Viti 1950, zbulohen 6 skuadra me emrin “Partizani”!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2019 | 20:42

Viti 1950, zbulohen 6 skuadra me emrin “Partizani”!

BESNIK DIZDARI

BESNIK-DIZDARI

Duke vazhduar me pjesën e tretë të kësaj historie të pangjashme të Kupës së Shqipërisë, zbulimet janë vërtet krejt të pazakonta. Sigurisht, e kam ditur se dikur kemi pasur më shumë se një Dinamo e më shumë se një Spartak. Por, nuk e paskam ditur se një herë paskemi pasur jo një Partizan, por disa Partizanë. Plot 7 skuadra me emrin “Partizani”!

Kështu, në këtë vazhdim të “zbulimeve” për historinë e edicioneve të Kupës së Shqipërisë në këtë 80-vjetor të themelimit të saj, viti 1950 është më i çuditshmi. Dhe ndoshta ky është një nga zbulimet më të rralla në historinë e Kupës. E pra, kujt donte t’i përngjante kjo Kupë e Shqipërisë e vitit 1950?

Qytete, qyteza, garnizone, ekipe nxënësish, fshatra e ferma në Kupën e vitit 1950

Përveç Bashkimit Sovjetik, askujt tjetër. Në vitin 1950, në krejt jetën shqiptare, sundimi i Bashkimit Sovjetik arrin kulme në të gjitha fushat e jetës: në politikë, në ekonomi, në kulturë, në art, në sport, në futboll. E vërteta është se numri i madh i pjesëmarrjeve të skuadrave në Kupën kombëtare të një shteti nuk është një shpikje sovjetike. Është një shpikje angleze.

Capture1

Mirëpo, Bashkimi Sovjetik i jepte Kupës së tij, edhe pse të mbështetur në variantin britanik, veshjen e një politizimi të papamë, që kishte të bënte me vazhdimësinë e revolucionit socialist, me industrializimin e vendit, me kooperativizimin e fshatit bujqësor, me mbrojtjen po e po. Për shembull, në Bashkimin Sovjetik, me fitoren e revolucionit socialist, emrat e skuadrave të mëparshme të Rusisë cariste nuk ekzistonin më. Kjo, edhe për faktin se Kampionati Kombëtar i Rusisë, thuajse nuk kishte ekzistuar (vetëm nja dy kampionate disi të vegjël e jetëshkurtër).

Gjithçka do të shpërthente mbas Revolucionit Socialist të Tetorit 1917 dhe krijimit të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Tash, në 1950-ën, Republika Popullore e Shqipërisë nuk donte të njihte “shkollë” tjetër, përveç kësaj sovjetike. Mbi të gjitha, një “shkollë”, e cila përmes futbollit e skuadrave të tij t’i bënte një lloj publiciteti të skajshëm edhe shoqërisë komuniste që po ndërtohej. Kështu ndodh edhe me Kupën e Shqipërisë të vitit 1950.

Duke vazhduar në këtë Dossier me zbulimet e reja në 80-vjetorin e themelimit të Kupës së Shqipërisë, po mbërrijmë tek Edicioni i saj i vitit 1950. Kjo, për kah ecuria e saj me numrin e madh të skuadrave pjesëmarrëse, herë e sigurt dhe herë e pasigurt, herë e qartë e herë konfuze, megjithatë është një nga Kupat më të bujshme në historinë e Shqipërisë. Vetëm në Turin 1 marrin pjesë 60 skuadra! Çka sa rriten në turet e tjerë, po aq zvogëlohen. Ajo është një Kupë, ku Turi 1, siç e shihni, ndonëse duhej të zhvillohej më 24 shtator 1950, me plot 15 çiftime skuadrash, nuk luan asnjë ndeshje!

