Vllaznia-Besa, 38 vite më parë bëhej nami për një kupë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2019 | 18:53

Vllaznia-Besa, 38 vite më parë bëhej nami për një kupë

UVIL ZAJMI

Në vijim të ciklit “Kur kanë gabuar dhe nuk kanë gabuar arbitrat”, në këtë numër të “Panorama Sport”, do të flasim për një ndeshje me histori të veçantë… Do të flasim për ndeshjen e vitit 1981, qershor, në “Vojo Kushi” të Shkodrës. Luhet finalja e dytë e Kupës së Republikës, Vllaznia-Besa. Ngacmimin për t’u informuar ma dha libri “Besa e Kavajës, një histori” e gazetarit të njohur kavajas, Fatmir Efica, kur për edicionin e Kupës të vitit 1981, shkruan: “Me shkodranët në Kavajë, Besa fitoi 2-1, por në Shkodër, edhe pse udhëhoqi 1-0, ndëshkohet pa të drejtë nga një gjykim tendencioz, i cili anulon edhe një gol tjetër dhe i dha Besës fatin e hidhur të një humbjeje të paparashikuar 1-5”.

besa e kavajes kazazi i ulur i pari nga e majta copy

Gjithçka nis me golin e dytë të shënuar nga Besa, për të vijuar me atë çfarë ndodhi pas anulimit të tij. Nga 2-0 për kavajasit, arbitrat anuluan golin e dytë dhe rifilluan lojën kur disa nga lojtarët ndodheshin jashtë fushe duke festuar. Në harkun e pak minutave, shifrat ndryshojnë dhe përmbysen në 2-1 për vendësit. Një situatë kaotike dhe konfuze në fushë, shoqëruar me protestat e lojtarëve, sfida gjithsesi vijoi. Ndërkohë që futbollistët kavajas i kishin “braktisur” ato fundminuta dramatike, bashkë me ceremoninë. Si e kujton Naim Kazazi, sot 65 vjeç, momentin kur shënoi golin historik, anulimin e tij dhe rifillimin e befasishëm të lojës nga arbitri Arsen Hoxha, ndërsa lojtarët nga gëzimi, ishin ende duke u përqafuar.

Si i rikthen Bashkim Tufa, gazetari i njohur i gazetës “Sporti”, dy ndeshjet, minutën fatale në veçanti dhe çastin e golit kavajas që e ka parë “live”. Si FSHF pas një mbledhjeje të gjatë e arkivoi në heshtje atë çfarë ngjau në fushë, një finale ku kanë qenë të pranishëm gazetarë, radio e telekronistë, si dhe drejtues, anëtarë të kryesisë të federatës, të caktuar për organizmin përmbyllës të saj.

faqja e pare e sportit pas finales copy

Besa, finalet dramatike, sa afër dhe larg trofeut!

Besa e Kavajës deri në vitin 1981 ishte 4 herë finaliste e Kupës së Shqipërisë, por të gjitha i kishte humbur. Lojëra të bukura, rezultate surprizë, kohë shtesë dramatike dhe minuta fatale që ia kanë hequr nga dora trofeun. Sezoni 1963, prill, 17 Nëntori-Besa 2-3 në Fushën e Qytetit të Nxënësve dhe Besa 17 Nëntori 0- 1. Luhen shtesat dhe pastaj seria e 5 penalltive legjendare, që me shifrat 3-5 fitojnë tiranasit, kur i paharruari Ali Mema në rolin e portierit priti tri gjuajtje të kavajasit Rexha.

Edicioni 1972: Besa-Vllaznia 2-0 (87’ Qerolli, 89’ Kashami) në Kavajë dhe 0-2 (Rragami 11m në 31’ e 54’) në “Vojo Kushi”. Nuk ka ndryshim në shtesë dhe nga pika e 11m, me shifrat 5-3 fiton Vllaznia që merr kupën me 7 penalltitë e realizuara nga i pagabueshmi R.Rragami përballë Feshtit dhe N.Merhorit që gaboi dy herë kur në portën e shkodranëve ishte P.Ndoja. Një sfidë që kujtohet për pretendimet qytetare kavajase për arbitrimin e R.Pregjës. Pas finales së 72-shit, kjo do të ishte e dyta midis tyre me një fund plot polemika që e shoqëruan postsfidën, sërish pas një vërshëllime e vendimmarrje të gjyqtarëve.

