Agon Mehmeti, një tjetër debutues në kombëtaren kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2013 | 8:35

Agon Mehmeti, një tjetër debutues në kombëtaren kuqezi

Lila kryesoreAndi Lila pritet të firmosë për Veronën në elitën e futbollit italian. Lajmi bëhet i ditur, në mënyrë ekskluzive për “Panorama Sport”, si nga klubi veronez dhe nga vetë mbrojtësi i Kombëtares shqiptare. Te Verona, prej disa javësh ka shkuar në drejtim të ekipit të “skauterve” (vëzhguesve të talenteve) Dritan Dervishi, i cili njihet më së shumti për rolin e rëndësishëm që ka luajtur te klubi i Varezes. “Po, mund t’ju konfirmoj për momentin se Verona ka bllokuar kartonin e një lojtari të Kombëtares shqiptare, por për arsye etike dhe për faktin se jemi ende në bisedime, nuk mund t’u jap emrin. Gjithsesi, jemi thuajse të sigurt se brenda kësaj jave do ta mbyllim këtë transferim. E kemi ndjekur nga afër lojtarin në ndeshjet e fundit që ai ka luajtur me klubin e tij dhe jemi të bindur si unë, administratori i klubit dhe presidenti se është një lojtar që vlen për Veronën”, – ka saktësuar Dervishi në një prononcim për gazetën.
Lila – Sakaq, mbi këto bisedime ka folur edhe vetë lojtari i Kombëtares shqiptare. Andi Lila ka theksuar se është në pritje të mbylljes së bisedimeve, por edhe nëse kjo gjë nuk arrin të konkludohet sikundër ka nisur, ai nuk bëhet aspak pishman, pasi Janina i ka ofruar rinovimin. “Është e vërtetë që Verona më ka kërkuar dhe prej kohësh më kanë ndjekur. Unë personalisht kam folur me drejtuesit e atij klubi dhe jam në pritje të firmosjes së kontratës. Janë akoma disa detaje të vogla, por të rëndësishme për t’u diskutuar dhe besoj se deri më 31 gusht, kur përfundon merkatoja, do mund t’i qartësoj. Gjithsesi, edhe nëse nuk arrihet kjo tratativë, unë nuk e kam aspak problem që të qëndroj edhe te Janina. Këtu ndihem jashtëzakonisht i vlerësuar dhe së fundmi jam bërë edhe zëvendëskapiten i skuadrës. Plus kësaj, klubi më ka ofruar rinovimin dhe kjo më bën të ndihem edhe më mirë, pasi shihet qartë se që të gjithë më vlerësojnë. Sakaq, kam një raport të përkryer edhe me tifozët. Sigurisht, Verona është një standard krejt tjetër, pasi flasim për Serinë A, por edhe nëse qëndroj te Janina, nuk bëhem pishman”, – ka pohuar Lila.
Merkato – Mbrojtësi ka edhe një vit kontratë me klubin grek, por në drejtim të tij kanë shkuar shumë oferta. Mediat helene pak javë më parë kanë raportuar se edhe vetë presidenti i Janinës, Jorgos Hristovasilis, është i interesuar ta shesë shqiptarin, duke përfituar së paku 300 mijë euro. Në maj-qershor të këtij viti u fol se për mbrojtësin interesohej klubi i PAOK-ut, por megjithatë bisedimet duket se nuk kanë qenë konkrete. Së fundmi, në skenë doli edhe klubi ukrainas Tavria Simferopol.

“Humba Atalantën prej pasaportës”
Andi Lila ka treguar edhe një tratativë të mbetur në tentativë. Para pak muajsh ka qenë drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, i cili i kishte mundësuar një takim me drejtuesit e Atalantës në Serinë A, por firmosja e kontratës nuk u arrit vetëm për faktin se Lila është ekstrakomunitar. “Të vjen inat, të plasësh, por s’ke ç’të bësh. Mund të isha sot një lojtar i Atalantës, pasi ma mundësoi këtë gjë Igli Tare, por klubi nuk kishte vend bosh për ekstrakomunitarë, ndaj edhe bisedimet u ndalën menjëherë”, – ka theksuar Lila. Të njëjtin problem për momentin ka edhe Armando Sadiku, si dhe Etrit Berisha, i cili është në pritje të pasaportës suedeze.

