“Samba” në tokën labe, 8 brazilianë udhëheqin Flamurtarin/ Të martuar me shqiptare dhe fansa të Ronaldinjos, cila është “banda” karioka që argëton vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2022 | 8:22

“Samba” në tokën labe, 8 brazilianë udhëheqin Flamurtarin/ Të martuar me shqiptare dhe fansa të Ronaldinjos, cila është “banda” karioka që argëton vlonjatët

Rodrigo da Silva Martins, Erik Flores dhe Mateus Iakovelli. lamurtari i këtij sezo ni po i kënaq të gjithë dhe performanca ka qenë befasuese edhe për më skeptikët. Pas problemeve tashmë të tejkaluara financiare me borxhe që çuan në bllokim të llogarive, heqje të pikëve apo edhe zbritje deri në Kategori të Dytë, Flamurtari po shkëlqen në Kategorinë e Parë, duke parakaluar edhe Dinamon, rivalin kryesor, dhe tashmë është i pari në klasifikim.

FLAMURTARI

Nuk janë vetëm të parët në klasifikim me rezultate mbresëlënëse, por duket se kanë rikthyer lojën e dikurshme të vlonjatëve. Meritë të padiskutuar për këtë kanë edhe brazilianët, të cilët janë pjesë e Flamurtarit. Vlonjatët kanë në gjirin e tyre plot gjashtë futbollistë nga vendi i “sambës”, por edhe trajnerin dhe zv/trajnerin, që gjithsej shkojnë në tetë.

Janë ambientuar mjaft mirë me skuadrën dhe Vlorën, saqë deri te stadiumi disa përdorin për të shkuar monopatinat e disa të tjerë ecjen në këmbë. Të gjithë jetojnë në zonën e “Lungomares”, zonës më të shtrenjtë të qytetit bregdetar, në apartamente luksi që ua paguan klubi.

flamurtari

Po ashtu klubi u ka siguruar edhe ushqimin, por ndryshe nga të tjerët, 6 lojtarët brazilianë janë të lirë të zgjedhin restorantet që ata duan për të konsumuar çdo vakt dhe natyrisht në fund… faturën e paguan klubi. E gjithë kjo për të mos u krijuar lojtarëve asnjë stres, por për t’i mbajtur ata të qetë dhe të përkushtuar në fushë. Por cilët janë anëtarët e kolonisë braziliane të Flamurtarit? Kush i ka sjellë në Vlorë? Po ju njohim me jetën e tyre jashtë futbollit.

JURI MERLIM DOS SANTOS KARVALHO

Është braziliani i parë që erdhi këtë sezon te Flamurtari dhe luan si mesfushor. Nuk e ka të panjohur Shqipërinë, pasi sezonin e shkuar ka qenë te Turbina, ndërsa ka eksperienca në shumë ekipe në Brazil. “Jam 24 vjeç. Kam lindur në 20 shtator 1998 në San Paolo të Brazilit. Futbollin e kam nisur qysh 7 vjeç. Jam i dashuruar, por e kam larg në Brazil vajzën që dua. Në Vlorë më ka sjellë trajneri Marcelo Troisi. Më pëlqen qyteti dhe gjithçka tjetër.

Plazhi është i bukur dhe më pëlqen shumë. Ushqimi i preferuar është sufllaqja” (qesh). Por cili është çelësi i suksesit i këtij Flamurtari? “Lojtarët shqiptarë na mbajnë shumë afër. Është ndërtuar një grup shumë i mirë. Kemi shumë shoqëri me njëri-tjetrin. Bëjmë shaka. Dua të bëj një kampionat të mirë këtë sezon këtu te Flamurtari. Në një të ardhme ndoshta mund të kërkoj një ekip jashtë Shqipërisë, për një eksperiencë të re. Por gjithsesi, tani jam shumë i fokusuar për të dhënë maksimumin tim, me qëllim që Flamurtarin ta ngjisim ku e ka vendin në Superiore, mes skuadrave më të mira”, përfundon Juri.

FERNANDO ARMANDO DOS SANTOS

Karrierën e tij e ka më shumë të përqendruar në Portugali dhe më pak në Brazil dhe Greqi. Në Shqipëri për herë të parë luajti vjet, ndërsa ka mbrojtur ngjyrat e Erzenit. Është mesfushor. “Kam lindur në Rio de Zhaneiro me 11 shtator 1994. Jam 28 vjeç. Në Brazil kam luajtur me Sociedade Esportiva do Gama dhe më pas jam zhvendosur në Portugali. Ndihem shumë mirë këtu në Vlorë. Më ka sjellë trajneri Marcelo Troisi.

