“Superiorja e fortë, Shqipërinë ma sugjeroi…”, gjeorgjiani Mate: Si erdha te Kukësi pasi i munda në 2019

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2021 | 20:08

“Superiorja e fortë, Shqipërinë ma sugjeroi…”, gjeorgjiani Mate: Si erdha te Kukësi pasi i munda në 2019

Kukësi bëri ndry shime thelbësore gjatë këtij sezoni sa i përket organikës. E një ndër lojtarët që afruan verilindorët si përforcim gjatë merkatos së janarit ishte dhe mesfushori gjeorgjian Mate Tsintsadze. Ky i fundit zyrtarisht debutoi me Kukësin kundër Tiranës për një minutë, ndërsa ndeshja e tij e parë si titullar ishte ajo kundër Teutës ku edhe shënoi gol. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 26-vjeçari tregon se si ai erdhi te Kukësi dhe zbulon se negociatat kanë nisur që në ndeshjen Kukësi-Torpedo Kutaisi, në gusht të vitit 2019- të. Mesfushori është i kënaqur që i është bashkuar Kukësit dhe ndiehet shumë mirë dhe optimist për të ardhmen, ku beson te skuadra e Kukësit.

Tsintsadze mate

Si erdhët në Shqipëri dhe kush ishte njeriu që ju solli te Kukësi?

Në ndeshjet e Kupave të Europës, mes Kukësit dhe Torpedos, isha pjesë e kësaj të fundit dhe mbas këtij takimi ishte drejtori Nexhipi dhe presidenti Gjici. Ata patën interes për mua dhe më kontaktuan. Më tej ishte dhe Irakli Dzaria, e mbas këtyre kërkesave e kontakteve, pranova të vij në Shqipëri.

Çfarë dinit për kampionatin shqiptar përpara se të vinit këtu?

Unë e njoh kampionatin shqiptar. Mendoj se është një kampionat i mirë dhe kur unë luajta kundër Kukësit, thashë që është një skuadër e mirë e në përgjithësi kampionati shqiptar është cilësor, pasi ka shumë lojtarë të mirë dhe me kualitet.

Luajtët për herë të parë si titullar dhe shënuat ndaj Teutës, çfarë menduat kur realizuat?

Kur mbërrita në Shqipëri, për t’iu bashkuar Kukësit, kondicioni im fizik nuk ishte i mirë. Megjithatë, sapo nisa përgatitjet, përparova shumë mirë. E gjithë kjo, falë përgatitësit tonë atletik dhe stafit dhe dua që t’i them faleminderit përgatitësit për këtë dhe punën që ka bërë me mua. Kur shënova isha i lumtur, por rezultati nuk ishte i mirë për ne. Unë shpresoj që ndeshja tjetër të jetë më e mirë për ne.

Cili është roli juaj i preferuar në fushë?

Roli im në fushë është të filloj të gjitha sulmet dhe të kontrolloj topin, të ndryshoj anën gjatë gjithë kohës dhe te Kukësi jam shumë komod në këtë aspekt.

Cili nga ekipet rivale ju ka bërë më tepër përshtypje?

Unë luajta vetëm në ndeshjen kundër Teutës dhe ata kanë një skuadër shumë të mirë. Gjithashtu kam parë Partizanin, Tiranën, Laçin dhe Vllazninë. Të gjitha këto skuadra kanë lojtarë mjaft të mirë dhe në të gjitha ndeshjet luftojnë shumë.

kukesi

Në cilin vend në tabelë e shikoni Kukësin deri në fund të sezonit?

Ne nuk kemi rezultate të mira në këtë moment. Megjithatë, unë e shoh Kukësin në lojë. Ne jemi skuadër që mund ta fitojmë kampionatin. Për këtë shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të shfaqim lojëra të mira, sepse të gjithë punojnë fort punojnë mirë në klubin tonë. Prandaj besoj se do të vijnë rezultatet e mira.

Sa e njihni bashkëpatriotin tuaj Irakli Dzaria, i cili ka luajtur për Kukësin dhe a e keni pyetur për këtë ekip para se të vinit këtu?

Dzaria është një nga shokët e mi më të mirë në Gjeorgji. Gjatë gjithë kohës kam folur me të kur ai dëshironte të vinte te Kukësi atëherë. E di që ai ishte lojtar shumë i mirë këtu dhe la emër mjaft të mirë në Shqipëri. Unë dua t’i them faleminderit edhe publikisht. Ai më ndihmoi të vij këtu. Gjithashtu dua të falënderoj shumë presidentin Gjici dhe Nexhipin, të gjithë shokët e ekipit dhe të gjithë stafin. Që nga dita e parë kur erdha këtu, të gjithë njerëzit më ndihmuan dhe ndiej që jam në si në familjen time. Unë do të bëj gjithçka për të ndihmuar klubin dhe për të shkuar në Europë. Shpresoj se gjithçka do të shkojë shumë mirë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"