Kualifikimi i parë europian në basketboll, kur Partizani bënte histori para 50 vitesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2023 | 20:35

Kualifikimi i parë europian në basketboll, kur Partizani bënte histori para 50 vitesh

NGA UVIL ZAJMI
Janë vitet kur diçka ka ndryshuar në basketbollin shqiptar. Nga përballjet me klubet, si ato ndaj Oransoda, Dinamo, Zadar, Jugoplastika, Gallatasaraji, Zvezda, konkurrimet me ekipin përfaqësues në disa aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare si Budapest 1969 EK Europian, Universiada Botërore e Studentore-Torino 1970, EKE në Itali (Kaljari) 1971; ato kualifikuese për Lojërat Olimpike në Harlem të Holandës më 1972, turnetë miqësorë me kinezët, ka ardhur një brez i ri.

Partizani kampion 1973-‘74, në këmbë nga e djathta: N. Pali, K. Mushi, G. Andoni, Trajner: A. Greva, A. Dheri, V. Progri, Kuqo, S. Boshnjaku. Ulur nga e djathta: A. Fagu, B. Pëllumbi, B. Tomini, E. Prifti, K. Zaçe

Partizani kampion 1973-‘74, Në këmbë nga e djathta: N. Pali, K. Mushi, G. Andoni, Trajner: A. Greva, A. Dheri, V. Progri, Kuqo, S. Boshnjaku. Ulur nga e djathta: A. Fagu, B. Pëllumbi, B. Tomini, E. Prifti, K. Zaçe

Është fituar eksperiencë, luhet me tjetër mentalitet, ka më shumë kualitet e cilësi në lojë, rezultatet janë rivalizuese dhe nuk ka më humbje të thella. Pjesa më e madhe e basketbollistëve janë nga blloku Partizani – 17 Nëntori. Është po ai grup rival në kampionate, bashkë edhe në Përfaqësuese. Kupa e Kampioneve 1973-1974, shorti do ta “përplasë” Partizanin për herë të parë me një klub të basketbollit hungarez me traditë. Ndonëse me kombëtaret ishim ndeshur disa herë si në maj të 1947, KE Qendrore 93-23, pas një viti po në këtë trofe Hungari-Shqipëri 135-18, për të ardhur tek EKE në Budapest maj 1969 Hungari-Shqipëri 61-54.

Skuadra jonë përbëhet nga Shaka, Shehu, Fagu, Kasmi, Pali, Lahi, Papavangjeli, Përmeti, Reka, Ikonomi, Moja. Në shtator të 1973-shit, Partizani niset për një turne miqësor në Rumani, por pa Fagun e dëmtuar në kavilje. Luan në Brashovë me Steauan, Kluzhin dhe Kombëtaren, duke fituar 2 nga 5 sfidat e zhvilluara. Më pas në Tiranë një miqësore midis kombëtareve. Shqipëri-Algjeri 104-49, për të ardhur në nëntorin e 1973, në 80 minutat historike me hungarezët e “Çepel” në turin e parë të trofeut europian. Sigurisht që vështirë të mendohej, imagjinohej, që një skuadër shqiptare do të kualifikohej në raundin pasardhës, të një kompeticioni të tillë kontinental në basketboll për meshkuj.

Nisur nga disa motive: Kur njihej potenciali i kundërshtarëve me plot yje, deri edhe amerikanë në përbërje të tyre. Ka ende diferencë në shtatlartësi, trajtime, buxhet financiar, dhe më kryesorja në aspektin profesionist. E kundërta me sportistët shqiptarë, joprofesionistë, por të zanateve të ndryshme, nga studentë, mësues, inxhinierë, sidoqoftë të gjithë produkt të shkollës së basketbollit kombëtar falë pasionit e cilësive individuale. Por pas nëntorit të 1973 dhe Partizani – Çepel, rrota e historisë do të ndryshojë kahun. Një rikthim tek ato përballje, nga udhëtimi me avionin qeveritar, humbja minimale me Fagun e pandalshëm që shtangu hungarezët dhe triumfi magjik në pallatin e sportit kryeqytetas.

