Shtubina te Vllaznia: U riktheva për titullin. Rinovon edhe Kraja me Belishën

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 15, 2012 | 15:41

Shtubina te Vllaznia: U riktheva për titullin. Rinovon edhe Kraja me Belishën

Pas shumë bisedimeve dhe tratativave, Ndriçim Shtubina është rikthyer sërish në Shkodër pasi kaloi një sezon te skuadra e Flamurtarit. Ai ka firmosur për një vit dhe do të përfitojë 30 milionë lekë në sezon. “Jam rikthyer te Vllaznia që të fitoj me të, me çdo kusht një trofe, pasi tani mendoj se ka ardhur koha që kjo skuadër të shkojë aty ku duhet”, – është shprehur Shtubina. Pavarësisht se ai ende nuk është prezantuar nga drejtuesit, pasi procedura është përcaktuar për të hënën, Shtubina ka vijuar ditën e djeshme stërvitjen me ekipin. Ai është shprehur i kënaqur me kontratën që ka lidhur me drejtuesit duke e thënë qartazi se tashmë duhen realizuar objektivat sezonalë. “Dëshira ime më e madhe për të luajtur sërish me Vllazninë u përforcua kur mësova se drejtuesit dhe presidenca kishin vendosur të ndërtonin një ekip pretendent. Edhe gjatë këtyre ditëve që ne kemi qenë në bisedime, sigurisht që i kam ndjekur të gjitha tratativat apo bisedat me lojtarë të ndryshëm dhe cilësorë. Afrimi më i fundit i Beqirit konfirmoi realisht se Vllaznia e ka shumë seriozisht punën dhe kërkon që të jetë pretendente për të fituar titullin. Një gjë e tillë më bindi t’i refuzoja ofertat e tjera dhe të luaj sërish në Shkodër. Jam këtu për të dhënë maksimumin tim për skuadrën, sa herë që trajneri të më aktivizojë”, – ka thënë sulmuesi.
Rikthimi Rikthimi në Shkodër i Shtubinës është mirëpritur nga të gjithë. Ai ka bërë një sezon jo shumë të mirë me Flamurtarin, pasi shpeshherë ka qëndruar në stol. Por, në Shkodër gjërat ndryshojnë, ndërsa janë edhe tifozët që presin shumë prej tij, i cili gjithmonë ka treguar se është në nivel të lartë. “Nuk kam dëshirë të bëj premtime apo të flas përpara kohe. Në radhë të parë dua që skuadra t’i arrijë objektivat e saj. Kjo do të thotë që të gjithë lojtarët duhet të punojnë maksimalisht për të treguar aftësitë tona më të mira dhe të bëjmë konkurrencë me skuadrat e tjera. Natyrisht që edhe unë kërkoj maksimumin nga vetja ime. Do të stërvitem maksimalisht gjatë kësaj faze përgatitore për të arritur formën time më të mirë. E thashë dhe më sipër që, përpara se të flas për objektiva, duhet të punoj shumë për të rifituar formën time dhe më pas së bashku me gjithë shokët ta çojmë skuadrën aty ku i takon”, – thekson futbollisti. Në fund mesfushori shkodran flet dhe për emocionet që ka pasur ditën e parë të stërvitjes me ngjyrat kuqeblu. ”Që në momentin që u largova nga Shkodra kam pasur shumë mall për këtë stadium dhe tifozerinë e Vllaznisë. Si këtu në asnjë vend tjetër nuk ka një tifozeri kaq të zjarrtë dhe që të mbështet në çdo ndeshje apo aktivizim tëndin. Unë këtu jam rritur si futbollit dhe më mirë se Vllaznisë nuk mund t’i shërbej asnjë ekipi tjetër”, – ka përfunduar Shtubina.

Duro u lë futbollistëve vetëm të dielën pushim
Vllaznia ka mbyllur dje javën e parë përgatitore nën urdhrat e trajnerit Shpëtim Duro. Ndryshe nga ditët e tjera, kuqeblutë kanë realizuar vetëm nga një seancë stërvitore me gjithë grupin për t’i lënë të gjithë pushim ditën e sotme. Lojtarët do të kërkojnë të rifitojnë energjitë e humbura për t’u rikthyer sërish të hënën në stërvitje. Dje trajneri Duro i ka pasur të pranishëm të gjithë lojtarët, duke mos përjashtuar dhe sulmuesin Afrim Neziri që është në provë. Javën e ardhshme mund të fillojnë dhe seleksionimet e para për të përcaktuar grupin e lojtarëve që do të udhëtojë drejt Bullgarisë për të realizuar fazën përgatitore. Pavarësisht se ditët e fundit në kampin shkodran janë afruar një sërë lojtarësh, një pjesë e tyre ende nuk kanë firmosur dhe një gjë të tillë pritet ta bëjnë pasi trajneri Duro të vendosë përfundimisht për ta. Drejtuesit e Vllaznisë kanë premtuar se sezonin tjetër do të ndërtojnë një ekip të fortë, i cili do konkurrojë denjësisht për të fituar titullin kampion, por edhe Kupën e Shqipërisë.

Kraja dhe Belisha
Ervis Kraja dhe Amarildo Belisha kanë rinovuar kontratën edhe për një sezon me Vllazninë. Kështu, mbrojtësi dhe mesfushori do të vazhdojnë të mbrojnë ngjyrat kuqeblu edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik. Drejtuesit me rikonfirmimin e Krajës kanë blinduar defensivën, i cili i bashkëngjitet Sykajt, Smajlit dhe së fundmi edhe blerjes më të re, Begajt. Ndërsa edhe Belisha pritet të jetë një lojtar kyç në mesfushën shkodrane.
ADMIR URUÇI






www.minuta90.com