Capture

Kupa e Shqipërisë 1950 Turi 1 * 24.09.1950

Kupa e Shqipërisë 1950
Turi 1 * 24.09.1950
Kukësi – Gorja
Puka – Kopliku
Garnizoni Shkodër – Spartak Shkodër
Nxënësi Shkodër – Puna Shkodër
Lezha – Dinamo Shkodër
Rubiku – Puna Krujë
Ferma Kamzë – Mëzez
Nxënësi Tiranë – Partizani Garnizoni Tiranë
Dinamo Peshkopi – Peshkopia
Burreli – Rrësheni
Puna Tiranë – Spartak Tiranë
Ferma Sukth – Spartak Shijak
Puna Shijak – Ferma Xhafzotaj
Shkozeti – Ferma “Kajo Karafili”
Spartak Durrës – Nxënësi Durrës
Puna Vlorë – Nxënësi Vlorë
Narta – Spartak Vlorë
Himara – Vuno
Puna Delvinë – Partizani Gjirokastër
Puna Sarandë – Spartak Delvinë
Puna Gjirokastër – Derviçani
Spartak Gjirokastër – Dinamo Gjirokastër
Tepelena – Nxënësi Gjirokastër
Përmeti – Dinamo Leskovik
Leskoviku – Spartak Ersekë
Hoçishti – Orman Çifliku
Puna Pogradec – Partizani Korçë
Puna Korçë – Nxënësi Korçë
Spartak Korçë – Dinamo Korçë

Dhe çuditë që nuk mbarojnë këtu. Shqipëria është e gjitha nën “pushtimin” sovjetik. Në këtë sovjetizim të papamë, nuk mbeti pa bërë pjesë edhe sporti, e sidomos futbolli. Kupa e Shqipërisë do t’i ngjasojë Kupës së Bashkimit Sovjetik, me një masivitet, nga jashtë të tipit britanik, por në brendësi me një politizim sa socialist po aq dhe partiak, ushtarak e deri të “ministërbrendshëm”, që të mahnit.

Zbulimet e kësaj Kupe janë vërtet të bujshme. Deri aty sa që sot, mbas 70 vjetëve, zbulojmë se Shqipëria në 1950-ën paska pasur jo vetëm një skuadër me emrin “Partizani” – që dihet është Partizani ynë i madh – por plot 7 skuadra me emrin “Partizani”. Vështroni tash, se cilët paskan qenë këta “Partizanë”:

Partizani i Pogradecit
Partizani Garnizoni i Tiranës
Partizani i Gjirokastrës
Partizani i Durrësit
Partizani i Elbasanit
Partizani i Korçës.

Dhe doemos me ta edhe më i madhi, ai që po e quaj “kryePartizani”, i cili ka sunduar futbollin shqiptar për bukur nja mbi 45 vite. Partizani ynë i madh, pra, i cili mbas 26 vjetëve mungesë, më në fund, po bëhet gati të rishpallet Kampion i Shqipërisë 2019.

E pra, sot e kësaj dite, unë për vete, ndonëse kam botuar pesë libra për historinë e Kampionateve të Shqipërisë, e çdo kapitull kampionatesh i kam mbyllë duke botuar finalet e Kupës përkatëse të Shqipërisë, nuk paskam qenë i zoti të “zbuloj” në kohë që në edicionin e Kupës së vitit 1950, paskan marrë pjesë shtatë skuadra me emrin “Partizani”!

Kjo tregon se historia nuk ndal së befasuari me zbulimet e saj sa herë që shkruhet e rishkruhet. Po si duhet kuptuar ekzistenca e këtyre shtatë “Partizanëve”? Pa dyshim është dëshira, si të thuash, e “publicitetit” për Luftën Nacional Çlirimtare. I themeluar dy-tre muaj mbas Partizanit të Beogradit, ndikim i cili nuk mund të mohohet assesi, çudia me Partizanin shqiptar është se në këtë vit 1950, Shqipëria kalon në një shumim vërtet spektakolar të këtij emërtimi.

Merret me mend se këta “Partizanë” përfaqësojnë garnizonet ushtarake të qyteteve të tyre, të cilat sa vijnë e marrin forcë organizimi me synim përforcimin e mbrojtjes së vendit. Kësisoj, sidomos mbas prishjes me Jugosllavinë e Titos. Ndoshta pa e ditur se edhe në këtë vit 1950 në sportin jugosllav kishte disa skuadra me emrin “Partizani”. Ishin në kategori të tjera të kampionateve të futbollit, por dhe në sporte të tjerë si hendboll, volejboll apo basketboll. “Partizanë” të pambarim, madje deri dhe në Kosovë!…

Ja dhe 9 “Dinamo” e 12 “Spartakë”!