PARTIZANI, KAMPION PAS SË “TRETËS” DRAMATIKE
Në përfundim të edicionit 1972-1973, renditja përfundimtare ku marrin pjesë 10 skuadra, është: Partizani dhe 17 Nëntori në krye me 34 pikë, ndjekur nga Lokomotiva 32, Dinamo 28 dhe Vllaznia e Studenti 26 pikë. Për titullin kampion nevojitet një takimi i tretë, një finale. Dhe kjo do të jetë e treta radhazi pas asaj të 1970 – 1971. 17 Nëntori Partizani 70-68; 1971-1972 Partizani-17 Nëntori 81-73. Edhe kjo si të tjerat, pa e humbur interesimin, traditën, pritshmërinë. Një finale e tensionuar, rivalizuar, më shumë se një dramë sportive dhe në fund Partizani ka triumfuar 79-71.

Skuadra ka në përbërje: Agim Fagu, Besnik Pëllumbi, Nikolin Pali, Kushtrim Zaçe, Dodan Përmeti, Spartak Boshnjaku, Edi Moja, Kastriot Mushi, Aleksandër Dheri, Bashkim Tomini, Robert Kuqo, Edgar Prifti, Gavrosh Andoni, Vojo Progri. Trajner: A. Greva. Ndërkohë në përfaqësimin ndërkombëtar të fundvitit 1973, saktësisht nëntor – dhjetor, do të jenë ndër më të veçantët për dy skuadra kryeqytetase dhe tifozëritë e tyre. I presin sfidat interesante Partizani-Çepel në Kupën e Kampioneve dhe 17 Nëntori-Crvena Zvezda për Kupën e Kupave.

DREJT HUNGARISË, JO ME “MALEV”, POR ME AVION QEVERITAR
Nuk kishte ndodhur më parë që një skuadër sportive të udhëtonte me avion qeveritar. Shorti e ka përcaktuar Partizanin që takimin e parë ta luante në parketin kundërshtar. Në atë periudhë drejt Hungarisë funksiononte avioni i linjës së shoqërisë ajrore “Malev”, Tiranë -Budapest e kthim, një herë në javë, i frekuentuar për ata pak shqiptarë që dilnin jashtë si e vetmja mundësi që i lidhte me perëndimin. “Ndeshja luhej të premten, kurse avioni nisej të martën dhe deri ditën e ndeshjes ishte kohë e gjatë qëndrimi, që do t’i çorientonte lojtarët dhe zhvendoste përqendrimin nga ndeshja. Këtë shqetësim ia shpreha gjeneral Petrit Dumes duke i argumentuar situatën. Papritur e pamenduar do të ndodhë çudia.

Ai pasi e ka biseduar, na njoftoi se udhëtimi drejt Budapestit do të bëhej me avionin qeveritar të vënë në dispozicion posaçërisht për skuadrën, me aviatorët më të mirë të kohës, Babaçe Faiku dhe A. Ulqinaku. Ky i fundit djali i Mujo Ulqinakut”, tregon Greva. Por te lojtarët është krijuar pakënaqësi, që në njëfarë mënyre e kanë demonstruar. Ata dëshironin të qëndronin disa ditë më shumë jashtë shtetit dhe i kanë mbajtur qëndrim të hapur kritik trajnerit Astrit Greva, kur janë informuar se kishte qenë ai që e kishte bërë atë bisedë, kërkesë për t’u nisur nga aeroporti i Rinasit ditën e enjte. Ndeshja u zhvillua në pallatin e sportit “Çepel” të Budapestit, të mbushur plot me sportdashës. “Problem ishte ora 22:30 e mbrëmjes që ishte caktuar për të luajtur. Një zgjedhje e organizatorëve, jonormale dhe e papërshtatshme për ne.

