Strama-Inter, fitore mes drithërimash ndaj Xhenoas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2012 | 9:28

Strama-Inter, fitore mes drithërimash ndaj Xhenoas

INTER – XHENOA  5-4
GOLAT: Milito 13′, 27′, 85′ (p), Samuel 38′, Zarate 74’/ Moreti 47′, Palasio 59′ (p), Xhilardino 80′ (p), 90′ (p)
INTER (4-3-3): Hulio Sezar; Zaneti, Lusio, Samuel, Kivu; Poli, Stankoviç (Guarin 60′), Kambiaso; Zarate (Kastelaci 80′), Milito, Forlan (Obi 75′). Trajner: Andrea Stramaçoni.
XHENOA (4-3-3): Frei; Mesto, Karvajo, Kaladze, Moreti; Biondini (Jorkera 82′), Velozo (Jankoviç 46′), Beluski; Skuli, Xhilardino, Palasio. Trajner: Paskuale Marino
KARTONË TË VERDHË: Poli 62′, Lusio 89’/ Moreti 41′, Jankoviç 62′, Palasio 78′, Mesto 88′
K.TË KUQ: Hulio Sezar 79’/ Beluski 84′
ARBITËR: Paolo Valeri

Nëse, kur Samuel shënoi golin e 3-të, Andrea Stramaçoni pati dyshimin se suksesi ishte shumë i lehtë, pjesa tjetër e ndeshjes ia hoqi të gjitha iluzionet. Debutimi i tij u shënjua nga nëntë gola, katër penallti, një karton i kuq dhe tre tentativa përmbysjeje që dështuan. Takimi ka përfunduar 5-4 për Interin, dhe në fund kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi. Zikaltrit nuk fitonin në “San Siro” në kampionat që nga data 22 janar (2-1 me Lacion) dhe i pari nga nëntë misionet e trajnerit të tretë sezonal mund të quhet i suksesshëm. Gjithsesi, fitorja me shumë gola nuk duhet të ngjallë shumë shpresa, pasi janë edhe ato të katër të pësuar.
Nis përmbysja Nga tre golat zikaltër të pjesës së parë, është ai i shënuar në fillim që mbante vulën e epokës së re “Stramaçoni”. Në minutën e 13-të është parë një aksion i vërtetë, me Kambiason që në një kontrast arrin t’i shërbejë Zarates. Argjentinasi pason gjerë në të majtë për Forlanin, i cili kroson duke gjetur Militon “të vetmuar”: 1-0 për vendësit. Interi përdor më shumë krahët, Forlan dështon golin e dytë pas një krosimi të Zarates, por dyfishimi i rezultatit vjen nga qendra. Në minutën e 27-të është Lusio që nis topin nga zona e rreptësisë zikaltër, Kaladze gabon duke hapur një autostradë për Militon, i cili nuk ndalet as nga Frei dhe dyfishon. Trisi vjen pas zhvillimeve që pasuan një goditje nga këndi: goditja kthehet pas, Lusio ndjek topin në të djathtë dhe bën një krosim të fortë në mes. Është Valter Samuel, ai që e çon topin në rrjetë. Edhe në këtë moment, mbrojtja e Xhenoas është tejet e zhbalancuar. Moreti realizon hakmarrjen personale në kohën shtesë, duke çuar në rrjetë një roveshatë të Skulit.
Episodet Duket si një episod në suksesin e Interit, por në fillim të pjesës së dytë episodet bëhen dy, me Zanetin që stopon me dorë një goditje me kokë të Skulit. Palasio transformon penalltinë në gol, “San Siro” fillon të dridhet. Por është Zarate, i cili me një goditje ndërsa rrotullohej, duket se do t’i mbyllte hesapet. Megjithatë nuk mbaron me kaq. 2 penallti për Xhilardinon (karton i kuq për Hulio Sezarin), të bashkuara me atë të Militos (tripletë personale e argjentinasit që nuk feston) i mbajnë të gjithë në ankth deri në minutën e 90. Tentativat e përmbysjes nuk janë konkretizuar kurrë dhe Marino tani rrezikon të vuajë inatin e Preciozit. Jo për humbjen, por për qëndrimin e mbrojtjes që ka lënë shumë hapësira dhe për një sulm që ka vështirësi për të shfrytëzuar dhuntitë e mëdha të Palasios.
Interi i ri Interi debuton me një 4-3- 3 të mirëfilltë, me lojtarët e krahut që avancojnë edhe në fazën mbrojtëse. Ndryshon sistemi, jo lojtarët: ish-trajneri i të rinjve nuk heq dorë nga senatorët, madje rigjen edhe Zaraten. Risia tjetër është debutimi i Guarinit, që mund të konsiderohet më se pozitiv. Përshtatja e kolumbianit është ndoshta lajmi më i mirë. Aktualisht zikaltrit janë në vendin e 7-të me 44 pikë.

