Te Vllaznia vjen Vuk, sulmuesi që ka shënuar vetëm 6 gola në pesë vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2012 | 12:31

Te Vllaznia vjen Vuk, sulmuesi që ka shënuar vetëm 6 gola në pesë vite

Te Vllaznia, ashtu siç edhe pritej, ditën e djeshme ka mbërritur për provë sulmuesi kroat, Gordan Vuk. Ironia e fatit është që ai ka shënuar 6 gola në 5 sezone që është aktivizuar, shumë pak për një sulmues të mirëfilltë. Kroati me të ardhur nuk ka humbur kohë, por i është bashkuar menjëherë grupit kuqeblu në Kalanë Rozafa, vend ky ku po zhvillojnë përgatitjet në kuadër të fazës së dytë të kampionatit. Lojtari do të testohet për disa ditë, e më pas do të jetë trajneri Rudi Vata ai që do të vendosë për të ardhmen e tij, nëse do të jetë apo jo pjesë e Vllaznisë për pjesën e mbetur të sezonit. Pas largimit të dyshes Vajushi- Sukaj, reparti i sulmit ka mbetur bosh, ndaj dhe drejtuesit e klubit shkodran po shohin alternativa në ofensivë, me qëllim që të mbushin boshllëqet. Nëse Vuk, lojtar që vjen nga skuadra Karlovaci e Kroacisë, do ta kalojë provën, atëherë mund të jetë një alternativë për sulmin kuqeblu.
Të tjerët Në këto ditë të mbingarkuara sa i përket merkatos, drejtuesit e klubit të Vllaznisë po shikojnë përmes DVD-ve edhe të tjerë lojtarë që mund të kenë në përbërje të skuadrës së tyre për pjesën e mbetur të këtij sezoni. Nga sa mësohet, krerëve shkodranë nga menaxherë të ndryshëm u është afruar edhe një lojtar kamerunas, i cili mund të vijë këto ditë për të kaluar një periudhë prove pranë kuqebluve. Gjithashtu, në Ulqin pranë ekipit do të afrohet edhe Nenad Bërnoviç, i cili është aktivizuar me ekipet e njohura si Partizani i Beogradit, Rad, Buduçnost dhe së fundmi në kampionatin iranian, me ekipin e Mes Sarcheshmeh. Për lojtarin në fjalë thuhet se është cilësor, por sigurisht përpara se ai të firmosë do të shihet gjendja e tij fizike. Ndërkohë që te kuqeblutë prurjet nuk kanë fund, teksa pritet të mbërrijë edhe një tjetër lojtar, i cili është pjesë e ekipeve të kampionatit malazez të futbollit. Bëhet fjalë për një sulmues 31- vjeçar me tepër eksperiencë, por që drejtuesit nuk e bëjnë të ditur emrin e tij. Sulmuesi malazez mësohet se mund të vijë menjëherë pasi ekipi të ketë shkuar në kampingun e vet në Ulqin, ku edhe do të zhvillojë fazën përgatitore. Mirëpo duket se merkatoja shkodrane nuk do të ndalet këtu. Kjo pasi te Vllaznia janë në pritje të tre–katër lojtarëve brazilianë, të cilët nga sa mësohet janë të tre repartet e fushës. Është përfolur se do të mbërrijnë të mërkurën në kampingun e Ulqinit, ku do të shikohen sesa të vlefshëm mund të jenë për Vllazninë, edhe për atë që tekniku Vata kërkon për pjesën e mbetur të kampionatit. Dihet se ata kanë synime, ndaj kërkojnë që të mos dalin blof në merkato, duke përzgjedhur me kujdes elementin cilësor.

Kuqeblutë, shkon në katër numri i largimeve
Me lënien e lirë të Nimanit, shkon në katër numri i futbollistëve të larguar nga Vllaznia. Vajushi e Sukaj, dyshja e sulmit dhe një nga më të suksesshmet e fazës së parë të këtij kampionati, janë larguar në drejtim të klubeve si Liteks në kampionatin Bullgar dhe tek ekipi i Pepahan në kampionatin Iranian. Megjithatë, Sukaj ende nuk mësohet ta ketë zgjidhur krejtësisht çështjen e kontratës, pasi shkodranët presin nga ana e klubit iranian vlerën prej 50 mijë eurove për kartonin e lojtarit. E deri më tani një vlerë e tij nuk është kaluar. Ndërsa dy të tjerët Danaj dhe Nimani janë lënë të lirë në kërkim të ekipeve të tjera në Superiore. Megjithatë, nuk duket se drejtuesit do të ndalen këtu. Ata mësohen se kanë piketuar të tjerë lojtarë, ku tjetrit që mund t’i vihet “fshesa” është malazezi Gavrilo Petroviç.

Te shkodranët shumë afrime, por mungojnë… firmat
Te Vllaznia, pavarësisht prurjeve të deritanishme, të gjithë janë në statusin e lojtarëve në provë. Pra me pak fjalë, mungon firma. Singbo, Da Silva dhe Moreno vijojnë të vëzhgohen nga stafi teknik, por pa u thënë asgjë konkrete sa u përket të ardhmes së tyre me ekipin e Vllaznisë për pjesën e mbetur të kampionatit. E ndërsa mbrojtësi nga Benini Singbo dhe sulmuesi nga Andorra Moreno nuk kanë bindur ashtu siç duhet drejtuesit e klubit, të cilët kanë kërkuar edhe pak kohë për t’i parë, Da Silva shpreson edhe njëherë në marrjen e një zgjidhje nga drejtuesit e Bylisit për të qenë pjesë e Vllaznisë për periudhën e mbetur të kampionatit.
ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"