Shifrat e pesë javëve të fundit flasin qartë, Apolonia me ritëm mbijetese në Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2024 | 13:20

Shifrat e pesë javëve të fundit flasin qartë, Apolonia me ritëm mbijetese në Kategorinë e Parë

Apolonia, edhe pse dha shenja rizgjimi dy javë më parë ndaj Luzi 2008, dukshëm nuk po kalon një moment të mirë. Këtë fillimisht e tregoi humbja ndaj Bylisit me shifrat 3-1 dhe më pas barazimi 1-1 ndaj Kastriotit në “Loni Papuçiu”.

apolonia

Në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, fierakët kanë marrë vetëm 5 pikë, një ecuri që në kushte të tjera mund të ishte thjesht për mbijetesë. Pesë ndeshjet e fundit tregojnë se kjo Apoloni nuk ka më të njëjtën dëshirë dhe aq më pak të njëjtin intensitet loje si në fazën e parë. 7 golat e pësuar e vendosin prapavijën në “bankën e të akuzuarve”.

Por, edhe faza ofensive nuk është se ka bërë më mirë, pasi numërohen vetëm 5 gola të shënuar në këto pesë takime. Me këto shifra jo shpresëdhënëse dhe me vështirësinë që paraqet renditja, ndeshja ndaj Vorës, të shtunën në orën 13:30 në transfertë, është vërtetë pika e kthesës së detyrueshme për Apoloninë. Në të tilla kushte, kjo ndeshje merr vlerën e një finaleje për Apoloninë, që ka vendosur edhe objektivat e veta sa i përket këtij takimi. Tri pikë të padiskutuara ndaj Vorës do të thonë frymëmarrje për skuadrën para fillimit të fazës së tretë të kampionatit.

Mesditën e djeshme, në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” fierakët kanë nisur punën për ndeshjen e radhës ndaj Vorës, por duke analizuar fillimisht barazimin e fundit ndaj Kastriotit. Në analizën e zhvilluar dje, trajneri i Apolonisë dhe stafi i tij e kanë vënë më së shumti theksin te mungesa e përqendrimit në momente të caktuara të lojës. Përqendrim, që sipas tyre ka munguar veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"