Skandal në Librazhd, fusha kthehet në “moçal”

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 9, 2014 | 8:54

Skandal në Librazhd, fusha kthehet në “moçal”

Stadiumi i LibrazhditKanë mjaftuar reshjet e shiut të rëna dy ditët e fundit për ta nxjerrë jashtë çdo përdorimi fushën e blertë të stadiumit të Sopotit. Situata e krijuar është po e njëjta e viteve të shkuara, kur ishte e pamundur të zhvillohej një ndeshje normale futbolli në këtë stadium nëse kishte reshje. Fusha në gjendjen e djeshme i ngjante më shumë një moçali se sa një terreni normal. Në një situatë të tillë, kur kampionati nuk ka nisur ende dhe përpara është stina e dimrit që karakterizohet nga reshje të shumta, fusha e stadiumit të Librazhdit nuk premton shumë.
Gjendja Premtimet për një rikonstruksion total të stadiumit rezultuan boshe. Në mungesë të një ndërhyrjeje të përgjithshme, drejtuesit e klubit, në takimin që patën me lojtarët dhe tifozët disa ditë më parë, folën për arnime të fushës dhe ambienteve të tjera sportive. Mirëpo, kur jemi pak ditë nga starti i kampionatit, ende asgjë nuk ka lëvizur. Fusha, siç duket dhe në foto, është jashtë çdo standardi të mundshëm dhe nuk ka dyshim që një situatë të tillë librazhdasit do ta kenë shumë të vështirë t’i zhvillojnë takimet normalisht në fushën e tyre. Drejtuesit kanë thënë se do ndërhyjnë me riparime dhe Sopoti do të luajë në shtëpinë e tij, por faktet flasin ndryshe. Ndoshta optimizmi i drejtuesve është thjesht dhe vetëm për të qetësuar tifozët dhe lojtarët që prisnin një fushë moderne me ngjitjen në Kategorinë e Parë. Por, tashmë do u duhet të paktën edhe një vit të luajnë në baltën e stadiumit të tyre. Edhe pse fjalët e drejtuesve janë se do luajnë në stadiumin e tyre, mungon konfirmimi zyrtar lidhur me këtë dilemë që shoqëron prej muajsh ekipin dhe tifozërinë librazhdase, që e sheh si një minus të madh zhvillimin e ndeshjeve në një stadium tjetër nga ai i Librazhdit. Ndërkaq, skuadra është duke vazhduar përgatitjet për javën e parë të kampionatit. Ekipi, i drejtuar nga Gentjan Stojku, do të përballet me Butrintin dhe, sipas kalendarit, sfida është përcaktuar për t’u luajtur në Librazhd. Por, me këto reshje të rëna këto ditë, është e pamundur të realizohet një takim normal.
LEDION QOSHKU





www.minuta90.com