“Sezoni im më i mirë, synojmë Superioren”/ Heroi i Apolonisë, portieri Harizaj tregon si e priti penalltinë në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2024 | 14:45

“Sezoni im më i mirë, synojmë Superioren”/ Heroi i Apolonisë, portieri Harizaj tregon si e priti penalltinë në derbi

Romeo Harizaj i dha një pikë Apolonisë me penalltinë e pritur në kohën shtesë në derbi. Kjo ishte një pikë morali kundër Lushnjës, që i mban fierakët në pozita komode në fazën “play off”.

Romeo Harizaj, portieri i Apolonisë

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, portieri Romeo Harizaj, që është edhe lojtari i momentit tek Apolonia, tregon emocionet e penalltisë së pritur, teksa beson te karakteri dhe shpirti i garës i kësaj skuadre. Përpos gjithë situatës me luhatje të vazhdueshme që po kalojnë fierakët, Harizaj është i bindur se ky ekip do ta synojë Superioren deri në fund. Ai ka besim se në ndeshjen e radhës me Korabin do të rikthehen te tri pikët.

Romeo, nuk shkuat më shumë sesa një barazim në derbi. Çfarë s’shkoi tek Apolonia në përballjen me Lushnjën?

Pas një pjese të parë të ekuilibruar, në fraksionin e dytë loja u bë më e hapur dhe më e bukur. Ishim vërtetë të parët që kaluam në avantazh, por pikërisht pas pësimit të golit, Lushnja mori më shumë zemër dhe arriti të krijojë më shumë raste për shënim. Si pasojë e dominimit të lojës nga ana e vendësve, ne u vumë në presion të vazhdueshëm, por u përfshimë edhe nga emocionet, pasi të gjithë e dimë vlerën dhe rëndësinë e derbit. Ishte një ndeshje që donim ta fitonim me patjetër, edhe barazimi është rezultat pozitiv. Në fund, por jo për nga rëndësia, ata kishin në favor atmosferën elektrizuese në stadium. Lushnja ka lojtarë me shumë eksperiencë, që dinë të përballojnë ndeshje të tilla, kaq të rëndësishme.

Ishit protagonist absolut në derbi dhe kulmin e arritët me penalltinë e pritur në shtesë. Patët emocione te 11-metrërshi në fund, apo jeni mësuar me këto situata?

Të tregohem i sinqertë, u mundova të ruaj në maksimum qetësinë dhe të kisha përqendrimin e duhur në momentin final. Është kënaqësi e madhe në minutë të fundit të mos pësosh gol dhe t’i dhurosh një pikë morali skuadrës. Ndihem shumë mirë për faktin që munda të ndihmoj ekipin të mos dalë duarbosh nga kjo transfertë e vështirë dhe të ndihet edhe më i sigurt në fazën “play off”.

Jeni duke kaluar një moment shumë të mirë tek Apolonia. E keni pritur këtë “shpërthim”, herë me gola të shënuar, herë me pritje vendimtare?

Mundohem të stërvitem shumë mirë gjatë gjithë javës dhe pres momentin për të treguar më së miri cilësitë. Mundohem të bëj gjithmonë më të mirën dhe jam shumë i lumtur që po paraqitem shkëlqyeshëm në këto ndeshje me Apoloninë. Nisur jo vetëm nga ndeshja e fundit, por nga i gjithë edicioni, personalisht mendoj se ky është një nga sezonet e mia më të arrira.

Janë disa takime me një nivel të lartë nga ana juaj. Cili është çelësi i suksesit?

Puna e përditshme në seancat stërvitore dhe mbi të gjitha pasioni dhe bindja se vetëm falë punës mund të arrish nivelet e kërkuara. Asnjëherë nuk kam humbur besimin se kjo ditë do të vinte, por siç e thashë, kam punuar shumë fort për të arritur gjithçka.

Ndeshja e radhës me Korabin, sa e vështirë është?

Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Korabi ka një ekip cilësor, është i fortë fizikisht dhe po kalon një formë të mirë në këtë fazë të kampionatit. Nga ana tjetër, ne jemi të përqendruar vetëm tek objektivat që kemi vendosur dhe do të hyjmë në këtë ndeshje për të dhënë e marrë maksimumin. Kam besimin se me gjendjen që ka ekipi mund të marrim një rezultat shumë të mirë nga kjo sfidë.

Kalendarin e keni në favor me dy ndeshje radhazi në stadiumin “Loni Papuçiu”, a jeni pak më të qetë?

Jemi në atë pikë të sezonit ku të gjitha ekipet kanë motivimet e veta dhe çdo ndeshje është shumë e vështirë, brenda apo jashtë fushe, pak rëndësi ka. Është një kampionat i fortë dhe shumë i luftuar. Nuk duhet të vetëkënaqemi, aq më pak të jemi të qetë në “play off”, kur ka ende shumë pikë në lojë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për synimet tona, në çdo ndeshje hyjmë për fitore, pavarësisht se cilin kundërshtar kemi përballë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"