Dhe befasitë që nuk ndalin. Shqipëria do të ketë në këtë Kupë të vitit 1950 edhe plot 9 skuadra me emrin “Dinamo”. Tek janë:

Dinamo e Shkodrës
Dinamo e Peshkopisë
Dinamo e Gjirokastrës
Dinamo e Korçës
Dinamo e Leskovikut
Dinamo e Durrësit
Dinamo e Elbasanit
Dinamo e Vlorës

Dhe me ta doemos edhe “kryeDinamo”, ajo e Tiranës që ashtu si dhe Partizani ka sunduar përmbi 40 vjet në futbollin shqiptar, sot gati e shuar në Kategorinë e Dytë. Siç e shihni, zbulojmë se edhe Leskoviku paska pasur Dinamon e tij! Natyrisht e kemi ditur se ka pasur më shumë se një Dinamo. Aq më tepër kur njihet se Dinamo e Shkodrës, Dinamo e Durrësit së bashku me Dinamon e Tiranës kanë marrë pjesë së bashku edhe në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë të vitit 1955.

Ky ka qenë një Kampionat i jashtëzakonshëm, jo vocërrak si ky i sotmi, por me plot 16 skuadra, ku këto tri Dinamo kanë zënë respektivisht vendin e parë – Kampione – ajo e Tiranës, të katërtin ajo e Shkodrës dhe të 6-in ajo e Durrësit. Është e paprecedent! Mirëpo, që paskemi pasur 9 “Dinamo” në Kupën e vitit 1950, kjo “zbulohet” këtu për herë të parë.

Dihet ndërkaq se Dinamot kanë qenë skuadra që i mbarështronin degët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të qyteteve. Çka sigurisht, kjo nuk do të thotë aspak se lojtarët e saj detyrimisht ishin njerëz të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vijmë mandej te pjesëmarrja në këtë Kupë 1950, të plot 12 skuadrave me emrin “Spartak”:

Spartaku i Shkodrës
Spartaku i Tiranës
Spartaku i Shijakut
Spartaku i Durrësit
Spartaku i Vlorës
Spartaku i Delvinës
Spartaku i Gjirokastrës
Spartaku i Ersekës
Spartaku i Korçës
Spartaku i Elbasanit
Spartaku i Beratit
Spartaku i Fierit

Edhe ky një imitim i pastër sovjetik, bartë prej Spartakut të Moskës, teksa mbas ardhjes së tij dy herë në Shqipëri, lindën gjithë ata “Spartakë”. Ishin klube të ashtuquajtura të kooperativave të artizanatit – përfaqësues të klasës punëtore. Edhe këtë deri diku e kemi ditur. Madje, Kampionati i vitit 1952, ku kanë marrë pjesë 21 skuadra, pati bukur tre “Spartakë”: i Shkodrës, i Korçës dhe i Pogradecit. Por nuk dinim për kaq shumë, aq më tepër që në një Kupë të Shqipërisë paskan marrë pjesë 12 skuadra me emrin “Spartak”!

Megjithatë, duke iu shmangur disi këtyre zbulimeve, “rekordin”e emrave të njëjtë të skuadrave në këtë Kupë e mbajnë ato me emrin “Puna”. Këtu nuk bëjmë një zbulim të ri, sepse për vite, dihet që të gjitha skuadrat mbanin të njëjtin emër: Puna! I kopjuar edhe ky emërtim prej skuadrës sovjetike “Trud” (“Punë”) gjithçka ishte një “publicitet” i llojit të jehonës së “punës” ndërtimtare socialiste anë e kënd vendit. E veçanta shqiptare është se prej të gjithë vendeve komuniste, vetëm Shqipëria i quajti të gjitha skuadrat e qyteteve të saj me emrin “Puna”.

Në këtë Kupë 1950 marrin pjesë plot 17 skuadra me emrin “Puna”! Shkodër, Kavajë, Tiranë, Shijak, Vlorë, Delvinë, Sarandë, Gjirokastër, Durrës, Pogradec, Berat, Korçë, Elbasan, Kuçovë, Peshkopi, Fier, Ersekë!… Sidoqoftë, kryezbulimi pra, mbetet te 7 skuadrat me emrin Partizani. Çka për fat, deri më sot nuk e paskemi ditur. Ndërkaq, në ecurinë e Kupës 1950, gjërat sa vijnë e bëhen më të komplikuara. Deri aty, saqë edhe disa ekipe të kualifikuara, më mbas nuk gjenden se ku janë! Është një kaos. Ja dhe ecuria e Kupës deri në ¼-at e finaleve:

