Shpërthen portieri Kotorri, akuzon Mziun dhe Mërgjyshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2016 | 10:04

Shpërthen portieri Kotorri, akuzon Mziun dhe Mërgjyshin

Elvis Kotorri hedh akuza të rënda ndaj drejtuesve të Korabit, skuadër me të cilën ai luajti sezonin e kaluar dhe dha ndihmën e tij për ngjitjen historike në Superiore.

kotorri

Në një prononcim për “Panorama Sport”, gardiani elbasanas shigjeton drejtpërdrejt Fehmi Mziun dhe Artan Mërgjyshin si personat që nuk e dëshironin në skuadër dhe e kanë ofenduar me ofertën që i kanë bërë. “Me mbylljen e sezonit më mbaroi edhe kontrata me Korabin, ndaj nuk kishte asgjë të keqe nëse do të largohesha.

Mirëpo, dy drejtuesit e rinj, trajneri Artan Mërgjyshi, si edhe Fehmi Mziu, më bënë një ofertë qesharake, saqë më mirë të mos e kishin bërë dhe të thoshin që je i lirë të vazhdosh diku tjetër. Por askush nuk mund të tallet me mua.

Të gjithë e dinë se kush janë ata dhe kush jam unë. Si nga ana njerëzore, ashtu edhe sportive nuk më vijnë as te maja e thembrës.

Ua dhëntë Zoti ashtu siç kanë edhe shpirtin dhe shumë shpejt do ta marrin vesh të gjithë se çfarë po bëjnë dhe do t’u çirret maska”, pohoi fillimisht Kotorri.

Më tej, ai sqaroi edhe situatën me klubin e Korabit në tërësi. “Unë për një vit fillova ta dashuroj atë fanellë dhe kam respektin maksimal për të gjithë, për ekipin dhe për tifozët, ndaj i uroj shumë suksese kësaj skuadre dhe do të jem një tifoz i saj.

Megjithëse e di që me këta drejtues nuk pres asgjë të mirë”, vijoi më tej ish-futbollisti i Dinamos dhe Elbasanit, skuadra ku edhe është shpallur kampion në të kaluarën.

E ardhmja – Aktualisht Elvis Kotorri po stërvitet me Elbasanin, por ende nuk e ka vendosur përfundimisht se çfarë do të bëjë me karrierën e tij, pasi janë edhe 2-3 oferta të tjera në tavolinë që po e bëjnë të mendohet.

“Së pari, falënderoj trajnerin dhe drejtuesit e ekipit të Elbasanit, ku po stërvitem gjatë këtyre ditëve. Kam biseduar me klubin e Elbasanit për një rikthim te kjo skuadër dhe nëse do të bëhet një ekip pretendent për t’u ngjitur në Superiore, mund të vijoj karrierën këtu.

Për momentin kam edhe 2-3 oferta të tjera, por që nuk kam vendosur gjë akoma, ndaj aktualisht jam duke vijuar stërvitjen”, sqaroi më tej portieri 37- vjeçar, i cili nëse do të qëndronte në Elbasan, do të bënte që katërkëndëshi verdheblu të ishte i sigurt për këtë sezon.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"