Teuta me GPS, një italian rrëfen sekretet e stërvitjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2018 | 20:15

Teuta me GPS, një italian rrëfen sekretet e stërvitjes

Në merkaton e verës Teuta nuk përforcoi vetëm skuadrën, duke u “pasuruar” me lojtarë cilësorë, të rinj dhe lojtarë me eksperiencë. Ndryshimet ishin rrënjësore, duke prekur stolin, por edhe ndryshime e afrime të bujshme në stafin teknik.

33036788_1502629456513826_5654318131582074880_n

Sot bregdetarët krenohen me dy përgatitës atletikë, Iris Selimi, i cili ka një CV për t’u pasur zili, pjesë edhe e Kombëtares së Shqipërisë, gjithashtu edhe Françesko Vitobelo. Në javën e fundit, përpara takimit me Partizanin, skuadra e Teutës është përforcuar me teknologjinë GPS. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, Vitobelo shpjegon rëndësinë e kësaj teknologjie, dobinë që ajo sjell dhe gjithashtu flet për infrastrukturën e futbollit shqiptar.

Françesko, si i gjetet “gjurmët” e Teutës dhe çfarë ju bindi të jeni pjesë e kësaj skuadre?

Gjithçka ka nisur krejt rastësisht, në Tiranë, në kursin e trajningut UEFA A. Pas formimit tim në Itali, pajisja me të gjitha licencat e UEFA-së dhe eksperiencave në disa akademi të ndryshme në Itali, vendosa të vij në Shqipëri. Këtu ritakoj Iris Selimin dhe me të lindi gjithçka, për të ardhur e për të qenë pjesë e Teutës. Ai më propozoi të jem pjesë e këtij projekti. E pranova me shumë kënaqësi dhe më pas mora aprovimin e trajnerit Shkëmbi dhe normalisht e të drejtueseve të klubit. Gjithçka ishte në një hark kohor të shkurtër, brenda këtij viti, dhe jam shumë i lumtur për këtë eksperiencë dhe që jam pjesë e një projekti kaq të madh.

Francesko Vitobello

Në Shqipëri futbolli dashurohet shumë dhe gjithmonë i kemi hedhur sytë nga shtet fqinje, si p.sh., Italia. Sipas jush, çfarë mungon dhe mund të përmirësohet në infrastrukturën e futbollit shqiptar ?

Shqipëria është një vend në zhvillim dhe ka nevojë për përmirësim në infrastrukturën e futbollit. Ekipet normalisht kanë pësuar rritje dhe kanë ndryshuar cilësinë e futbollit dhe kjo është e dukshme. Objektivi i skuadrave të Superiores është të kenë një qendër stërvitore të tyren, gjë që do lehtësonte shumë punë. Gjithashtu, kanë të nevojshme qendrat e fizioterapisë, palestrat, pra, çdo gjë që kërkon një qendër stërvitore me standardet europiane. Jam shumë optimist se shumë shpejt ekipet do të kenë kushtet e plota dhe futbolli këtu do të ketë vetëm përmirësime.

Thatë që njiheshit me Iris Selimin. Së bashku keni një detyrë shumë të veçantë, ajo e përgatitësit atletik. Si është të punosh te Teuta dhe a mendoni se i keni marrë rezultatet e punës suaj deri tani?

Me Irisin kemi një dakordësi të shkëlqyer. Ai është një person shumë i aftë dhe me shumë eksperiencë dhe kjo është në ndihmën e të gjithëve. Puna që kemi propozuar mendoj dhe besoj që është finalizuar me performancën e lojtarëve në fushën e lojës, me rendimentin që kanë treguar në çdo ndeshje. Futbollistët ndihen mirë dhe po japin maksimumin për sa u përket detyrave taktike të stafit. Në Durrës punohet në qetësi, të jepet mundësia të shprehësh më të mirën dhe ka shumë seriozitet. Këtu është e gjithë baza materiale, e nevojshme për të plotësuar të gjitha detyrat taktike dhe kjo është meritë e klubit. Dua të falënderoj klubin dhe stafin që besuan tek unë dhe që jam pjesë e tyre.

Teuta

Atëherë flasim për teknologjinë GPS. Cili është ndikimi dhe sa rezultativ është kjo teknologji?

GPS është një instrument që të lejon të monitorosh ngarkesën e jashtme, së cilës i nënshtrohet futbollisti. Është një teknologji që përdoret gjerësisht dhe masivisht në futbollin elitar dhe tani dhe ne jemi pjesë e saj. GPS lejon, nëpërmjet analizës së disa parametrave cilësore të stërvitjes, futbollistin të rrisë cilësinë e stërvitjes në terma intensiteti.

Gjithashtu, jep një “feedback” për rendimentin e lojtarit në stërvitje dhe gjatë ndeshjeve duke na ndihmuar që të rrisim sa më shumë rendimentin e çdo futbollisti dhe të ekipit në tërësi. Pra, me pak fjalë është një plus shumë i madh për ne. Besoj dhe jam i sigurt se brenda janarit, klubi ynë do të bëjë të mundur pajisjen e të gjithë lojtarëve me GPS. Punojmë çdo ditë fort për të realizuar objektin tonë, që të kapim Kupat e Europës dhe me këtë rendiment të treguar jam i bindur se do e arrijmë.

Si e shihni kampionatin shqiptar, konkurrencën që fal ky edicion?

Të them të drejtën, futbollin shqiptar e ndjek prej disa vitesh dhe me bindje të plotë them që pas çdo viti ky kampionat pëson vetëm rritje. Konkurrenca e madhe normalisht ka ndikuar dhe është një kampionat me pak diferenca dhe kjo e bën më të veçantë. Ky edicion po e tregon që konkurrenca është shumë e fortë ku në vijën e parë, për titullin kampion janë në luftë 4-5 skuadra. Është rritur niveli i futbollistëve dhe i cilësisë së lojtarëve këtu.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"