Stafi teknik u kënaqet rikthimeve, Rashiti mbetet ende enigmë te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2023 | 12:40

Stafi teknik u kënaqet rikthimeve, Rashiti mbetet ende enigmë te Kukësi

Kukësi shpreson t’i japë fund ecurisë së javëve radhazi pa fitore në kampionat, sepse gjithnjë e më shumë po rrezikon të jetë sërish në zonën e rënies nga kategoria. Edhe pse barazimi me Teutën mund të qëndrojë, sepse luajtën më shumë se një pjesë loje më 10 lojtarë, fakti që luanin në shtëpi cilësohen si dy pikë të humbura.

kukesi

Për këtë arsye, blutë shpresojnë të rikuperojnë gabimet në shtëpi me një ndeshje transferte ose më saktë në fushë asnjanëse, siç është ajo me Erzenin që luhet në Rrogozhinë. Vetëm tri pikët do të rikthenin në njëfarë mënyre edhe qetësinë në kampin verilindor, për më tepër që bëhet fjalë për një rival direkt dhe pikët kanë vlerë dyfishe.

SITUATA ME RIKUPERIMET – E vetmja gjë për të cilën mund të kënaqet trajneri Stavri Nica para kësaj ndeshjeje është situata me dëmtimet, e cila mesa duket po lihet pas krahëve. Pas rikthimit me kohë të plotë të mesfushorit nigerian Daniel Momoh pas një pauze të gjatë pushimi, Kukësi i gëzohet ndeshjes ndaj shijakasve edhe rikthimit të mesfushorit nga Mauritania, Abdou Mbarak.

Bëhet fjalë për një nga shtyllat në qendër të fushës, i cili në përballjen me Teutën luajti shtatë minuta në fund dhe pak e nga pak po kap formën e tij më të mirë. Mbetet për t’u parë gjatë këtyre ditëve kontingjenti fizik i 24vjeçarit dhe nëse do të jetë i gatshëm plotësisht do të ishte një ndihmë e madhe për ekipin.

Për fat të keq vijon të mungojë Françesko Hasaj për një dëmtim të rëndë të pësuar pak javë më parë, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës duket në rregull sa i përket anës fizike.

MUNGESAT – Ndaj shijakasve një mungesë është e sigurt, ajo e Franci Lalës për shkak të kartonit të kuq të marrë me Teutën dhe i duhet të bëjë një javë stop për të shlyer pezullimin. Për fat të mirë nuk ka probleme të tjera me kartonët dhe lojtarët do të jenë të gatshëm për ekipin.

Sa i përket Atdhe Rashitit, gjasat janë që të mos jetë as për sfidën ndaj shijakasve këtë javë, ku siç dihet është pezulluar nga klubi pas ultimatumit të vendosur nga trajneri pas ndeshjes me Skënderbeun.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"