Në atë ndeshje u përdorën topat me ngjyra, prodhim amerikan, që tanët e kishin për herë të parë. Sidoqoftë, skuadra luajti mjaft mirë. Loja ishte e ekuilibruar dhe rezultat i diskutueshëm deri në përfundim, me Fagun e jashtëzakonshëm. Kujtoj se nga emocionet, piloti Babaçe, i ulur në stol pranë meje, duke protestuar, shkelte herë pas here vizën e fushës, çka e detyroi arbitrin jugosllav që t’i tërhiqte vëmendjen”, rrëfen Astrit Greva. Një humbje që jep shpresë. Fagu realizues i gjysmës së pikëve në Budapest.

Agim Fagu, moment loje

Agim Fagu, moment loje

E PREMTE, 9 NËNTOR 1973, ORA 22:30
ÇEPEL-PARTIZANI 58-57 (24-24)
ÇEPEL: Pelfy (26), Feher (10), Lazar (10), Tosh (6), Nagy(5).
PARTIZANI: Fagu (28), Pali (10), Mushi (8), Dheri (8) Papavangjeli (3). Aktivizohen edhe Pëllumbi, Përmeti e Prifti. Trajner: Astrit Greva. GJYQTARË: Jakçiç (Jugosllavi) dhe Valz(Austri)
GJUAJTJE TË LIRA: Çepel nga 8 realizoi 6 pikë, ndërsa Partizani nga 6 realizoi 3 të tilla.

Një Agim Fagu i papërmbajtshëm u shfaq atë mbrëmje në pallatin e sportit të Budapestit. 28 pikë, lojtari dhe realizuesi më i mirë në fushë. Një shifër e lartë realizimi, gati sa gjysma e pikëve të skuadrës. Papavangjeli (marrë nga Flamurtari), bashkë me Palin, të riun e talentuar Mushi, forcojnë mbrojtjen, por edhe efikasitetin në sulm, ndonëse taktika e Partizanit bazohet në finalizime, kryesisht nga saktësia dhe precizioni i Fagut. Duke iu referuar lojës, vetë rezultati përfundimtar tregon për garën e madhe sportive që shoqëroi atë takim.

Në “Sportin” e 13 nëntorit, pas kthimit nga Hungaria, trajneri Astrit Greva, ndërsa informon për zhvillimin e ndeshjes, sot, pas më shumë se një gjysmëshekulli, kujton diçka më shumë:

“Koshin e parë e shënojnë vendësit. Por, Nikolin Pali ka barazuar menjëherë. Të dyja skuadrat u ndeshën me mbrojtje të forta, prandaj shënimi i pikëve u vështirësua që në fillim. Partizani e qarkullonte topin duke fituar kohë. U mbrojt me presing. Po kështu edhe Çepel. Gjyqtarët ishin ‘të shtrenjtë’ në dhënien e gabimeve personale. Tabela e pikëve ndryshonte me vështirësi duke anuar nga njëra skuadër jo më shumë se 4 pikë. Kaq i madh ishte rivaliteti, sa rezultati i pjesës parë u barazua për të 8-ën herë në sekondat e fundit nga skuadra hungareze, 24-24.

