“Sherifi” i Teutës zbulon sekretin e golit ndaj Laçit: Nuk ishte rastësor, mbajta premtimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2018 | 18:48

“Sherifi” i Teutës zbulon sekretin e golit ndaj Laçit: Nuk ishte rastësor, mbajta premtimin

Sherif Kallaku mban premtimin, shënon dhe nuk feston. Me atë supergol, fantazisti i dha mundësinë Teutës që të mos e mbyllte me humbje vitin 2018. Mesfushori e pranon që pjesa e parë foli për miqtë, por është i lumtur që bëri gol. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, ai tregon se rrjeta e tij nga goditja e dënimit nuk ishte aspak rastësore.

Kallaku

“Në pjesën e parë kundërshtari na vendosi shumë në vështirësi dhe pësuam një gol që shpresoj të jetë i rregullt, pasi në pamjen e parë dukej jo i tillë. Gjithsesi, pjesën e dytë e dominuam kundërshtarin në çdo aspekt, por nuk e patëm fatin me vete në këtë mbrëmje. Goli nga goditja e dënimit erdhi vonë, por jam shumë i lumtur që shënova.

Supergoli

Ndihem i çliruar. E kam stërvitur këmbën me të tilla goditje në stërvitje dhe topi shkoi aty ku unë doja. Për pak u rrëmbeva në momentin që sfera shkoi në rrjetë, sepse ishte një gol në një minutë shumë vendimtare.

Por e mbajta premtimin dhe nuk festova në respekt të asaj që kam kaluar te Laçi. Mendoj që meritonim diçka më shumë se një pikë. Krijuam raste pa fund, por kundërshtari u mbrojt shumë fort dhe nuk ia dolëm që të fitonim. Duhet të mësojmë nga gabimet tona”, u shpreh 20-vjeçari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"