Turi 2 * 01.10.1950

Puna Shkodër – Spartak Shkodër 4-2
Puna Pogradec – Partizani Pogradec 0-2
Partizani Garnizoni Tiranë –
Ferma “Ylli i Kuq” Kamzë 5-2
Puna Tiranë – Shijaku 1-0
Partizani Gjirokastër – Puna Delvinë 1-1
Përmeti – Dinamo Leskovik 0-1
Spartak Gjirokastër – Dinamo Gjirokastër 4-2
Puna Vlorë – Nxënësi Vlorë 6-0
Kukësi – Puka 1-4
Rubiku – Lezha 0-3
Burreli – Peshkopia 3-1
Partizani Durrës – Nxënësi Durrës 4-0
Peqini – Dinamo Durrës 2-4
Puna Kavajë – Ferma Lushnjë 7-0
Dinamo Elbasan – Partizani Elbasan 5-0
Spartak Elbasan – Puna Elbasan 0-4
Spartak Berat – Nxënësi Berat 3-1
Puna Kuçovë – Puna Berat 4-5
Dinamo Vlorë – Garnizoni Vlorë 2-0
(me vendim)
Selenica – Puna Vlorë 0-6
Himara – Narta 2-0
Partizani Korçë – Orman Çifliku 2-0
(me vendim)
Puna Korçë – Spartak Korçë 5-2
Puna Vlorë – Nxënësi Vlorë 6-0

Turi 3 * 06-08.10.1950

Puna Shijak – Shkozeti 3-1
Partizani Durrës – Spartak Kavajë 3-2
Mbrostar – Ferma Çlirimi 6-0
Puna Vlorë – Minatori Selenicë 6-0
Partizani Elbasan – Dinamo Elbasan 5-0
Puna Peshkopi – Puna Tiranë 3-6
Puna Korçë – Partizani Korçë 4-1
Puna Fier – Spartak Fier 4-2
Partizani Durrës – Spartak Shijak 12-2
Finale 1/8 * 05.11.1950
Puna Elbasan – Puna Korçë 2-2
Spartak Berat – Puna Tiranë 0-1
Puna Kavajë – Partizani 1-4
Puna Ersekë – Puna Shkodër 0-2
Garnizoni Shkodër – Dinamo Tiranë 1-6
Puna Vlorë – Puna Berat 3-2
Puna Fier – Partizani Garnizoni Tiranë 2-0
(me vendim)
Partizani Durrës – Puna Durrës 3-1
Finale 1/4 * 12.11.1950
Dinamo Tiranë – Puna Vlorë 10-0
Partizani – Puna Shkodër 2-0
Partizani Durrës – Puna Fier 2-1

Këtu, siç e shihni, papritmas do të mbërrijmë te një tjetër çudi. Jemi në 1/4-at e finaleve dhe nuk gjen asnjë informacion për kualifikimin e Punës së Tiranës. Dhe çudia që nuk ndal me kaq. Sot e kësaj dite, të paktën unë për vete, nuk kam arritur të gjej, siç e shihni pak më poshtë,= as rezultatet e dy ndeshjeve të 1/2-ve të finaleve, të fituara nga Dinamo e Partizani ndaj Punës së Tiranës dhe Partizanit të Durrësit.

Për të kaluar ndërkaq te një tjetër risi e jashtëzakonshme: për në katërshen gjysmëfinaliste, mbas fitores 2-1 me Punën e Fierit, kualifikohet edhe Partizani i Durrësit! Kur më parë se Punën e Fierit, ky “Partizan” rrufeshëm jetëshkurtër si dhe të tjerët, kishte eliminuar tri skuadra po të qytetit e rrethit të Durrësit: 4-0 Nxënësin e Durrësit, 12-2 Spartakun e Shijakut dhe bujshëm 3-1 Punën e Durrësit, e cila ishte skuadra e parë përfaqësuese e qytetit bregdetar, Teuta e dikurshme dhe e sotme, por dhe Lokomotiva e gati 35 vjetëve!

