot bardheblutë mbushin një shekull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2020 | 10:52

Tirana, 108 trofe në 100 vjet. Bilanc i shkëlqyer, sot bardheblutë mbushin një shekull

Sot është një ditë e madhe, shumë e veçantë për futbollin bardheblu. Për gjithë brezat e futbollistëve. Ata që në dhjetë dekada kanë dhënë shumëçka për skuadrën e për klubin bardherblu. Festa është e gjitha “ngadhënjimtare” edhe për tifozët e mrekullueshëm, ata që kanë elektrizuar fuqishëm me mbështetjen e tyre skuadrën dhe klubin. Skuadra e SK Tiranës mbush një shekull histori. Ky 100-vjetor e gjen Tiranën me shumë rekorde.

tIRANA

Mbi të gjitha, përfaqësimet e saj shumë dinjitoze janë trofetë e fituara që e bëjnë të shkëlqejë rrugëtimin 100-vjeçar të Tiranës. Janë plot 108 trofe të fituara në impenjimet e ndryshme kombëtare që kanë stolisur gjoksin e qindra protagonistëve. Mjafton ta shohësh më vëmendje skedën e plotë të kësaj skuadre për të kuptuar madhështinë e arritjeve të Tiranës. “Panorama Sport” ekskluzivisht rikthen në vëmendje sukseset e bardhebluve në këndvështrimin statistikor. Pasi shifrat janë gjithnjë “kokëforte” për të kuptuar dominimin në çdo veprimtari kombëtare të të gjitha skuadrave të futbollit që përfaqësojnë këtë klub me tradita të shkëlqyera. Në mënyrë fantastike përkoi që në këtë 100- vjetor Tirana të arrijë të rikthehet në “podium” duke u shpallur kampione e Shqipërisë.

Rrumbullakoset kështu plot një çerekshekulli (25 tituj kampionë) me laurimet spikatëse, nisur madje nga kampionati i parë, edhe pse tani shëmbëllen ca i largët (nga viti 1930). Ndërsa po të shtosh edhe Kupat e Superkupat bëhen mbi gjysmëshekullore (52 trofe) sukseset madhore elitare të kësaj skuadre, që gëzon reputacion të padiskutueshëm. Është kjo Tiranë e cila ka ditur të jetë mjaft ambicioze dhe në të gjitha aktivitetet e tjera futbollistike kombëtare për grupmoshat U-19 (të rinj), U-17 (paratërinj) ku ka dubluar madje shpesh sukseset e saj si kampione dhe fituese e kupës. Nga hulumtimet edhe të “epokave” të shkuara, para viteve ’70-të kur spartakiadat kombëtare konsideroheshin shumë të rëndësishme, Tirana ka arritur të “puthet” edhe me titull e medalje të arta, sikurse bashkë me zgjerimin, modernizimin e lojës magjike të futbollit, janë edhe femrat apo minifutbolli (futsalla) që njohin titujt e trofetë e tyre.

bylis tirana

Për gjithë brezat e futbollistëve në dhjetë dekada, që kanë derdhur energji e sakrifica pa fund, për tifozët e mrekullueshëm, ata që kanë dhuruar emocione të fuqishme dhe me mbështetjen e tyre kanë lartësuar emrin e traditën shumë të vyer të skuadrës dhe klubit, festa e 100-vjetorit bëhet edhe më kuptimplote. Tirana si kryeqytet i Shqipërisë, ka edhe skuadra të tjera futbolli. Madje edhe të kalibrit si Partizani e Dinamo që me arritjet e sukseset e tyre ndër vite kanë një histori më vete. Megjithëse të krijuara më vonë në kohë, natyrisht e kanë parë Tiranën, përtej rivalitetit sportiv, edhe me nderim e respekt. Ashtu sikurse me urimin për 100-vjetorin e Tiranës bashkohen edhe gjithë klubet e tjera elitare dhe të çdo kategorie tjetër në Shqipëri dhe jo vetëm… Vjet me Vllazninë e Shkodrës (themeluar më 16.02.1919), dhe këtë vit me Teutën (krijuar më 29.01.1920) dhe sot me Tiranën, edhe futbolli shqiptar ka tashmë tri skuadra “musketiere” që kanë “graduar” një shekull në historinë e tyre. Histori që në çdo kohë dhe në çdo rrethanë meriton gjithnjë… një nderim të madh.

historia e tiranes

FATMIR EFICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"