Situatë kaotike në Vlorë, Flamurtari i trembet afatit të FSHF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2019 | 16:48

Situatë kaotike në Vlorë, Flamurtari i trembet afatit të FSHF-së

Flamurtari, në ankth. Afrimi i 31 korrikut, që është edhe afati përfundimtar i vendosur nga FSHF-ja për të shlyer borxhet, e ka vendosur në një trysni të madhe klubin vlonjat. Ka mbetur një javë nga skadimi i këtij ultimatumi të qeverisë së futbollit, por në Vlorë nuk po lëviz asgjë.

Sinan Idrizi Flamurtari

Deri më tani Flamurtari nuk ka përmbushur asnjë detyrim nga ato që i ka vendosur federata. Nuk është paguar asnjë borxh ndaj lojtarëve apo stafit teknik. Të gjitha pagat e sezonit të ardhshëm nuk po shpërndahen. Më problematik mbetet fakti se nuk ka asnjë datë se kur lojtarët dhe stafi që mbyllën sezonin në Vlorë, do të shlyhen.

flamurtari

Aktualisht ka kaluar çdo limit. Deri më tani futbollistët dhe stafi i trajnerëve janë treguar të duruar duke mos hapur asnjë proces gjyqësor, por kjo nuk do të thotë se do të presin edhe gjatë. Mes kësaj vorbulle, Flamurtarin e presin tashmë të panjohurat.

Ultimatumi i FSHF-së është edhe më i rëndi. Nëse deri të mërkurën e javës që vjen, nuk shlyhen borxhet, Flamurtarin e pret kolapsi, moslicencimi për të marrë pjesë në edicionin e ri të Superiores.

PRAPASKENA – Flamurtari, i vetmi klub që deri më tani nuk ka lëvizur fare për ndërtimin e ekipit të ri. Edhe pse ditët kalojnë dhe nisja e kampionatit po afron, situata në Vlorë po bëhet gjithnjë e më komplekse.

Flamurtari

“Panorama Sport” zbulon edhe shkakun e vonesës së nisjes së përgatitjeve. Është pikërisht 31 korriku dhe frika që ekziston për ndonjë penalizim të mundshëm të Flamurtarit nga FSHFja. Drejtuesit e klubit po shtyjnë edhe takimin përfundimtar me trajnerin Julian Ahmataj, edhe pse thuhet se akordi paraprak është arritur. Po ashtu, edhe mosnisja e merkatos lidhet pikërisht me frikën se çfarë mund të ndodhë pas të mërkurës së javës së ardhshme.

FALIMETIMI – Drejtuesit e Flamurtarit mund ta kenë menduar si opsion edhe falimentimin e klubit, por kjo është e parealizueshme. Kështu shpjegon ish-nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, eksperti Arqile Mishtaku.

“Ligji mbi falimentin e ka të përjashtuar për të gjitha ndërmarrjet apo shoqëritë me karakter publik që administrohen nga qeverisja vendore apo qendrore. Shoqëritë publike nuk kalojnë në ligjin e falimentit. Shoqëritë tregtare me fonde jopublike kalojnë në faliment.

Këto janë procedura të një shoqërie që e ka mbyllur misionin e vet, nuk mund të vazhdojë më si shoqëri. Por, në këto kushte duhet ta mbyllim aktivitetin sportiv në qytetin e Vlorës?

Unë nuk jam për këtë. Unë jam për bashkëpunimin e hapur midis institucioneve, bashkisë, administratës së klubit, sponsorit dhe këshillit bashkiak, me qëllim që Flamurtari të jetë në nivelet që duhet të ishte si një ekip që ka vlerat e veta në kompeticionin futbollistik në Shqipëri dhe jashtë saj”, tha Mishtaku.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"