Jam i martuar dhe kam një fëmijë. Karriera ime ka nisur në Rio, 15 vite më parë, në një ekip të vogël. Idhull në futboll nuk është se kam, por vetëm lojtarë që më pëlqejnë. Dua të jem vetvetja. Vlonjatët janë njerëz të mirë. Ushqimi është i mirë, klima shumë e mirë. Më pëlqen sufllaqja më shumë (qesh) dhe peshku”.

MATEUS IAKOVELLI

Është i ri, vetëm 24 vjeç, dhe ka krijuar familje, madje ka edhe dy fëmijë. Bie në sy për tatuazhet e shumta që ka në pjesë të dukshme të trupit. Luan si sulmues dhe Flamurtari është eksperienca e tij e parë në Shqipëri. Më parë ka luajtur edhe në Portugali dhe Ukrainë. “Kam lindur në Rio de Zhaneiro, Brazil, më 13 mars 1998. Jam 24 vjeç. Futbollin e kam nisur prej 10 vitesh. Veç futbollit hobi kam edhe ‘playstation’. Jam i martuar, kam dy fëmijë. Familjen e kam sjellë në Vlorë.

Më pëlqen shumë edhe të udhëtoj. Ushqime e preferuara janë mishi dhe peshku. Eksperienca te Flamurtari është një mundësi shumë e mirë për mua. Mendoj këtu do të bëj më të mirën time. Flamurtari është një klub me histori dhe që ka një strukturë shumë të mirë. Po bëjmë një kampionat shumë të mirë. Në Vlorë kam ardhur falë trajnerit Marcelo Troisi”.

XHONATAN SILVA

Është një nga brazilianët që po shkëlqen te Flamurtari. Në Vlorë i pëlqen klima. Luan si sulmues. Idhull ka Ronaldinjon. E shpreh edhe vetë që ai e ka bërë ta dashurojë futbollin. Është hera e parë që vjen në Shqipëri.

“Kam lindur në Dourados, në 4 qershor 1996. Jam 26 vjeç. Futbollin e kam nisur para 14 vitesh në një ekip të qytetit tim. Në Brazil kam luajtur te Pridente, Novo Futebol. Kam luajtur edhe në Maltë dhe Arabi Saudite. Idhulli im është Ronaldinjon. Jam i dashuruar, por të dashurën e kam në Brazil. Në Vlorë më pëlqen klima dhe njerëzit. Ka ndryshime të dukshme me klimën që kemi në Brazil. Këtu më pëlqen shumë plazhi. Në Vlorë më ka sjellë Xhevahir Sukaj”.

ERIK FLORES

Për shkak të problemeve me vizën, mbërriti vonë në Vlorë. Është goditja më e madhe e Flamurtarit falë eksperiencës së tij të madhe në futboll, por edhe se e njeh Shqipërinë. Ka luajtur me Kukësin dhe ka shumë miq në vendin tonë. Është sulmues. “Kam lindur në Rio de Zhaneiro më 30 prill 1989 dhe jam 33 vjeç. Futbollin e kam nisur në moshë të vogël. Jam i martuar dhe kam tre fëmijë. Pres që familja të më vijë në Vlorë në muajin dhjetor.

Te Flamurtari më ka sjellë trajneri Marcelo Troisi. Ndihem shumë i gëzuar këtu në Shqipëri. Më pëlqen shumë Vlora, plazhi dhe gjithçka tjetër. Kam takuar edhe disa shokë që kam bashkëpunuar më parë. Kam takuar Halilin, Hasanin, Ndreun. Kisha shumë mall për Shqipërinë, ndaj u riktheva prapë. Kam ardhur këtu për të bërë më të mirën time, për të arritur objektivin që kemi. Tani po mendojmë të gjithë për ta çuar Flamurtarin në Superiore.

Ushqimi im i preferuar është makarona karbonara dhe qofte”. I pyetur nëse Vlora është më e bukur se Kukësi? (Qesh) “Normal që ka veçantinë e saj. Janë qytete të ndryshme. Është shumë mirë këtu”, shprehet ai. Kë shikon Flores si çelësin e suksesit të deritanishëm? “Lojtarët shqiptarë janë bërë bashkë dhe ndërthurur me brazilianët. Tani do të punojmë fuqishëm për të arritur objektivin”.

ODAILDO SOUZA DE OLIVEIRA

Ky është braziliani i kthyer në shqiptar tashmë. Është martuar me shqiptare, ka lindur një vajzë, madje ka marrë edhe pasaportën tonë. Kështu që mesfushori 28- vjeçar, i lindur në Gauajara Mirim, e quan veten vlonjat dhe për këtë nuk ka dashur që të hyjë në këtë speciale me bashkëkombësit e tij brazilianë. Oliveira thirret nga të gjithë Inxho dhe ka ardhur te Flamurtari në vitin 2020. E ka sjellë trajneri Marcelo Troisi. Ka luajtur edhe me Orikun dhe me shumë skuadra në Brazil.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"