Stramaçoni: Fitorja e të gjithëve, Morati entuziast
Andrea Stramaçoni ka komentuar fitoren e Interit ndaj Xhenoas në ditën e debutimit të tij në pankinën zikaltër: “Fitorja është shumë e rëndësishme, presidenti më tha se donte të zbavitej, ndoshta kjo ishte pak e tepërt… Në fund të ndeshjes ishte me ne në dhomat e zhveshjes, ishte entuziast dhe ne ndihemi njësoj si ai. Në pjesën e parë bëmë një paraqitje shumë të mirë, e vumë ndeshjen në binarët e cilësisë. Nuk është se i kam zbuluar unë këta lojtarë, por më pëlqeu pjesa e parë e takimit dhe më erdhi keq për golin që pësuam në kohën shtesë, – ka theksuar trajneri i zikaltërve. – Nuk kam bërë asgjë gjatë këtyre ditëve, vetëm kam punuar në fushë nga dita e martë deri më sot (dje). Ishte fitorja e grupit, të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre, Hulio që ka dashur të ishte në fushë me çdo kusht, Kivu që ka luajtur në të majtë, Dejan që ka luajtur një pjesë e gjysmë në mënyrë të mrekullueshme, Guarin që debutoi. Është fitorja e të gjithëve. Nga e marta do të mendojmë për ndeshjen e radhës”. Më pas Stramaçoni ka shtuar: “Kam biseduar me Forlanin gjatë kësaj jave, është një futbollist i rëndësishëm, ka shkruar historinë e klubeve në të cilat ka luajtur. Ka dëshirë të japë maksimumin. Edhe ai edhe Zarate kanë zhvilluar një ndeshje të madhe. Fjalët e Moratit para ndeshjes? Nëse unë bëj një punë të mirë, do të thotë që do fitojmë në Kaljeri të shtunën e ardhshme… Presidenti më ka dhënë një mundësi të madhe, me siguri ka parë të rinjtë dhe ka krijuar një ide për mua. S’kam shkop magjik, por dua të bëj mirë. I thashë arbitrit: sa i pafat që jam, 3 penallti kundër në shtëpi që në ndeshjen e parë, dhe ai filloi të qeshë”.

Zaneti, elozhe për trajnerin
“Mesa duket isha shumë afër…, por e rëndësishme është që fituam”. Ky ka qenë komenti i Havier Zanetit pas suksesit me Xhenoan, duke folur për penalltinë që është vërshëllyer në favor të kuqebluve, pas prekjes së paqëllimshme të topit me dorë nga ana e tij. “Kemi punuar shumë gjatë kësaj jave, me një trajner që na ka risjellë entuziazëm dhe dëshirë për të rifilluar. E rëndësishme është që patëm reagim, edhe pse ka ende shumë gjëra për të korrigjuar. Gjithsesi, mendoj se mund të jemi të kënaqur. Stramaçoni? Është njeri i zoti, kemi folur shumë me të. Renditja? Për fat të keq, kualifikimi në Evropë nuk varet vetëm nga ne, do përpiqemi të bëjmë maksimumin tonë”.

“Na duhej ky sukses në shtëpi”
Autori i tre golave të ndeshjes së çmendur me Xhenoan, Diego Milito, ka komentuar fitoren e Interit për mikrofonat e “Sky”: “Jemi të kënaqur, kishim nevojë për këtë fitore në shtëpi. Duhej, jemi me të vërtetë të lumtur. Çfarë ka sjellë Stramaçoni? Ka rikrijuar entuziazëm, kur ndryshon trajneri të gjithë kanë dëshirë të bëjnë paraqitje më të mira. Edhe me Ranierin donim ta bënim një gjë të tillë. Ne përpiqemi të bëjmë gjithnjë atë që na kërkon trajneri. Stramaçoni është i ri, por i ka idetë e qarta. Vendi i tretë? Jemi shumë larg, kjo është e vërteta. Tani të mendojmë për ndeshjen e ardhshme, më pas do shohim”.

Morati skarcon Bielsën
Presidenti i Interit, Masimo Morati, ka bërë një koment përpara ndeshjes me Xhenoan lidhur me vendimin që ka marrë për t’ia besuar skuadrën Andrea Stramaçonit: “Besoja se ai vendim ishte i duhuri, Stramaçoni po bënte një punë shumë të mirë me të rinjtë, duke lënë mënjanë fitoren në kompeticionin evropian. Është disi rrezik dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë. Besimi lind nga fakti se është e domosdoshme që të bëhen paraqitje të mira, edhe pse është e qartë që kjo gjë varet nga futbollistët. Nëse Stramaçoni do të kishte sukses, do më kursente një sërë problemesh. Bielsa? Sapo ua ktheva përgjigjen”.

Zarate: Më mungonte besimi
Mauro Zarate ka shënuar një gol shumë të bukur, i pari për të në Serinë A me Interin. “Goli? Është ajo që duhet të bëjnë futbollistët. Tani kam më shumë besim, trajneri e ka bërë këtë gjë për mua, ishte pikërisht ajo që më mungonte. Më kanë mjaftuar 3 ndeshje të trajnerit për të më ndryshuar psikologjikisht. Gjatë kësaj jave gjërat kanë ndryshuar, kjo shihet edhe në fushë. Isha gati të luaja një ndeshje, e dija që do të vinte edhe momenti im, – ka theksuar sulmuesi argjentinas. – Stramaçoni ka biseduar me mua dhe më ka treguar besimin e tij. Ndihem mirë në atë rol, s’ka rëndësi nëse luaj në të majtë apo në të djathtë”.
Përgatiti: KLEJDA HOXHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"