Trofeu i sezonit 1981

Në garën për Kupën e Shqipërisë skuadrat ndaheshin në katër grupe me katër secili. Në raundin e dytë, luajnë Besa-17 Nëntori 0-0 në të parën dhe sërish 0-0 edhe pas 2×30 shtesë në të dytën. Kur Kollçaku shënoi autogol në min 113’ u mendua se do ta çonte 17 Nëntorin më tej, por nuk ndodhi kështu pasi disa sekonda para përfundimit të 120-minutave, Besa kishte rezervuar gjuajtjen e fortë të Mullaliut për të barazuar 1- 1 në “Qemal Stafa” dhe siguroi kalimin në gjysmëfinale.

arsen hoxha copy

Vllaznia ndërkohë kishte eliminuar Dinamon pas rezultatit 3-1 në Shkodër, me tre gola të Grudës. I pari ishte vërtet i veçantë, sepse u shënua nga 25 metëra distancë. Turi i tretë, ai gjysmëfinal më 6 dhe 10 maj, luajnë Besa-Labinoti dhe Vllaznia-Flamurtari. Më 10 dhe 14 qershor, Besa-Vllaznia (ndërkohë Partizani ishte shpallur kampion) do të jenë në finalen e madhe.

Me rezultatin e përgjithshëm 6-3 (2-1, 1-5), shkodranët marrin trofeun, i katërti në historinë e klubit (65’, 72’; 79’, ’81), me 4 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje. Më shumë në këtë edicion realizuan Gruda i Vllaznisë e Metani i 17 Nëntorit, 6 gola secili. Një finale me kaq gola ishte regjistruar vetëm në edicionin e parë Partizani-17 Nëntori 5- 2 dhe në të 14-in, Partizani-Vllaznia 4-3. Ndeshjet e tjera, për vend 3-4, Labinoti-Flamurtari 1-2/1-5; vendet 5- 6, Lokomotiva-Naftëtari 0-0/2-0; për 7-8, 17 Nëntori-Dinamo 3-1/4-1, etj…

faqja e sportit ku flet per dy finalet copy

8 prill, kampionat, Vllaznia-Besa 2-2

Pa e ditur se do të ndeshen në finalen e Kupës, në javën e 21-të të kampionatit kombëtar, dy pretendentëve të trofeut iu parapriu një ndeshje që u mbyll 2-2, e luajtur në Shkodër. Ishte një barazim spektakolar me gola dhe emocione, ku skuadrat aktivizonin:

Vllaznia: Kushe, Pali, Çanga, Bizi, Dedja, Rragami, Hafizi, Borshi, (Axhani), Vukatana, Gruda, Luçi.

Besa: Arkaxhiu, Dupi, Allaj, Karriqi, Xhihani, Pagria, Mullaliu, Idrizi, Shtini, (Kollçaku), Bajaziti, Kazazi.

Gjyqtarë: P. Bukovikui.

Golashënues: Bajaziti 62, 77 / F. Rragami ’81, Hafizi ‘86.

Renditja:

Partizani 31 pikë
Dinamo 28
17 Nëntori 25
Besa 21
Luftëtari 21
Flamurtari 21
Vllaznia 20

Bajaziti kryeson me 12 gola, Zëri i Dinamos me 10, Luçi i Vllaznisë me 8, Metani, Skuro, Murati e Fagu me 7, etj.

“Kupa, finalja e parë, nga Kavaja 2-1…”

Ky është titulli i të martës 16 qershor 1981, kur në një shkrim të “Sportit” që flet për të dyja takimet, pa autor, por “Korres i Sportit”, me një titull Vllaznia për të katërtën herë, jepet një kronikë për të dyja takimet finale. “Stadiumi i Besës së qytetit të Kavajës, të mërkurën më 10 qershor ishte i mbushur plot e përplot.

Besa: Arkaxhiu, Dupi, Allaj, Karriqi, Xhihani, Cela, Pagria, Idrizi, (Mullaliu), Shtini, Kollçaku,(Kazazi), Ramiçi.

Vllaznia: Kushe, F. Rragami, Bizi, Duraj, Dedja, Vukatana (Jera), Hafizi(Vaso), Borshi, Paçrami, Gruda, Luçi.