Kësisoj, fiksojmë zbulimin e zbulimeve, që na thotë se në edicionin e Kupës së Shqipërisë të vitit 1950, për herë të parë dhe të fundit në histori, paskemi pasur në katërshen e më të mirëve jo një, por dy skuadra me emrin “Partizani”: ai qendrori në Tiranë dhe Partizani i Durrësit! Gjysmëfinalet janë zhvilluar në këtë kah çiftimesh, duke u kualifikuar dy të mëdhenjtë: Partizani qendror dhe Dinamo po qendrore, ndonëse siç u tha, nuk gjejmë rezultatet e këtyre dy ndeshjeve të ½-ve finale:

Finale ½ *19.11.1950
Partizani – Puna e Tiranës
Partizani Durrës – Dinamo Tiranë

Triumfi spektakolar i Dinamos-Kampionat dhe Kupë 1950!

Mbërrijmë kështu te ndeshja finale e Kupës së vitit 1950, e cila e luajtur para plot 15.000 shikuesve, ka këtë pamje:

29 nëntor 1950. Tiranë. St. Kombëtar “Qemal Stafa”:

DINAMO E TIRANËS – PARTIZANI 2-1

DINAMO: Vogli, Fermija, B.Boriçi, Shaqiri, Peqini, Vila, Bakalli, Gjinali, Jareci, Teliti, Mirashi.

PARTIZANI: Bonati, Laçej, Spahiu (Arbana), Kurani, Sakiqi, Llambi, Parapani, S.Emiri, L.Boriçi, Biçaku, Karanxha.

GOLAT: Bakalli, 26′, Jareci 35′, Parapani 41′

GJYQTARË Ejup Laçi, Zyber Fagu (Lisi), Eqrem Hoxha.

SHIKUES: 15.000.

Ky ishte triumfi i dyfishtë i Dinamos së Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila në këtë vit 1950 ishte themeluar dhe po në këtë vit arrin të fitojë si titullin Kampion të Shqipërisë, po ashtu edhe atë të Kupës së Shqipërisë. E pra, si ka qenë e mundur që si askund në Europë, një skuadër pikërisht në vitin e themelimit të saj, të fitojë edhe Kampionatin edhe Kupën?

Thjesht sepse ajo formohet duke marrë lojtarë të gatshëm nga të tjerët. Kjo ka rëndësi për historinë e politikës së futbollit dhe të krejt sportit shqiptar. Të ardhur me një urdhër shtetëror në këtë skuadër, futbollistët e saj, shumë prej të cilëve tregojnë se janë thirrur në të duke u njoftuar në një mbledhje, janë bërë anëtarë të kësaj Dinamoje shqiptare, pa asnjë dëshirë, pa asnjë synim, madje pa ia arritur të kuptojnë se çka mund të ishte kjo Dinamo.

Është interesante që edhe këtu të kujtojmë prejardhjen e këtyre dinamasve të rinj për të kuptuar edhe më mirë gjeografinë e prishur të futbollit shqiptar. Xhevdet Shaqiri dhe Zihni Gjinali vinin nga Partizani, Qemal Vogli dhe Skënder Jareci nga skuadra e Durrësit, Qamil Teliti nga Besa e Kavajës, Bule Vathi e Besim Boriçi nga skuadra e Tiranës, Bahri Kavaja, Hamdi Bakalli dhe Pal Mirashi nga ajo e Shkodrës. I një artificialiteti të tillë ishte formimi i Dinamos së Ministrisë së Punëve të Brendshme datuar në 1950. E megjithatë, kjo Dinamo është ndër më tërheqëset në historinë tonë.

Në kampionat ajo arrin 14 fitore, 1 barazim dhe vetëm 1 humbje. Dhe 60 gola të shënuar përballë vetëm 6 të pësuar. Janë shifra që për nga përmbajtja e tyre përfaqësojnë edhe në këtë rast një eveniment statistikor europian. E themeluar pra, si një kombinim i disa klubeve të vitit 1949, Shkodra, Tirana, Durrësi, Kavaja dhe Partizani, Dinamo me trajner Ludovik Jakovën – origjinar i hershëm i Sportklub Tiranës – është një 11-sh gati spektakolar për kohën.

Një portier i rrallë si Qemal Vogli zbuste gjithë brishtësinë e një mbrojtjeje, në të cilën Xhevdet Shaqiri ia arrinte të harmonizonte Koçi Sherkon, Bule Vathin dhe Besim Boriçin, të cilët mbërritën thuajse në paprekshmëri me vetëm 6 gola të pësuar në Kampionat. Çka është meritë kryesisht e Qemal Voglit. Shqipërisë i kishte ardhur portieri i munguar i përmasave.

