Sormani ndryshon imazhin e “diktatorit” duke “përkëdhelur” lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2016 | 11:24

Sormani ndryshon imazhin e “diktatorit” duke “përkëdhelur” lojtarët

Edhe pse Partizani zbret në fushë ditën e nesërme me një disavantazh prej 4 golash përballë Krasnodarit, atmosfera në kampin e kuq është pozitive dhe përqendrimi në stërvitje është maksimal. Trajneri Sormani, përpos seriozitet që e karakterizon në seancat stërvitore, mundohet të shtensionojë situatën duke i përkëdhelur futbollistët e tij.

sormani

Në disa raste, italiani i thërriste Trashit, Trashinjo dhe Bardhit, Bardhinjo, duke gjetur këtë mënyrë për t’i tërhequr vëmendjen në bërjen si duhet të skemave që ai u kërkonte.

Në rastet kur skemat nuk bëheshin si italiani i kërkonte, Sormani nuk ngurronte t’u bërtiste futbollistëve të tij, madje edhe me nerva në disa momente. Seanca e djeshme stërvitore u pa nga afër edhe nga drejtuesit e kuq, Tomori, Starova dhe Haxhia.

Stërvitja

Pas disa minutave nxehje, Sormani jep urdhër që lojtarët të bëjnë lojëra me top, kryesisht kuadrate. Pjesa më e rëndësishme e përgatitjeve të ditës së djeshme ishin skemat për të shkuar te goli, sidomos nga krahët me futbollistët që duhet të fusnin topin në zonë.

partizani

Madje, vetë Sormani u pa shumë i përqendruar për t’u dhënë udhëzimet tek për tek të gjithë lojtarëve, sepse me sa duket e sheh si mundësinë më të lehtë për të gjetur rrugën e golit përballë rusëve.

Më pas të kuqtë zhvilluan një ndeshje brenda grupit, por italiani i përzjeu “kartat” duke mos lënë të kuptohej se me cilin formacion do të zbriste në fushë ditën e nesërme në “Elbasan Arena”. Ndërkohë, nga aq sa u pa, asnjë futbollist nuk shfaqi probleme dhe me shumë gjasa do të jenë të gatshëm për ndeshjen nesër përballë rusëve të Krasnodarit.

Supriza

Lojtarët e Partizanit me në krye kapitenin, Alban Hoxha, bënë një video-mesazh pas stërvitjes së djeshme për një tifoz të Partizanit që me sa duket do të martohej. Kanë qenë dy tifozë të kuq që ia kanë kërkuar këtë nder lojtarëve të Partizanit dhe ata kanë qenë të gatshëm për të bërë këtë surprizë për tifozin e tyre.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"