Sulovari: Lushnja ka grup të mirë, me Kastriotin luajmë vetëm për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2024 | 22:52

Sulovari: Lushnja ka grup të mirë, me Kastriotin luajmë vetëm për fitore

Lushnjarët janë në fazën përmbyllëse të përgatitjeve në kuadrin e ndeshjes me Kastriotin, që do ta luajnë të dielën në Fushë-Krujë. Skuadra kërkon më shumë nga vetja në pjesën e dytë të sezonit. Lushnjarët kanë zhvilluar një gjysmë cikli përgatitor në Divjakë, ndërkohë që gjatë merkatos së dimrit kanë realizuar edhe gjashtë afrime të reja.

sulovari lushnja

E kanë nisur me një barazim në shtëpi ndaj Tomorit e më pas fituan në Luz, si dhe humbën në shtëpi ndaj Bylisit. Tashmë skuadra e Maganit po përgatitet për ndeshjen e radhës, në transfertë me Kastriotin. Në një prononcim për “Panorama Sport”, një nga afrimet e merkatos dimërore, mesfushori Henri Sulovari u shpreh: “Skuadra është maksimalisht e përqendruar. Kjo ndeshje i vlen shumë ekipit, sidomos nga ana morale. Mendoj se kemi grup të mirë, por duhet të kemi pak stabilitet sepse kemi shumë ulje-ngritje. Nuk kemi mungesa për Kastriotin. Rikthehen edhe lojtarët që ishin me kartonë për ta pasur të plotë grupin për këtë ndeshje.

Kastriotin e vlerësojmë maksimalisht. Ka ekip shumë të mirë. Pavarësisht se edhe Kastrioti nuk pa kalon një gjendje të mirë, duhet thënë se kanë një ekip cilësor, për aq sa unë i kam ndjekur”. Pas humbjes në shtëpi me Bylisin, në transfertë me Kastriotin lushnjarët presin një rezultat të mirë. “U mërzitëm pak nga humbja me Bylisin. Provuam të bënim lojën tonë.

Pavarësisht humbjes, nuk është se luajtëm keq. Por Bylisi nuk është kot aty në vend të parë, e ka merituar. Kastrioti? Unë e kam thënë që kur kam ardhur këtu, në çdo ndeshje do të hyjmë për tri pikë. Duhet të japim maksimumin, pastaj çdo gjë mund të ndodhë. Futbolli i pranon të tria rezultatet”, deklaroi mesfushori 21-vjeçar, Henri Sulovari.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"