Statistikat në favor, Kukësi buzëqesh në fundvit. Ndeshjet e dhjetorit, ekipi me precedentë pozitivë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2023 | 15:30

Statistikat në favor, Kukësi buzëqesh në fundvit. Ndeshjet e dhjetorit, ekipi me precedentë pozitivë

Kukësi shpreson rikthimin te fitorja në ndeshjen e fundit të vitit, teksa ditën e nesërme do të udhëtojë në transfertën e Laçit. Një kundërshtar që ia ka dalë ta mundë në pesë takimet e fundit, duke bërë që të vijnë me një moral më të lartë në këtë sfidë. Gjithsesi, çdo 90-minutësh është një histori më vete dhe shpeshherë këto shifra nuk vlejnë para asaj që do të japë skuadra në fushë.

KUKESI

Fakti që vijnë pas shtatë takimesh radhazi që nuk marrin tri pikët, në njëfarë mënyre i vë nën presion blutë e Stavri Nicës që të tentojnë të marrin maksimumin ditën e nesërme.

NDESHJA E FUNDIT –

Si për ironi të fatit, Kukësi e pret kthesën pikërisht në ndeshjen e fundit të vitit dhe më pas të marrë pushimet e shkurtra të dimrit. “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim situatës së klubit me javën para pushimeve dimërore në këto 11 vite që skuadra është pjesë e elitës. Dhe, të dhënat janë premtuese, pasi kuksianët kanë një bilanc pozitiv pikërisht në ndeshjen e fundit të vitit. Thuhet kështu, teksa nga 11 takimet e zhvilluara, blutë kanë arritur të fitojnë pesë prej tyre, barazuar tri dhe humbur tri.

Peshorja anon nga fitoret dhe tregon në njëfarë mënyrë që klubi arrin t’i motivojë si duhet futbollistët në ndeshjen e fundit të vitit, duke mos e pasur mendjen te pushimet para kohe. Më interesantja është se edhe vitin e kaluar, ndeshja e fundit ka qenë pikërisht ndaj Laçit, të cilët blutë kanë arritur ta fitojnë me rezultatin 1 me 0. Megjithatë, duhet thënë se këtë vit situata është paksa më ndryshe, sepse Kukësi nuk ka më atë skuadër që kishte pretendime të mëdha dhe hynte gjithnjë si favorit në fushë. Tani, në Kukës duan të paktën të arrijnë qëndrimin, ndaj edhe luhatjet në rezultate kanë qenë të mëdha.

GJENDJA –

Për fat të mirë, në ndeshjen me kurbinasit, pritet që Stavri Nica të mos ketë mungesa “ekstra” nga ato që tanimë dihen, siç janë sulmuesit Atdhe Rashiti apo Sebastian la Torre, që presin hapjen e merkatos për të sinjalizuar largimin me kompromisin e klubit, pasi janë ende nën kontratë me ta. Skuadra është në formë të mirë edhe në aspektin psikologjik, sepse në fushë ekipi prodhon dhe luan futboll dhe për këtë arsye optimizmi për të dalë me tri pikë nga ndeshja me Laçin nuk mungon.

kukes

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"