Pa fitues dhe pa gola, Shqipëria barazon me Moldavinë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 15, 2012 | 20:28

Pa fitues dhe pa gola, Shqipëria barazon me Moldavinë

Shqipëria nuk ka arritur dot të fitojë në testin e fundit miqësor para nisjes së fushatës kualifikuese për “Botërorin 2014”. De Biazi ka debutuar para tifozëve kuqezinj me një barazim të bardhë, 0-0 ndaj Moldavisë, që po të kihet parasysh se ndaj cfarë kundërshtari u arrit, nuk përfton ndonjë prognozë shumë optimiste. Kjo, edhe nga loja që kuqezinjtë tanë demonstruan, pa u ngritur asnjëherë mbi nivelim mesatar, me një mesfushë pa frymëmarrje, pa fantazi, që nuk mori dot përsipër zotërimin dhe qarkullimin e topit, as ndërtimin e lojës kuqezi. Prej këndej u kondicionuan edhe repartet e tjera të kombëtares sonë, ku sulmi mbeti i izoluar e pa mbështetje. Ajo që ra në sy ishte siguria e repartit të mbrojtjes, i cili nuk pësoi asnjë zëvendësim gjatë tërë lojës, edhe pse Cana me Mavrajn, liderë në qendër, apo A.Lila dhe Dallku nga krahët nuk patën përballë ndonjë ofensivë kushedi se cfarë të moldavëve. Këta të fundit menduan vetëm të mos pësonin. Dhe ia arritën kësaj, më shumë si rezultat i paqartësisë së tanëve, por edhe si produkt i kundërveprimit të tyre mjaft efikas në mesfushë, ku u mundua të bëhej dallimi në këtë ndeshje. Tri raste ideale për gol të Shqipërisë, me autor Edgar Canin, në dy ekstremet e pjesës së parë, dhe Mavrajn në fundin e lojës, ishin fare pak për kuqezinjtë e De Biazit, që luanin para tifozëve tanë të zjarrtë dhe ndaj një kundërshtari modest. Mjaft pikëpyetje për trajnerin italian, por edhe të gjithë ne, dashamirësit e kombëtares kuqezi, ngre kjo miqësore, që duhej të ishte testi gjeneral bindës para kualifikueseve zyrtare të shtatorit me Qipron në Tiranë dhe Zvicrën në transfertë. Se sa përgjigje ka marrë De Biazi, se cfarë është në gjendje të ndërtojë me këtë kontigjent të rinuar lojtarësh, vështirë të thuhet për momentin. Prova moldave nuk mund të konsiderohet dhe aq pozitive e shpresëdhënëse, jo vetëm se nuk u gjet dot një gol ndaj një kundërshtari modest, por sepse orkestra kuqezi nuk funskionoi si duhet. Justifikimi i De Biazit me kondicionin fizik jo të mjaftueshëm të lojtarëve, si pasojë e angazhimit të tyre me përgatitoret e skuadrave të tyre, duket argument i qëndrueshëm, megjithatë mbetet të shihet se sa do të ndryshojnë kuqezinjtë pas tri javësh, për të paraqitur një fizionomi më të qartë në mesfushë dhe sidomos nga krahët, ku kemi elementë potencialë.

SHQIPERI – MOLDAVI   0-0
SHQIPERIA:

1.Samir UJKANI (12.Etrit BERISHA 46′)
4.Armend DALLKU
5.Lorik CANA
15.Mergim MAVRAJ
2.Andi LILA
11.Emiliano VILA  (7.Ansi AGOLLI 73′)
17.Ledjon MEMUSHAJ (21.Odise ROSHI 46′)
8.Ervin BULKU
19.Elis BAKAJ  (10.Jahmir HYKA 56′)
18.Hamdi SALIHI  (16.Hair ZEQIRI 62′)
9.Edgar CANI (22.Erjon BOGDANI 46′)
Rezerva: 14.Renato ARAPI, 7.Ansi AGOLLI, 16.Hair ZEQIRI, 13.Sabien LILAJ, 20.Erjon VUCAJ, 21.Odise ROSHI, 10.Jahmir HYKA, 6.Erjon DUSHKU, 22.Erjon BOGDANI, 12.Etrit BERISHA
Trajner: Giovani De BIASI