Gjyqtarë: H. Kuka kryesor dhe F. Morina e M. Petrela anësorë

“Vetëm pas minutës së 28-të në një kundërsulm të shpejtë, një kombinim midis Çelës, Pagrisë e Shtinit, që futet në një duel shpejtësie me portierin Kushe, duke dalë fitues dhe goditur topin që përshëndet rrjetën dhe 1-0 për Besën. Pas 13 minutash, Vllaznia barazon. Ishin disa manovrime individuale të Hafizit në krahun e djathtë, ku krosimi i tij gjen Grudën të lirë, që nuk ngurron të barazojë. Aktivizimi i Mullaliut, i vetmi nga finalja e ’72, dhe i Kazazit bëjnë që loja e Besës të jetë më e qartë. Mullaliu në min 76 shënon brenda zonës. Me këtë rezultat Besa do të shkojë në Shkodër, ku të dielën do të luajë betejën e saj të dytë për Kupën…”, shkruhej në artikull.

Naim Kazazi bashkë me Mullaliun copy

….në Shkodër 5-1.

Në vijim të shkrimit të Korresp-it të Sportit, lexojmë: “Në një ambient të tillë po aq festiv si në Kavajë, më 14 qershor përballë njëra-tjetrës. Episodet dhe rastet për të shënuar nuk mungojnë. Dhe vjen kështu minuta e 43-të. Ishte një kundërsulm i shpejtë i kavajasve me protagonist Shtinin: Vërshimi i tij nga e majta, kalimi i topit në qendër, finte e Kazazit dhe Mullaliu nga prapa nuk e ka të vështirë të shënojë. Pra, 1-0 për Besën. Epërsia e Besës dhe loja e saj e mirë vazhdon edhe në fillim të pjesës së dytë.

Por, në një kundërsulm të shpejtë, Luçi shënon dhe 1-1. Pa kaluar as një minutë, Hafizi me kokë brenda zonës së rreptësisë shënon për së dyti dhe 2-1 për Vllazninë. Tani gjithçka flet për Vllazninë. Loja e saj është impulsive e lirshme, plot dëshirë dhe ka arritur në lartësitë e njohura të saj. E kundërta me Besën, tashmë loja e saj ka pësuar një rënie të ndjeshme. Paniku dhe tensioni nervor kanë bërë që ajo të mos njihet më, madje të vejmë në dyshim a ishte ajo që luajti aq mirë në pjesën e parë.

Në fushë duket që luan vetëm Vllaznia, e cila flet me gjuhën e golit që nuk do të mungonin të vinin me radhë. Në të 78’ është Gruda, që e ngre në 3-1 rezultatin dhe 4 minuta më vonë është Hafizi që shfaqet si golashënues, i cili pasi ka dribluar disa mbrojtës dhe portierin Arkaxhiu i dhuron një gol të bukur Vllaznisë dhe 4-1. Në 85’ do t’i vinte radha Durajt të shënonte për ngjyrat e ekipit të tij dhe të fiksonte rezultatin përfundimtar të takimit që i dhuronte kupën për të 4-n herë skuadrës shkodrane. Ishte ky një sukses i arritur, jo vetëm nga 11-shi i aktivizuar, por edhe i trajnerëve Medin Zhega e Esat Rakiqi. Edhe Besa nuk mbeti pas. Interpretimi i saj ishte i denjë, por këtë herë e “goditën” “kapriçot” e futbollit. Dhe një finale e tillë kaq dramatike do të mbesë e pashlyer për të, një mësimi paharruar”.

14 QERSHOR 1981, SHKODËR, STADIUMI “VOJO KUSHI”

Golat: Mullaliu/ Luçi, Hafizi (2), Gruda, Duraj

Vllaznia: Kushe, F. Rragami, Çanga, Bizi, Dedja, Borshi, Hafizi, Duraj, Vukatana, Gruda, Luçi.

Besa: Arkaxhiu, Dupi, Allaj, Karriqi, Xhihani, Ramiçi (Idrizi), Pagria, Çela, Kazazi, Mullaliu, Shtini.

Gjyqtarë: A. Hoxha, K. Pogaçe, T. Kastrati anësorë

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"