Suksesi në derbi i Flamurtarit, Troisi: Sa u kthyem në sulm, erdhën golat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2022 | 21:04

Suksesi në derbi i Flamurtarit, Troisi: Sa u kthyem në sulm, erdhën golat

Marcelo Troisin e kënaqin tri pikët në derbi, por tani kërkon vazhdimësinë. Ai e kishte parashikuar një sfidë të vështirë dhe kështu ngjau, derisa skuadra vetëm në pjesën e dytë gjeti golat. Trajneri i Flamurtarit evidenton se e vështirë iu bë pak edhe prej dëmtimeve, e megjithatë rëndësi ka që ia dolën.

TROISI

“E kisha thënë edhe përpara kësaj ndeshjeje, që do të ishte e vështirë dhe në fakt kështu ndodhi. Nuk ishte aspak e lehtë përballë orikasve. Në pjesën e parë, lojtarët ishin pak të lodhur. Më duhet ta pranoj se pak i kushtuam rëndësi mbrojtjes dhe u treguam të kujdesshëm. Por bënë të vetën edhe dëmtimet.

Pas pushimit pastaj luajtëm në sulm dhe ndryshuam tërësisht. Jam i kënaqur edhe me lojtarët që u aktivizuan në pjesën e dytë, pasi luajtën mirë. Dihet objektivi që ne kemi dhe ai është Superiorja. Jemi në rrugën e duhur, por nuk duhet të ulim ritmin. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne si brenda edhe jashtë fushës sonë. Në çdo takim duhet të marrim pikë. Ne futemi në fushë vetëm e vetëm për maksimumin.

Tani do të mendojmë për të radhës. Kalendari rezervon përballje me Skënderbeun dhe kemi një javë në dispozicion për të punuar. Do të bëjmë më të mirën gjatë përgatitjes së ndeshjes së radhës, pasi qëllimi do të mbetet i njëjtë edhe për këtë duel”, u shpreh braziliani i stolit të kuqezinjve.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"