Në gjysmëmbrojtje Dinamo ka dyshen Peqini-B.Boriçi, e cila me kthimin herë-herë mbrapa të Gjinalit dhe Kavajës, lëshonte përpara deri në papërmbajtshmëri treshen Jareci-Teliti-Mirashi, ku rinia e Jarecit dhe përvoja tashmâ e Telitit dhe e Mirashit – Kampionë të Ballkanit më 1946, krijonte një forcë shpesh të pandalshme. Pa harruar se Taq Murati dhe Hamdi Bakalli, edhe pse jo përherë në 11- sh, krijonin freskinë çlodhëse të ndërrimeve, qoftë edhe të krejt titullarëve.

Stina e futbollit e vitit 1950 së bashku me fitimin e Kupës, falë teknikës së lartë të emrave të tillë si Teliti, Jareci, Gjinali, Kavaja, Mirashi, Bakalli, te Dinamo 1950 gjen ravijëzimin e një futbolli teknik, ndonëse disi të ngadalshëm, prej të cilit lindte një taktikë deri diku e paramenduar, ndoshta diçka krejt e re për futbollin shqiptar. Dinamo ishte superskuadra e Shqipërisë, e cila do të përforconte edhe më tej sundimin e paprekshëm të dyshes së re Partizan-Dinamo. I tillë, i dyfishtë ishte ky vit i Dinamos, teksa fiton edhe Kupën e Shqipërisë.

Një Kupë gjigante me pjesëmarrjen e 88 skuadrave me mbi 1320 lojtarë, siç i gjej diku të shkruara këto shifra! Dinamo mund në finale 2-1 Partizanin, edhe pa dy titullarët e saj të shquar Bahri Kavaja e Bule Vathi, të cilët tashmâ ishin armiq të Shqipërisë. Ata sapo ishin arratisur përmes ujërave të Dardaneleve në Turqi, teksa po udhëtonin me Kombëtaren për ndeshje miqësore jashtë Shqipërisë, histori këto të treguara me kohë në librat tonë. Shqipëria kishte mbyllur kështu, plot peripeci Kupën e saj më gjigante në histori…

1951: Si u shuan “Partizanët” e vitit 1950

Në të vërtetë, 6 “Partizanët” e vitit 1950 do ta kishin jetën krejt të shkurtër. Vetëm mbas një viti, këtë 1951 ata do të zhdukeshin për të mbetur vetëm një “Partizan” – ky i sotmi. Shikoni tash sesi ka “udhëtuar” edicioni i Kupës së Shqipërisë i vitit 1951, i fituar përsëri nga Dinamo.

Turi 1 * 23.09.1951
Puna Fier – Partizani 0-6
Puna Gjirokastër – Puna Tiranë 1-2
Spartak Korçë – Puna Shkodër 0-4
Dinamo Tiranë – Dinamo Vlorë 6-0

* 26.09.1951
Puna Berat – Puna Elbasan 2-0 (a)
Spartak Shkodër – Puna Kavajë 1-0
Puna Vlorë – Puna Korçë 1-0
Puna Qyteti Stalin – Puna Durrës 2-6

Turi 2 * 30.10.1951
Puna Berat – Partizani 0-5
Dinamo Tiranë – Spartak Shkodër 2-0 (a.)
Puna Shkodër – Puna Tiranë 2-0
Puna Durrës – Puna Vlorë 1-2

Turni 3 * 07.10.1951
Partizani – Puna Shkodër 4-0 (3-0)
(Resmja 8′, Arbana, Arbana, Karanxha)
Puna Vlorë – Dinamo 0-3

Finale * 14.10.1951

Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:

DINAMO – PARTIZANI 3-2

GOLAT: 1-0 Llambi 20′, 1-1 Bakalli 52′, 2-1 Peqini 57′, 3-1 Tafmizi 70′, 3-2 F.Vogli 78′

DINAMO: Q.Vogli, Dashi, Q.Cungu, B.Boriçi, Shaqiri, M.Vila, Bakalli, Sherko (Murati),. S.Jareci, Peqini, Tafmizi.

PARTIZANI: Maliqati, Hajdari, Fagu, F.Vogli, Sakiqi, Spahiu, Llambi, Arbana, L.Boriçi, Resmja, Karanxha.