Pjesa e dytë kishte të njëjtat karakteristika. Partizani kalon në avantazh më të thellë, 6 pikë. Pikërisht në këtë kohë largohet Papavangjeli me 5 gabime personale dhe skuadra kaloi çaste pasigurie, që i kushtuan 10 pikë dhe në minutën e 35-të shifrat janë 51-50 për vendësit. Fagu, i cili ishte në një ditë shumë të mirë, me saktësinë e tij ndryshoi gjendjen. Barazuam në minutën e fundit, madje kaluam në avantazh, një kosh përpara. Ishim entuziastë dhe në të tilla situata nënvlerësimi, kur mbeteshin edhe 30 sekonda, tabela shënonte 57-57, topin e qarkullonte Partizani. Dheri që luftoi mirë gjatë ndeshjes, gjuajti nga largësia duke mos shfrytëzuar plotësisht 30-sekondëshin. Kështu, lojtarët e Çepelit në kundërsulmin e tyre shkaktuan faull. Sapo kishte filluar aplikimi i rregullit, që kur skuadra plotëson 11 gabime, ekzekutohen gjuajtjet personale. Ne kishim 9 dhe ai faull ishte i 10-ti. Pra, loja duhet të rifillonte në anësore. Por, gjyqtaria e tavolinës sinjalizoi për personalin e 11-të dhe Çepeli mori dy gjuajtje të lira, nga të cilat realizoi 1 dhe 58-57 për ta. Fagu u ankua tek arbitrat lidhur me këtë padrejtësi, por një pikë nuk ka rëndësi.

“Në Tiranë u duhet fitorja, që i kualifikon…”, ishte justifikimi i tyre. Edhe 7 sekonda kishin mbetur e nuk pati ndryshim rezultati. Në këtë takim, për probleme të brendshme në skuadër, nuk luajti Zaçe. Madje, ai nuk erdhi as në Hungari. Në atë të kthimit bashkë me Fagun, Palin, Papavangjelin, Zaçe do të ishte lojtari më i rëndësishëm. Këtë e tregoi sfida e Tiranës”, thotë Astrit Greva. Tashmë në Tiranë, duhet fitorja, mjafton edhe vetëm me dy pikë.

TIRANË, 16 NËNTOR, TRIUMF, SPEKTAKËL, KUALIFIKIM HISTORIK
PARTIZANI-ÇEPEL 78-71 (37-45)
PARTIZANI: Zaçe 21, Fagu 20, Mushi 16, Papavangjeli 8, Pali 6, Dheri 5, Boshnjaku 2, Pëllumbi, Përmeti. Trajner: A. Greva
ÇEPEL: Palffy 16, Nagy 14, Holmos 11, Lazar 8, Feher 8, Toth 5, Rescka 4, Megyer 3.
U LARGUAN ME 5 PERSONALE NË PJESËN E DYTË: Nagy 4’, Palffy 5’, Dheri 8’, Feher 19’.
ARBITRA: Assen Popoviç (Bullgari), Vasile Kadar( Rumani), të Kategorisë Ndërkombëtare

Përballja e dytë është delikate dhe shumë e vështirë. Skuadra hungareze ka dy vjet si kampione e Hungarisë, kryeson kampionatin dhe është e sigurt për titullin e radhës. Gjashtë prej lojtarëve janë të Kombëtares. Ka zhvilluar tetë takime ndërkombëtare miqësore me disa skuadra italiane, duke fituar 5 prej tyre. Në përbërje të saj janë dy lojtarë mbi dy metra, Feher 2.06 dhe Palffi 2.04 dhe më i shkurtri është 1.86 m. Kundërshtarët kishin deklaruar se: “Rezultati i takimit të parë ishte i dobët për arsye se nuk e njihnim skuadrën e Partizanit, e cila nuk ishte ndonjë kushedi se çfarë. Në Tiranë ‘Çepeli’ do të fitojë me 10 pikë ndryshim”.

Në Tiranë ata e nisën lojën me një mbrojtje të egër ndaj Fagut. Duke iu referuar sërish “Sportit”, në një shkrim të gjatë, nga i mirënjohuri Vangjel Shundi, specialisti legjendar i lojërave me dorë, lexojmë: “Të parët që përshëndeten koshin ishin basketbollistët tanë me anë të Fagut, por shpejt hungarezët barazojnë me Nagy-t. Loja vijon 4-2, pastaj 5-4 për Partizanin dhe deri në minutën 14-të, loja është krejt në ekuilibër. Në këtë pjesë, Partizani aplikoi sulmin e shpejtë dhe mbrojtjen secili të vetin, ndërsa hungarezët duke u bazuar në shtatlartësinë e tyre përdorën sulmin gradual dhe pozicional. Edhe nëse Çepeli në gjashtë minutat e fundit arriti të shkëputej dhe ta mbyllë 45-37 në favor të tij pjesën e parë, kjo qe jo vetëm merita e Nagy-t dhe Palffy-t që patën precizion nga largësia, por edhe për gabimet e shumta që bënin lojtarët tanë. Përgjegjësia e madhe për rezultatin sikur i ndrydhi ata. U bënë 14 pasime të gabuara.

