Shënon pak dhe pëson shumë, Skënderbeu nuk jep garanci / Mund të ketë disa largime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 27, 2023 | 13:40

Shënon pak dhe pëson shumë, Skënderbeu nuk jep garanci / Mund të ketë disa largime

Një kampionat me luhatje! Kështu mund të quhet deri më tani paraqitja e Skënderbeut në këto dy faza të para, teksa në 18 javë ka grumbulluar 22 pikë, duke qenë në vendin e gjashtë me pikë të barabarta me Dinamon e vendit të pestë. Korçarët u rikthyen në Superiore dhe në fillimin e këtij sezoni krijuan një grup më lojtarë të rinj, të ndërthurur edhe me ata që kanë eksperiencë në kampionatin shqiptar. Nisja ishte shumë pozitive, me 2 fitore radhazi, por më pas nisën oscilacionet.

skenderbeu

Një Skënderbe ndryshe nga ndeshja në ndeshje, që fitonte dhe humbiste atëherë kur nuk pritej. Bardhekuqtë kanë marrë 6 fitore, ndërsa 4 herë kanë barazuar dhe plot 8 herë kanë humbur.

Problemi më i madh mbeten golat, pasi janë ekipi i dytë më i dobët i kampionatit sa i përket shënimit. Në 18 ndeshje kanë realizuar 16 gola, ndërsa më pak se Skënderbeu ka shënuar Teuta, 14.

Nga ana tjetër, problem është edhe pësimi i shumë golave, 24, duke qenë me statistika negative. Kjo tregon qartazi se mbrojtja nuk është në nivelin e duhur, por njëkohësisht duhen rregulluar edhe disa gjëra në sulm.

Viti 2023 u mbyll me nj disfatë të turpshme në Shkodër me shifrat 5-0. Trajneri Ivan Gvozdenoviç pret të gjithë lojtarët që të zbresin në fushë dhe deri më 30 dhjetor, të punohet me një program të detajuar.

Më tej, skuadra do të ketë vetëm 5 ditë pushim dhe do të rikthehet në grumbullim më 4 janar për të filluar përgatitjet, ndërsa ndeshja e radhës është ajo për kampionat ndaj Egnatias më 14 janar.

KONTRATAT – Pas mbylljes së dy fazave të para, normalisht që në Korçë po mendojnë për pjesën tjetër të sezonit dhe nuk përjashtohen ndryshimet. Pritet që presidenti Ardjan Takaj të marrë kohën e duhur për të dalë me një konkluzion, lidhur me kontributin që gjithkush ka dhënë në klub dhe mbi të gjitha, sa të domosdoshëm janë për ekipin. Gjasat janë që të ketë disa largime, por kjo mbetet për t’u parë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"