GJYQTARË: E.Dauti, H.Hysenaj, E.Qyrfyçja.

SHIKUES: 15.000

Siç kam shkuar te Libri 4 “Historia e Kampionateve të Shqipërisë”, kësaj radhe duke fituar edhe Kampionatin jo më prej golavarazhit “misterioz” si në 1950-ën, por tashmâ me 2 pikë mbi Partizanin, kjo Dinamo është vërtet një formacion i rrallë për ne.

Ndonëse nga ana tjetër, ky është Kampionati ku Partizani arrin rekordin e derisotëm europian të golavarazhit fantastik 136-10, ndërsa Dinamo 108-7! Ndërkohë që kemi dhe “rekordin” tjetër, atë të golavarazhit më pasiv: 10-104 të Punës së Qytetit Stalin! Por kemi dhe mbirekrodin e 59 golave të Refik Resmes së Partizanit – ka besoj se mund t’i kthehemi pak më vonë, duke qenë se është një histori botërore për futbollin, ku është përzier jo pak edhe autori i këtij Dossier-i të vitit 2019.

Kurrë më nuk do të përsëritej kjo epërsi shkatërruese e dy dikasterialeve të futbollit shqiptar. Partizan-Dinamo! Dinamo është po ajo skuadër edhe në ndeshjet e Kupës. Skuadra është pasuruar me Qemal Cungun, Hamdi Tafmizin dhe Muhamet Vilën të shndërruar në titullarë, sepse dihej që Bahri Kavaja e Bule Vathi ishin arratisur, ndërsa Qamil Teliti ishte rikthyer në Kavajë.

Megjithatë, thelbi i 11-shit mbetet edhe në ndeshjet e Kupës. Kryesisht me boshtin e sulmit Bakalli-Jareci-Gjinali, ndërkohë që sapo formohet dyshja e gjysmëmbrojtjes Shaqiri-Vila, që në vitet që vijnë do të përsoset deri në emblemë për futbollin shqiptar.

Ajo krijohet duke u shtyrë paksa përpara Shaqiri mbas ardhjes së Qemal Cungut në qendër të mbrojtjes, Murati thuajse shndërrohet në titullar dhe po në mbrojtje dyshja Besim Boriçi-Koçi Sherko është edhe më në harmoni. Sidoqoftë, me gjithë mungesat në disa ndeshje, Qemal Vogli, ndonëse i alternuar me portierin tjetër, tejet të talentuar, Met Metanin, është shtylla e mbrojtjes. Një portier i madh, i cili sa vjen e piqet në artin e tij unik të interpretimit të pagabueshëm të futbollit brenda katërkëndëshit të shtyllave e trarit magjik të portës.

Ky ishte dhe do të mbeste siguria e madhe e forcës së Dinamos: Qemal Vogli! Vetëm 7 gola të pësuar nga e gjithë Dinamo, prej të cilit vetëm 3 i takojnë Voglit, flasin për rastin e rrallë të aftësisë së jashtëzakonshme të një portieri, por i cili vetëm në finale e Kupës pëson 2 gola!… Sulmi, ndonëse pa një dyshe të shkëlqyer siç qe ajo e Partizanit, L. Boriçi-Resmja, kompensonte falë mbështetjes së gjysmëmbrojtjes Shaqiri-Vila. Kështu, pesëshja Bakalli-Gjinali-Jareci-Peqini-Tafmizi, bëhet po aq e papërmbajtshme sa dhe ajo e Partizanit.

Zgjuarsisë, gjakftohtësisë dhe elegancës së Zihni Gjinalit, shpërthimeve në krah të Hamdi Bakallit dhe, mbi të gjitha, arsenalit të madh sulmues në qendër të Skënder Jarecit, pa harruar futbollin pozicional të Sabri Peqinit e Hamdi Tafmizit, të gjitha këto përmbledhin gjithë forcën e sulmit dinamas, të cilin trajneri-lojtar Zihni Gjinali, pasi e projektonte në letër, ia arrinte ta përçonte në fushën e blertë, duke qenë edhe vetë interpretues i drejtpërdrejtë, por që në finalen e Kupës për çudi nuk luan, teksa është në stolin e trajnerit. Sundimi i Dinamos, nuk ndalon assesi në gjithë këto vite të para 1950… * Ribotimi është i rezervuar.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"