Futja në lojë e Zaçes në vend të Mushit qe një ndërrim me shumë vend i bërë nga trajneri Astrit Greva. Kjo shënoi një kthesë në lojën e Partizanit. Pjesa e dytë pati një tjetër pamje. Me anë të gjuajtjeve të sakta të Zaçes, Fagut e Mushit, në minutën e 5-të barazojnë lojën në 49-49 dhe kalojnë në avantazh 52-49. Lojtarët tanë, nga të cilët dallohet në mënyrë të veçantë Mushi, zotërojnë thuajse të gjithë topat nga tabela jonë dhe organizojnë mjaft mirë sulmin. Ata zotërojnë edhe mjaft topa të kthyer nga tabela e kundërshtarit. Hungarezët duke mos njohur aftësitë e Zaçes, që mungoi në ndeshjen e Budapestit dhe pas largimit të Dherit nga fusha, i kushtojnë më shumë kujdes mbulimit të Fagut.

Ky i fundit si gjithnjë edhe në këtë ndeshje e tregoi veten lojtar të klasit ndërkombëtar. Duke qenë i mbuluar, nuk mundohej të shënonte vetë, por i shpërndante mjaft mirë topat te shokët e tij që realizonin kosh pas koshi. Lojtarët e Çepelit arritën dy herë ta shkurtonin distancën deri në një pikë. Në minutën e 14-të, 65 – 66 dhe në të 17-ën 69 – 70. Në tre minutat e fundit, dy gjuajtje të Mushit, Boshnjakut dhe të Palit, e vulosën fitoren e madhe dhe plotësisht të merituar të Partizanit me rezultatin 78-71”.

Humbja dhe eliminimi i Çepelit, për stafin drejtues e lojtarët, ishte e pabesueshme. Aq sa para banketit të organizuar në hotel “Dajti” pas ndeshjes, trajneri i tyre, Gilac Arpad, bënte xhiro. Nuk ndalonte së ecuri pa pushim vajtje-ardhje në korridorin e gjatë të hotelit, plotësisht i shokuar. Më pas, ai do të deklaronte: “Partizani e meritoi fitoren dhe kualifikimin. Si në Budapest, ashtu edhe në Tiranë, Fagu më pëlqeu më tepër. Nga ana profesionale ky basketbollist është shumë i përgatitur dhe një snajper shumë i mirë. Basketbolli ynë është statik dhe i ngadalshëm, juaji është shumë i vrullshëm”.

GREVA: VENDIMTAR AKTIVIZIMI I KUSHTRIM ZAÇES
Duke iu kthyer atij takimi, Astrit Greva kujton: “Pjesa e parë mbyllet me 8 pikë me Çepelin në avantazh. Futemi në dhomat e zhveshjes, i drejtohem Zaçes që nuk u aktivizua në ato 20 minuta: ‘Bëhu gati të luash’. Ai më pa, nuk e besoi, dhe në një moment ma bën me shenjë sikur donte të më thoshte: ‘Ç’të luaj?!’ Pati hezitim, nuk e priste, por sidoqoftë pranoi. Futja e tij ishte një befasi dhe në 2 minutat e para me tri gjuajtje nga distanca, barazuam diferencën. Ishin koshat e tij që kthyen entuziazmin, shpresën dhe më pas çdo gjë shkoi mbarë deri në fund. U kualifikuam”.