Sadiku 2Loret Sadiku, “po” Shqipërisë: Ishte një zgjedhje zemre
Trajneri i Suedisë, Erik Hamren, është dëshpëruar kur ka kuptuar se mbrojtësi kosovar Loret Sadiku ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë. Të martën, Sadiku konfirmoi për mediat suedeze se zgjodhi Shqipërinë, ndërsa të njëjtën ditë Hamren shpalli listën me emrat e futbollistëve që llogarit për dy ndeshjet e ardhshme. Sipas Hamrenit, Loret Sadiku ishte kandidat serioz që të ftohej për ndeshjet eliminatore që Suedia i luan me Irlandën (6 shtator) e Kazakistanin (10 shtator). 22-vjeçari kosovar javën e kaluar bëri të ditur se ka vendosur përfundimisht që të luajë për Shqipërinë. Ai ka tri paraqitje për U-21 të Suedisë, vend në të cilin është rritur. Sadiku është pjesë e klubit suedez Helsingborg. “Unë ju kam thënë juve se sa shumë besoj në të”, – u është drejtuar Hamren gazetarëve suedezë të martën në konferencë për shtyp. “Mendoj se është dëshpëruese. Por, unë natyrisht e respektoj vendimin e tij”, – ka shtuar trajneri i Suedisë.
Sadiku në pranverë vendosi kontaktet e para me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF). Në maj, ai u pajtua që të luante për Shqipërinë, por më pas mori shpresë që mund të luante për Suedinë dhe i kërkoi FSHF-së më shumë kohë që të vendoste. Sadiku u ftua nga Shqipëria edhe për ndeshjen me Armeninë, në mes të gushtit, por nuk u përgjigj pozitivisht me arsyetim se është i lënduar. Këtë arsyetim nuk e pranuan zyrtarët e FSHF-së, që nisën të dyshonin në korrektësinë e lojtarit. Javën e kaluar, Sadiku vendosi përfundimisht që të pranojë ftesën e Shqipërisë.
Përzgjedhësi i Suedisë, Hamren, ka bërë të ditur se ka biseduar me Sadikun katër herë gjatë verës. Më herët këtë muaj trajneri i Helsingborgut e ka vlerësuar Sadikun si mbrojtësin më të mirë që ka Suedia dhe i ka bërë presion Hamrenit që ta ftojë në përfaqësuesen A. Edhe trajnerë të tjerë dhe njohës të futbollit në Suedi kanë vlerësuar se Loreti e meriton të ftohet në përfaqësuese. “Kam biseduar katër herë me Loretin në verë, pasi kuptova se ai po merrte në konsideratë mundësinë që të luante për Shqipërinë. Unë i kam treguar atij se sa shumë besoja në të dhe sa shumë doja që ai të luajë për Suedinë. Ai ishte kandidat për këtë grumbullim. Por, lojtarët duhet të bëjnë atë që ndiejnë se është më e mira për ta”, – ka pohuar Hamren. Sadiku ka thënë për “aftonbladet.se” se te Shqipëria atë e kanë dashur më shumë.
“Ata treguan dashurinë më të madhe dhe unë dua të luaj futboll ndërkombëtar. Është shumë e rëndësishme për zhvillimin tim”, – ka thënë Sadiku, i cili ka lindur në Kosovë, ndërsa në Suedi jeton që prej kur ishte tetë muajsh. “Ishte vendim i vështirë. Kam folur me shumë njerëz, por vendimi është plotësisht imi”, – ka shtuar Sadiku. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që me Shqipërinë të paraqitet në Botërorin “Brazil 2014”. Sipas Sadikut, ndeshjet e shtatorit me Slloveninë e Islandën janë shumë të vështira. Ai ka folur edhe për lidhjen që ka me Shqipërinë. “Ne kemi familje edhe në Shqipëri po ashtu. Nëna dhe babai, por edhe unë gjithashtu, do të jenë shumë krenarë kur të luaj unë”, – ka theksuar Sadiku. Ende nuk dihet nëse Sadiku do e fitojë në kohë të drejtën që të luajë në dy ndeshjet e ardhshme të Kombëtares. Ai më 2 shtator do të jetë në Tiranë, kur edhe nis grumbullimi për ndeshjet që luhen më 6 dhe 10 shtator. “Kam vendosur për Shqipërinë pasi kam biseduar me prindërit. Të gjithë jemi shumë të gëzuar për këtë. Më mbetet që të rregulloj dokumentet që të fitoj të drejtën të luaj për Shqipërinë. Më 2 shtator do të jem në Tiranë dhe shpresoj që dokumentacionet të rregullohen shpejt”, – ka thënë Sadiku mbrëmjen e së martës për gazetën.
Ndërkohë, në statusin e vet në Facebook, Sadiku ka falenderuar të gjithë ata që e kanë përgëzuar për këtë zgjedhje: “Faleminderit të gjithë atyre që më kanë përgëzuar mua për zghedhjen e kombëtares shqiptare. Me dashuri të madhe për ju djema!”