MOLDAVIA: 
1.Stanislav NAMASCO
2.Igor ARMAS
5.Petru RACU
6.Alexandru EPUREANU
13.Simion BULGARU
16.Alexandru SUVOROV  (15.Anatolie DOROS 57′)
8.Alexandru GATCAN
3.Alexandru ONICA
18.Artur PATRAS  (11.Alexandru DEDOV 77′)
7.Serghei COVALCIUC  (12.Serghei PASCENCO 88′)
9.Igor PICUSCIAC  (10.Gheorghe OVSIANNICOV 63′)
Rezerva: 12.Serghei PASCENCO, 17.Alexandr PASCENCO, 15.Anatolie DOROS, 10.Gheorghe OVSIANNICOV, 11.Alexandru DEDOV, 14.Vitalie BORDIAN, 4.Oleg CLONIN
Trajner: Ion CARAS
Gjyqtarë: Yunus Yildirim; Baki Tuncay Akkin, Serkan Gencerler (Turqi)
Kartonë të verdhë: Mavraj 87′ / Patras 62′

MINUTAT
00′- Skuadrat kane dale ne fushen e lojes dhe po ekzekutohen himnet kombetare respektive, fillimisht ai moldav e pastaj shqiptari. Dy tribunat kryesore te “Qemal Stafes” jane plot me tifoze, ndersa ne tribunen perballe ka nje numer jo te shumte ultrasish kuqezinj, qe mbeshtesin kombetaren ne kete miqesore me Moldavine.
00′- Dy skuadrat dhe tifozet ne stadium mbajne nje minute heshtje ne kujtim te ish-trajnerit te kombetares, Mehdin Zhega, qe u nda nga jeta para pak kohesh.
01′- Topin e pare nga qendra e shqelmon Shqiperia, me Salihin qe starton miqesoren.
02′- Vila fut nje krosim te sakte nga e djathta e sulmit kuqezi, topi shkon te Cani, i cili i vetem me portierin mik, i pashqetesuar nga askush, godet keq me koke, jashte. Humbasim rast ideal per gol.
04′- Patras leshon nje goditje befasuese te te forte per Ujkanin, qe grushton me veshtiresi.
08′- Cani kombinon bukur ne mur me Salihin, me pasimin e fundit per shkodranin kuqezi, qe tenjton te godase porten moldave, por ne momentin final i rrembehet “sfera” nga mbrojtesit miq.
13′- Suvorov ekzekuton nga rreth 20 metra largesi nje goditje denimi te fituar nga Patras per Moldavine, por topi perplaset ne murin kuqezi, me Mavrajn qe spastron perfundimisht zonen e Ujkanit.
18′- Goditje kendi per Shqiperine, qe ekzekutohet nga Memushaj, por pa ndonje rrezik ne prapavijen mike.
21′- Dallku ekzekuton ne menyre te gabuar nje rivenie te topit nga vija anesore, ndaj gjyqtari e kalon per ta kryer kete veprim kundershtari.
28′- Kombinime me nga nje pasim mes Viles, Salihit dhe Canit, por ketij te fundit i nderhyjne mbrojtesit moldav ne menyre te ashper kur donte te godiste, teksa kryesori turk vazhdon lojen.
33′- Goditje denimi nga larg e moldaveve, qe ekzekutohet me force nga Gatcan, por topi kalon shume metra mbi traun e portes se Ujkanit.
45+2′- Mbyllet pjesa e pare, me rezultatin e bardhe 0-0.
46′- Pjesa e dyte nis me tre zevendesime per kuqezinjte. Ujkani, Cani dhe Memushaj ia lene vendin Berishes, Bogdanit dhe Roshit.
49′ – Picusciac godet nga distanca, por pret ne pozicion portieri kuqezi, Etrit Berisha.
56′- Tjeter zevendesim te tanet. Bakaj ia le vendin Hykes.
57′- Roshi ndermerr nje inkursion nga e djathta e sulmit tone, fut nje pasim per tek Vila, mbi vijen ballore te zones kundershtare, por durrsaku eshte i pavemendshem, duke humbur befasine dhe rrezikshmerine qe mund te prodhonte te porta e Moldavise.
62′- Salihi del nga loja, ne vend te tij Zeqiri.
69′- Doros godet nga distanca, por pa rrezik per portierin tone, Berisha.
73′- Hera e pare qe mbrojtja kuqezi gjendet e papergatitur dhe mund te ndeshkohej. Namasco leshon nje diagonale ne drejtim te portes se Berishes, por vetem fati e shpeton kete te fundit, me topin qe kalon ngjitur me shtyllen e djathte pingule.
78′- Krosim i Bulkut per te Bogdani, mes mbrojtjes kundershtare, qe ngrihet ne ajer te godase me koke, por del fitimtar portieri moldav.
90+3′- Okazion per gol. Mavraj, vetem 7 metra larg portes kundershtare, humbet rastin e arte, te fundit per kete ndeshje, per te realizuar dhe dhene nje fitore psikologjike kuqezinjve.