Kushtrim Zaçe, në gjuajtje

Kushtrim Zaçe, në gjuajtje

TURI I DYTË: FITORE E ÇMUAR NË TIRANË, POR NUK MJAFTON
Me një tjetër skuadër, formacion perëndimor, do të ndeshej Partizani në turin vijues të këtij trofeu, “Vienerberger”, një pesëshe austriake, ndonëse pa asnjë vendës në përbërje, por me tre lojtarë amerikanë, një bullgar dhe një çek, titullarë me përfaqësueset e tyre. Skuadër e fortë, ka tjetër kualitet. Sidoqoftë, në Tiranë takimi u fitua. “Një sukses tjetër i basketbollit tonë”, do të shkruhej në shtypin sportiv shqiptar të kohës, konkretisht “Sporti”, që vijon: “Në kryeqytet u zhvillua takimi ndërkombëtar ndërmjet ‘Partizanit’ dhe ‘Vienerberger’ në basketboll midis skuadrave kampione”. Ndonëse deri pak ditë para takimit, flitej se nuk do të luhej, pasi austriakët kishin amerikanë në përbërje, vetëm në çastet e fundit u mor aprovimi shtetëror. ‘Partizani’ ynë arriti një fitore të merituar, që është në të njëjtën kohë një sukses i ri e i bukur për basketbollin tonë në tërësi”.

E ENJTE, 29 NËNTOR 1973,
PARTIZANI-VIENERBERGER 72-71 (32-34)
PARTIZANI: Fagu 29 pikë, Zaçe 17, Mushi 10, Papavangjeli 8, Pali 6, Dheri 2, Prifti, Boshnjaku, Përmeti. Trajner: A. Greva
VIENERBERGER: Bilek 16, Tecka 10, Leskova 10, Redd 10, Lovadey 10, Pavelka 8, Marjones 4, Shon 3, Huntaler. Trajner: Hluk.
GJYQTARË: Ferenc (Hugari), Gançev (Bullgari).

Në kujtesë, të paharruar kanë mbetur tre sekondat e fundit të takimit, kur austriakët ishin një pikë përpara. Do të ishte koshi i Agim Fagut i realizuar nga një distancë e largët, tetë metra, që i jep fitoren Partizanit.

KTHIMI, 6 DHJETOR, VIENERBERGER-PARTIZANI 78-68
Në prag të ndeshjes ka një detaj josportiv dhe aspak korrekt nga e vjenezëve. Për të bërë stërvitjen njohëse, një natë përpara takimit, organizatorët kishin rezervuar një mjedis jokomod për Partizanin, duke mos e lejuar të stërvitej në pallatin e sportit, ku do të zhvillohej ndeshja. Kështu mbyllet faqja e dytë e atij përfaqësimi kolosal dhe nga Vjena e pas 80 minutave, Partizani do të largohet i eliminuar. Ishte vetëm diferenca e nëntë pikëve në total që rezultoi përcaktuese. Por suksesi nuk do të ndalet këtu.

Ai do të përsëritet edhe në sezonin 1974-1975 me dy fitore ndaj Sparta Berntrazh me dy amerikanë në përbërje, 103-89 në Luksemburg, 90-70 në kthim, duke regjistruar një tjetër kualifikim të bujshëm, i dyti radhazi. Por ai i nëntorit 1973, 50 vite më parë ndaj Çepelit, mbetet unik, i papërsëritshëm, edhe si i pari në historinë e basketbollit kombëtar, në përfaqësimet europiane me klube. Kush i ka përjetuar nga afër ato sfida e di mirë çfarë vështirësie ishte të përballeshe ndaj kundërshtarëve gjigantë. Ishte gati e pamundur të luaje ndaj tyre, dhe aq më shumë të kualifikoheshe. Kjo faqe e madhe, e shkëlqyer, i takon Partizanit të Fagut, Zaçes, Papavangjelit, Mushit, Palit, Priftit, Kuqos, Dherit, Boshnjakut, stafit të trajnerëve, Astrit Greva, Njazi Lleshi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"