Skënderbeu i bllokuar, zbardhet kërkesa e trajnerit për Takajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2024 | 13:30

Skënderbeu i bllokuar, zbardhet kërkesa e trajnerit për Takajn

Klubi i Skënderbeut duhet të mendojë për zgjidhjen e problemeve të lindura nga bllokimi i merkatos së janarit, para se të futet në bisedime për të përforcuar ekipin në pjesën e dytë të sezonit.

skenderbeu

Të paktën deri në momentet që flasim, bardhekuqtë vijojnë të jenë të bllokuar për regjistrimin e lojtarëve të rinj, nisur nga vendimi që ka dhënë Komisioni i Disiplinës, që e urdhëron Skënderbeun të shlyejë Dejvi Bregun.

Ish-fantazisti i korçarëve ka fituar gjyqin në FSHF ndaj klubit për një shumë prej 37 mijë eurosh dhe deri në përmbushjen e këtij detyrimi, Skënderbeu nuk federon dot asnjë lojtar të ri.

“Panorama Sport” mëson se deri në këto momente nuk ka pasur ndonjë tentativë nga klubi për të gjetur marrëveshjen me Bregun dhe për t’i hapur më pas rrugën zhbllokimit të merkatos. Ky dënim ka ardhur për korçarët direkt nga FSHFja, ndërsa ka pasur edhe precedentë nga FIFA.

TAKIMI – Prej së dielës, Skënderbeu është zhvendosur në “Tropikal Resort” në Durrës për të vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes së javës së 19-të që do ta luajë ndaj Egnatias në Rrogozhinë më 13 janar.

Mësohet se pas mbërritjes së ekipit në Durrës, gjithçka ka nisur me një takim mes presidentit Ardjan Takaj dhe trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Burime në klub i treguan gazetës se serbi i pankinës ka kërkuar presidentit që në kushtet kur merkato është e bllokuar dhe afrimet janë të pamundura (të paktën deri më tani), të bëjë një sforco duke mbajtur të pandryshuar grupin e lojtarëve, me të cilët Skënderbeu mbylli dy fazat e para të kampionatit.

Kjo kërkesë duket se është pranuar nga Takaj deri diku, pasi gjithçka varet nga ofertat që mund të paraqiten për lojtarë të caktuar në këtë periudhë merkatoje, që mbyllet më 31 janar.

Gvozdenoviç pret që grupi të mos preket, por transferimet e lojtarëve mbeten e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhura tek Skënderbeu në këto momente, nisur edhe nga fakti se klubi nuk merr dot pjesë në Kupat e Europës.

Në parim gjithçka duket e mundshme për sa kohë nuk do të ketë oferta të parefuzueshme në drejtim të lojtarëve aktualë. Në të kundërt, drejtuesit do ta kenë të vështirë për të qëndruar të palëkundur ndaj interesimeve të klubeve të tjera.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"