“Të përqendruar te ‘play off’-i, mundësi e dytë për Superioren”, Harizaj: Apolonia përsërit historinë kundër Lushnjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 16:31

“Të përqendruar te ‘play off’-i, mundësi e dytë për Superioren”, Harizaj: Apolonia përsërit historinë kundër Lushnjës

Apolonia bindi në startin e fazës së tretë, ku mori një fitore të pastër në Fier, 2-0, kundër Kastriotit. Ritmi kërkohet të mbahet edhe të shtunën në transfertën e Lushnjës. Apolonia është sigurisht pjesë e gjashtëshes së parë.

Romeo Harizaj, portieri i Apolonisë

Portieri Romeo Harizaj tregon për “Panorama Sport” objektivat sezonal të fierakëve. Ai flet edhe për ndeshjen e radhës kundër Lushnjës, që do të zhvillohet të shtunën në stadiumin “Roza Haxhiu”, në orën 14:00.

Romeo, sa e rëndësishme ishte fitorja kundër Kastriotit?

Ka qenë një fitore e rëndësishme dhe mbi të gjitha e vështirë përballë një kundërshtari që kemi pasur probleme në dy sfidat e para. Ky sukses merr vlerë të dyfishtë në pikën ku ndodhet kampionati. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë dhe më pas administruam avantazhin dhe u bëmë sulmeve të kundërshtarit. Mund të them me bindje se nuk kemi rrezikuar që të pësojmë gol, pasi kemi qenë të gjithë të përqendruar duke interpretuar me saktësi të gjitha ato që i kishim punuar gjatë seancave stërvitore për të bllokuar kundërshtarin. Jemi shumë të kënaqur dhe duam të vijojmë me të tilla paraqitje pozitive.

Mendoni se kjo fitore tregoi se Apolonia nuk duhet nënvlerësuar?

Nuk mendoj se dikush na ka nënvlerësuar, pasi është në dëm të tyre. Apolonia bëri thjesht dhe vetëm detyrën e shtëpisë, duke e vlerësuar maksimalisht dhe analizuar më së miri Kastriotin. Të njëjtën gjë kemi bërë dhe do të bëjmë në çdo ndeshje tjetër. Askush nuk do ta ketë të lehtë përballë nesh, sepse duam të kemi vazhdimësi rezultatesh.

Luani nesër kundër Lushnjës në transfertë. Sa e vështirë do të jetë dhe çfarë prisni nga kjo ndeshje derbi?

Çdo javë është shumë e vështirë në kampionat. E tillë ishte përballë Kastriotit dhe do të jetë po kaq e vështirë me Lushnjën, e më pas me Korabin, apo me çdo skuadër tjetër që do të luajmë në vijim. Ky kampionat është shumë i fortë dhe do të jetë i tillë deri në javën e fundit. Megjithatë, kjo ndeshje merr edhe një tjetër rëndësi, pasi është derbi. Dihet emocioni dhe rivaliteti i një derbi, ku pak rëndësi ka pozicionimi i skuadrave. Synimi ynë është të dalim triumfues dhe do të shkojmë atje për të treguar më të mirën tonë dhe me besim të plotë se historia do të përsëritet.

Jeni pjesë e gjashtëshes së parë. A është “play off”-i një objektiv konkret për Apoloninë?

Objektiv konkret po e po, por edhe një mundësi e dytë shumë e mirë për t’u ngjitur në elitë, ndonëse do të jetë disi më e vështirë. Jemi të përqendruar vetëm te “play off”-i, duke bërë maksimumin në çdo përballje që kemi. Të bëjmë shumë mirë llogaritë tona dhe të shohim gjithmonë ndeshje pas ndeshje.

 

Situata para derbit

Portieri Romeo Harizaj tregoi për gazetën edhe situatën në ekipin fierak para derbit me Lushnjën. “Aktualisht situata është më e mirë, sepse vijmë nga një fitore shumë e rëndësishme, që e ka rritur ndjeshëm moralin në skuadër. Jemi të qetë dhe të përqendruar, njësoj si në ndeshjen e fundit. Jam shumë i bindur se ky ekip kur luan me këtë përqendrim dhe si grup, ia del të marrë më të mirën”, u shpreh portieri Harizaj.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"