Shënoi ndaj Kukësit, Rashica: Fituam me erën kundër, Erzenin e mposhtim me… qetësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2024 | 19:51

Shënoi ndaj Kukësit, Rashica: Fituam me erën kundër, Erzenin e mposhtim me… qetësi

Skënderbeu arriti të marrë një fitore mjaft të rëndësishme në shtëpinë e tij përballë Kukësit duke e “stakuar” kundërshtarin në vendin e fundit të renditjes dhe mbi të gjitha, duke iu afruar Dinamos në vendin e pestë, ekip me të cilin ka një ndeshje për të luajtur. Por përtej fitores korçarët nuk kanë treguar një lojë të mirë në këtë takim, edhe për shkak të ngarkesës së madhe psikologjike, por edhe për vështirësinë e terrenit veçanërisht në pjesën e dytë. I këtij mendimi është edhe autori i golit të tri pikëve për Skënderbeun, Ermir Rashica.

rashica

Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes kosovari u shpreh i kënaqur për fitoren dhe analizoi vështirësinë e këtij takimi.

“Ishte një fitore e rëndësishme në një ndeshje të vështirë dhe delikate. Vinim nga një ndeshje e keqe në Durrës dhe duhet të reagonim patjetër ndaj Kukësit. E kishim përgatitur ndeshjen mirë dhe jam i lumtur që arritëm ta zhbllokonim shpejt pasi gjithçka u vështirësua edhe nga kushtet atmosferike.

Patëm shumë probleme në fushë gjatë pjesës së dytë pasi nuk mund të dilnim dot në lojën tonë për shkak të motit, ndërsa kundërshtari kishte erën në favor.

Megjithatë, mund të them se nuk kemi rrezikuar asgjë dhe Kukësi nuk na ka rrezikuar në asnjë moment. Ishte një fitore e vështirë, por e rëndësishme ndaj jam i kënaqur që ja kemi dalë. Goli është i rëndësishëm pasi vjen në një moment jo të mirë për ne, por shpresoj të vazhdoj kështu”, theksoi Rashica.

ERZENI- I ndalur më pas te ndeshja e radhës në kampionat Rashica u shpreh i bindur se korçarët kanë mundësinë të marrin sërish tri pikët në transfertë, pavarësisht se është një ndeshje delikate. Por për ta bërë një gjë të tillë sipas sulmuesit duhet që të ndryshojnë mënyrën e lojës nga ajo e ndeshjes së fundit.

“Tani do të fillojmë të mendojmë për Erzenin pa humbur kohë. Është një tjetër ndeshje e vështirë dhe delikate pasi edhe Erzeni është një ekip që kërkon mbijetesën dhe mund të quhet një rival direkt për ne.

Duhet të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të jemi të bindur te fitorja. Unë kam besim te cilësitë e ekipit, por për ta bërë diçka të tillë duhet të lemë pas ndeshjen më Kukësin.

Ta harrojmë këtë takim që ishte ndeshja jonë më e dobët dhe të gjejmë forcën për të fituar edhe ndaj Erzenit. Tani jemi më të qetë dhe kam përshtypjen se kjo qetësi do të na kthehet në motivim më shumë dhe përqendrim mbi të gjitha”, përfundoi Rashica.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"