Shkëlqeu në debutim ndaj Skënderbeut, portieri i Flamurtarit: Po prisja vetëm një mundësi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2022 | 10:11

Shkëlqeu në debutim ndaj Skënderbeut, portieri i Flamurtarit: Po prisja vetëm një mundësi…

Debutimi në Korçë nuk e gjeti të papërgatitur Ariol Kaloshin. Kishte aq shumë që e priste një mundësi, pasi donte që të tregonte vlerat e tij. Dhe ia doli më së miri, pasi bëri superparaqitje. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, ai thotë se nuk pati drojë kundër Skënderbeut. Lushnjari premton se do të jetë gjithnjë gati për Flamurtarin, ndërsa paralajmëron fitore edhe me Burrelin.

ARIOL KALOSHI

“E kam pritur gjatë një mundësi nga Flamurtari. Doja të tregoja vlerat e mia si portier. Dhe erdhi. Në çdo stërvitje kam bërë maksimumin dhe jam gati për të dhënë më të mirën time.

Për këtë punë jam në Vlorë dhe natyrisht që isha i gatshëm në çdo kohë për të marrë përgjegjësinë. Ishte një ndeshje e rëndësishme pasi luanim me ekipin e Skënderbeut, një ekip që ka bërë emër në futbollin shqiptar.

Drojë nuk kishte pse të kisha, por emocione pata.

Flamurtari është një ekip i madh në Shqipëri që ka shkruar histori. Por unë nuk mund ta quaj kulmin e karrierës sime, sepse unë synoj të eci edhe më lart.

E megjithatë, misioni tani është Burreli. Çdo ndeshje e vlerësojmë dhe futemi për të marrë tri pikët, si dhe për të vazhduar drejt Superiores”, u shpreh 22-vjeçari. Nëse Moçka nuk kthehet, do të jetë pikërisht ai titullar dhe Arioli është gati.

“Po, patjetër që jam i gatshëm të mbroj portën e Flamurtarit dhe këtë gjë do ta tregoj në çdo ndeshje”. Nëse atij po i ecën në Vlorë, e njëjta gjë nuk po ndodh me vëllanë e tij.

Mikeli mbron portën e Lushnjës, që renditet në vendin e 11-të të renditjes. Kjo ecuri e verdhejeshilëve i dhemb edhe atij, teksa thotë:

“Është e vërtetë që ekipi ku unë luaj është në krye dhe ekipi që luan vëllai im, Lushnja, ekipi i vendlindjes sonë është në zona të turbullta në klasifikim. Unë uroj dhe besoj, që do të ringrihet shpejt”.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"