Pjesa e parë  Shqipëria e nis me shumë vrull e dëshirë, tenton ta befasojë kundërshtarin, arrin të krijojë rastin e parë ideal për gol që në minutën e dytë me anë të Edgar Canit, por i mungon finalizimi. Cerekorëshi i parë i miqësores vijon me këtë “muzikë”, me kuqezinjtë që gjenden tërë kohës në ofensivë, ndërsa moldavët organizohen e shtrëngojnë radhët në prapavijë. Duke parë që presingu i tanëve është i lartë dhe përftohet me shumë forca, Moldavia nis ta spostojë kundërveprimin e vet që në mesfushë, aty ku zhvillohet edhe beteja më e madhe mes lojtarëve. Rrallëherë arrin ta vizitojë portën e Ujkanit kundërshtari, megjithatë arrin ta mbajë kuadratin e vet të paarritshëm për kuqezinjtë. Salihi, i vendosur pak më pas se Cani, e merr topin mjaft mirë, e zotëron me elegancë dhe lëviz bukur me të mbi vijën e 16-metrave të kundërshtarit, duke krijuar panik në mbrojtjen moldave. Nga pas asiston Memushaj, që e hap lojën sa në njërin krah, aq në tjetrin, te Vila dhe Bakaj, por infiltron pasime të gjata edhe te Cani, i cili gjendet në majën e repartit ofensiv kuqezi. Bie në sy një vendosje e qartë taktike e kombëtares sonë, me lojtarët që nuk kalojnë në aventurë dhe veprime individuale, një “menu” e sjellë në radhët e kuqezinjve nga italiani De Biazi. Dyshja e qendrës së mbrojtjes sonë, me Canën dhe Mavrajn, tregohet në lartësinë e duhur në ato raste kur nevojitet angazhimi i tyre, sidomos në goditjet standarte të kundërshtarit dhe në luftën në ajër.
Në gjysmëorën e parë nuk duket dyshja e qendrës së mesfushës, Bulku-Memushaj, cka e detyron njërin nga sulmuesit, Salihin, të kthehet shumë pas për të marrë topin, apo të veprojë edhe në krah duke tërhequr pas vetes mbrojtësit moldav, me qëllimin për t’i krijuar hapësira partnerit të vet në ofensivë, Cani. Mbetja në hije e Memushajt dhe e Bulkut krijon njëfarë hendeku mes dy reparteve të përparmë të kombëtares së Shqipërisë, ndërkohë që ul edhe efektshmërinë për të shënuar. Bakaj dhe Vila nuk arrijnë të shkrihen si duhet në veprimet sulmuese me lojtarët e deklaruar të këtij reparti, si pasojë e mungesës së kohezionit në lojën e grupit. Kjo i vjen dukshëm në ndihmë Moldavisë, që arrin të fitojë terren, të dalë pak e nga pak nga gjysmëfusha e vet dhe të mendojë edhe për të goditur kuadratin e Ujkanit. Trajneri De Biazi mundohet të udhëzojë mesfushorët të marrin me tepër përsipër, të mbajnë e qarkullojnë topin, në mënyrë që të krijojnë frymëmarrjen që i mungon lojës së tanëve, por situata nuk ndryshon. Ashtu sikurse edhe rezultati, që mbetet në shifra të bardha për pjesën e parë. Shumë pak për kuqezinjtë, që për 45 minuta prodhojnë vetëm dy raste, të shpërdoruara fatalisht nga sulmuesi që ishte me prane portës kundershtare, Edgar Cani, aq më tepër që luhej në fushën tonë dhe ndaj një kundërshtari modest, i cili nuk paraqiti asgjë të vecantë në tapetin e “Qemal Stafës”.
Pjesa e dytë Nis me tri zëvendësime të menjuëhershme te kuqezinjtë, që prekin të tria repartet e skuadrës, me përjashtim të mbrojtjes. Ujkani ia lë vendin Berishës, ndërsa memushaj hap krahuin për Roshin, ashtu sikurse edhe Cani për Bogdanin. Trajneri De Biazi kërkon t’i japë tjetër gjallëri lojës së tanëve, sidomos në mesfushë dhe sulm, ku në pjesën e parë stonoi jo pak kombëtarja shqiptare. Me aktivizimin e Roshit në të majtë të mesfushës kuqezi kemi një spostim të Bakajt në qendër të këtij reparti, me orientim të qartë organizativ të lojës. Por nuk zgjat shumë ky mission i lojtarit të Cernomorets, sepse trajneri De Biazi e zëvendëson me Jahmir Hykën. Duke parë se kombëtarja jonë nuk ka fantazi, vuan shumë në ndërtimin e aksioneve sulmuese, të zotërimit dhe qarkullimit të topit, mendon se shtatshkurtëri i Luzernës mund të ndryshojë dicka në këtë drejtim, falë aftësive teknike që zotëron, shpejtësisë dhe zhdërvjelltësisë në driblim. Tashmë kemi më shumë dalje në këndore të Dallkut dhe Roshit, por shërbimet e tyre drejt dy sulmuesve kuqezinj janë të dobët. Bogdani nuk arrin të furnizohet me pasime, qofshin këto në lartësi, por edhe pas krahëve të mbrojtjes moldave, sepse reparti i mesfushës vijon të mos shndërrohet në “gjeneratorin” e kombëtares sonë. Në funksion të korrigjimit të kësaj të mete, vjen edhe zëvendësimi i radhës. Hair Zeqiri hidhet në fushë në vend të një sulmuesi, si Salihi, në përpjekje për të vendosur rregull në “regjinë” e kuqezinjve. Lojtari i llojit Ervin Skela mungon në radhët e kombëtares sonë, ndaj De Biazi  provon disa lojtarë në këtë rol, me shpresën se ndonjëri do t’ia mbushë syrin. Memushaj, në fillim, Bakaj dhe Hyka, që kanë aftësi organizative, nuk bindin, ndaj është radha e Zeqirit, ndërkohë që mbrojtja është reparti që rrezaton më tepër qetësi e qartësi, ndoshta edhe ngaqë kundërshtari mendon më tepër të mbrohet se sa të sulmojë. Bien ë sy fakti se te Moldavia ka më pak zëvendësime, ndërsa De Biazi nuk kursehet aspak në këtë drejtim, teksa në pjesën e dytë rinovon gjysmën e skuadrës. Mirëpo, këto lëvizje vetëm sa shtojnë dëshirën e kuqezinjve, që vijojnë të kërkojmë më ngulm golin e fitores, por nuk kthjellojnë gjë në mënyrën si duan të shkojnë deri te rrjeta kundërshtare. Dalja nga loja e Salihit vetëm sa e ka limituar rrezikun në repartin tonë ofensiv, me Bogdanin që tenton me të gjitha mënyrat të realizojë, por i vetëm dhe i pambështetur si duhet nga krahët, detyrohet të “thyejë kokën” në prapavijën shumë të përforcuar të miqve, që e mbrojnë me fanatizëm portën e tyre.

