“S’i harroj komentet pas Luzit”, Sinan Idrizi: T’i lëmë “fryrjet”, nuk kemi kohë për Gjikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2022 | 22:22

“S’i harroj komentet pas Luzit”, Sinan Idrizi: T’i lëmë “fryrjet”, nuk kemi kohë për Gjikën

Flamurtari mundi 1-5 Dinamon dhe rrëm beu kreun. Një fitore që kënaq padyshim çdo vlonjat, përfshi edhe vetë drejtuesit. Sinan Idrizi është i pari që e priste këtë dhe jo më kot ka vendosur si objektiv të panegociueshëm: Superioren. E megjithatë, është me këmbë në tokë dhe nuk kërkon që të hiperbolizohet ky rezultat.

Gjika Idrizi

E ka aq të freskët atë humbje që pësuan në start me Luzin, saqë nuk dëshiron që të flitet me terma “fryrje” dhe “shfryrje”. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, administratori e quan detyrim fitoren, megjithatë komplimenton skuadrën për futbollin e bukur që luan.

“Pas ndeshjes, që të gjithë bëhen profesorë… Unë di të them që kemi një ekip që luan bukur futboll dhe kaq. Por të mos kalojmë te ‘fryrja’, pasi po, jemi ata që të ‘shfryjmë’. Kujtoj këtu situatën para 7 ndeshjeve kur u rrahëm nga Luzi. Çfarë nuk u bënë lojtarëve, i anatemuan. Tani po i çojnë në qiellin e shtatë.

Ne duam që futbollit t’i sjellin modelin tonë. Por për mua më shumë sesa fitorja me Dinamon, rëndësi ka vazhdimësia, kjo është primare për ne. Ideja është e thjeshtë qyteti është i ndjeshëm me futbollin. Ta kthejmë skuadrën ku duhet. Këto komentet ‘ndeshje e shkëlqyer’ dhe më the të thashë, janë hiperbola.

Ne themi na krijoni shansin të investojmë që të krijojmë një ekip që di se çfarë kërkon. Fitorja me Dinamon ishte një detyrë. Nuk kanë bërë më shumë nga çfarë në fakt duhet të bëjnë dhe këtë gjë e dimë mjaft mirë të gjithë”, shprehet fillimisht numri një i klubit.

QYTETARIA – Idrizi ka elozhe për kundërshtarin dhe qytetarinë e treguar: “Ne fituam në fushë, por meritën më të madhe e ka Dinamo. Aty luhet futboll. Ata kanë një staf qytetar dhe mbi të gjitha kanë një president të suksesshëm. Ideja është që janë civilë. Dinamo, përveç emrit dhe historisë, është një klub që duhet marrë shembull. I falënderoj shumë për mikpritjen dhe sjelljen qytetare”.

PREMIO – Fitorja me Dinamon dhe mbi të gjitha ngjitja në vendin e parë nuk do të kalojë “thatë”. Idrizi premton premio këtë javë, por nuk e zbulon se sa do të jetë shuma. “U kam thënë djemve kapni vendin e parë dhe do të keni premio. Veç fitoreve që ne i kemi tashmë të padiskutuara që i vlerësojmë. Për arritjen e vendit të parë në klasifikim do të shpërblehen. Se sa do të jetë shuma, nuk mund t’ua them tani, por patjetër që do të jetë superpremio që do ta marrin qysh këtë javë”, thotë administratori.

Gjika-dhe-Idrizi

STEMA – Në fund nuk kishte si të mos fliste për Shpëtim Gjikën. E megjithatë, këtë herë e ka kaluar në “paqe” dhe pa debat. Ish-kryebashkiaku kërkonte që të kthehej stema e vjetër dhe për këtë temë, kreu i klubit shkurtimisht tha: “Nuk kemi kohë të humbasim me këto gjëra”.

ERMAL SIKA  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"