Te Skënderbeu janë të bindur: Rikthehemi te fitoret, na kanë dënuar episodet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 23:53

Te Skënderbeu janë të bindur: Rikthehemi te fitoret, na kanë dënuar episodet

Skënderbeu po vlerëson maksimalisht ndeshjen e radhës në kampionat përballë Dinamos. Një ndeshje shtëpie kjo për korçarët, që veç kësaj e kërkojnë me çdo kusht të fituar, për të mos komplikuar më shumë sezonin aktual.

SKENDERBEU

Humbja e fundit me Egnatian ishte e rëndë për nga rezultati, edhe për vetë faktin se tashmë korçarët zbresin në vendin e tretë nga fundi, duke vënë në rrezik qendrimin në kategori. Kjo edhe për arsyen se ndeshjet e radhës kanë një kalendar të vështirë për bardhekuqtë. Për sulmuesin Frenklin Ahanonu, humbja e fundit erdhi si pasojë e një gabimi të vetëm gjatë gjithë takimit, teksa ai pranon nga ana tjetër se sulmi duhet të bëjë më shumë në ndeshjet e ardhshme për të arritur tek rezultatet e dëshiruara.

“Na vjen keq për humbjen sepse nga sa treguam në fushë barazimi do të ishte rezultati më i drejtë. Ishim gati të barabartë me kundërshtarin në fushë, që nuk krijoi shumë raste po ashtu si ne. Madje mund të them se rastet në total ishin të barabarta për të dy ekipet. Por ai episod, ku u treguam jo shumë të vëmendshëm na kushtoi pikët. Tani duhet të lëmë pas këtë takim sepse kemi javë të vështira përpara dhe duhet të mendojmë për to. Normalisht që ekipi është dhe kemi besim tek forcat tona, por duhet që të japim më shumë në 30 metrat e fundit. Kjo ka qënë edhe një kërkesë e vazhdueshme e trajnerit dhe duhet ta rregullojmë me çdo kusht.”- theksoi fillimisht sulmuesi i Skënderbeut.

DINAMO – I ndalur më pas te ndeshja ndaj Dinamos, sulmuesi afrikan i korçarëve e konsideron një përballje tejet të rëndësishme dhe delikate, ndaj kërkon maksimumin nga ekipi i tij. Përqëndrim dhe pragmatizëm janë kërkesat e sulmuesit kur komenton ndeshjen e radhës. “Ndaj Dinamos do të jetë një ndeshje e vështirë pasi jemi në një moment kur fitorja është detyrim për ne. Normalisht që jemi të përqëndruar për të bërë maksimumin dhe duhet të jemi sa më konkretë në fushën e lojës.

Të lemë pas serinë negative të ndeshjeve dhe t’i rikthehemi fitores, pasi luajmë në shtëpinë tonë. Kemi nevojë edhe për mbështetjen e publikut pasi me ta jemi edhe më të fortë. Diferencat mes ekipeve nuk janë të mëdha, ndaj kemi mundësi që të rikuperojmë pikët e humbura në këto tre javë që do të vijnë.”- mbylli prononcimin e tij për “Panorama Sport” para ndeshjes me Dinamon sulmuesi i Skënderbeut, Frenklin Ahanonu.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"