De Biazi: Ishim të lodhur, mesfusha s’ka fantazi
Trajneri i Kombëtares shqiptare ka përdorur diplomacinë për të mbrojtur sadopak lojën e ngathët dhe pa fantazi të skuadrës së tij ndaj modestëve moldavë. Edhe pse nuk arrin në fund të fundit që ta fshehë edhe ai zhgënjimin, tekniku thekson se tre ishin faktorët që ndikuan realisht në lojës e Kombëtares: gjendja fizike mjaft e dobët e disa lojtarëve, mungesa e një organizatori të tipit “Skela” dhe paqartësia para portës. “Ishte një ndeshje e vështirë, duke qenë se lojtarët nuk janë në formën e tyre më të mirë fizike. Patëm vështirësi në ndërtimin e lojës dhe kjo u pa qartë, pasi repartet nuk po funksiononin si duhet. Prandaj, duhet të mundohemi që të jemi në formë më të mirë pas disa javësh kur do të luajmë ndeshjen e parë kualifikuese ndaj Qipros. E di që njerëzit mund të jenë mërzitur nga ndonjë lojtar që ka bërë gabime në fushë. I mërzitur jam edhe unë. Mirëpo, ai që ka punuar në sport sikundër unë, që më përpara kam bërë edhe futbollistin, e kupton më së miri gjendjen e lojtarëve, sidomos në kohën pas pushimeve të verës. Moldavët nuk ishin një skuadër më e mirë se ne, por duke qenë se tek ata kampionati ka filluar, u pa qartë që fizikisht ishin më të gjallë në fushën e lojës. Ndoshta nëse kjo ndeshje do luhet pas dy-tri javësh ne mund ta fitojmë pa problem. Megjithatë, unë në këtë takim bëra disa eksperimente duke marrë përgjigjet që doja të dija si në mbrojtje, në mesfushë dhe në sulm. Pashë dyshen Çani-Salihi në fillim dhe më pas Bogdani-Salihi dhe tani e kam idenë e qartë për secilën. Ndoshta prisja më shumë nga mesfusha, pasi aty çaluam më shumë”, – ka thënë fillimisht tekniku. Më pas ai qartësoi edhe faktin që në sulm skuadra gaboi në të paktën dy-tri raste. “E nisëm mirë lojën. Po të kishim shënuar do kishte qenë më e lehtë. Normalisht, në të tilla takime mjaftojnë pak raste që duhen shfrytëzuar. Nëse do kishim bërë gol, atëherë do flisja ndryshe. Gjithsesi, mua nuk më pëlqen të marr emrat e lojtarëve me radhë, por u pa qartë se Cana e Mavraj ishin në formë, ndërsa një pjesë e mirë e mesfushorëve nuk ishin në kondicionin e duhur fizik. Memushaj? Ju thashë që nuk do flas për emra të përveçëm. Unë bëra eksperimentet e mia dhe i kam marrë përgjigjet. Tani do më duhet që të korrigjoj ekipin për ndeshjen me Qipron. Aty nuk na lejohen gabimet”, – ka përfunduar De Biazi.

Bastet Shqipëria e Xhani de Biazit ishti favorite për fitimin e ndeshjes së sotme. Të paktën, sipas bastexhinjve, kuqezinjtë do ta kishin fare të lehtë që të merrnin një rezultat pozitiv ndaj moldavëve. Fitorja e skuadrës sonë kuotohej me vetëm 1.45, çka tregon se të paktën në këtë përballje ishim superfavoritë. Ndërsa barazimi në këtë ndeshje ishte kuotuar me koeficientin 3.90. Një fitore e Moldavisë dukej e pamundur, pasi kuotohej me 6.50.

Bilanci
Vetëm fitore kishim me moldavët. Shqipëria ishte ndeshur dy herë me Moldavinë, që të dyja takimet kanë qenë zyrtare, të vlefshme për “Euro 1996”, dhe janë fituar nga Kombëtarja jonë: 3-0 në Tiranë (29 mars 1995), me dy golat e realizuar nga Sokol Kushta (31′ e 80′) dhe Salvador Kaçaj (41′). Në Kishinau ishte Rudi Vata (71′) ai që firmosi golin e 3-2 për Shqipërinë, kur më parë kishin shënuar Kushta dhe Bellaj. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërisë në një ndeshje në transfertë. “E treta e vërteta” doli në barazim të bardhë, në një ndeshje miqësore.





www.minuta90.com