MehmetiAgon Mehmeti, një tjetër debutues në kombëtaren kuqezi
Për dy kualifikueset e radhës, të fillimshtatorit, ndaj Sllovenisë dhe Islandës, të dyja në transfertë, kombëtares kuqezi do t’i shtohet edhe një emër i ri, debutues. Një ditë pasi Loret Sadiku i tha “po” Shqipërisë, është Agon Mehmeti që konfirmon vendimin për t’iu bashkuar kuqezinjve. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë sulmuesi kosovar, i cili disa javë më parë është pajisur me pasaportë shqiptare. “Të dashur dashamirës të futbollit. Me krenari ju njoftoj se jam bërë pjesë e kombëtares shqiptare”, – ka shkruar Mehmeti në profilin e tij në Facebook.
Agon Mehmeti u bashkua gjatë kësaj vere me ekipin portugez, Olhanense, ndërsa më herët ka luajtur për ekipin U-21 të Suedisë. Ish-sulmuesi i Malmos, Palermos dhe Novarës, më 2 shtator do të grumbullohet për herë të parë me kombëtaren shqiptare, duke qenë nën urdhërat e De Biazit për dy ndeshjet kualifikuese të radhës, kundër Sllovenisë dhe Islandës.

CanaAlarm fals, Cana gati kundër Juves në fundjavë
Alarm fals për Lorik Canën. Kapiteni i Shqipërisë nuk ka asnjë dëmtim serioz dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Juventusit të shtunën në mbrëmje. Lajmin e ka pohuar vetë futbollisti, i cili, pas analizave të djeshme, është shprehur: “Jam mirë, nuk kam pësuar asnjë tërheqje. Të shtunën kundër Juventusit do të bëj gjithçka që të mund të jem në fushë”. Lorik Cana do të qëndrojë dy ditë pushim, sepse bëhet fjalë thjesht për mbilodhje dhe jo për tërheqje muskujsh. “Jemi qetësuar, sepse Cana nuk ka asnjë tërheqje muskujsh. Është thjesht mbilodhje dhe, për këtë arsye, do të qëndrojë dy ditë pushim absolut. Të enjten do të mund të rikthehet në stërvitje dhe mund të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Juventusit. Cana është një nga ata që nuk di të tërhiqet kur futet në një duel dhe ndaj u shqetësuam kaq shumë kur ai kërkoi të zëvendësohej pas 45 minutave”, – ka thënë mjeku i Lacios, Stefano Lovati, dje në konferencën për shtyp. Ndërkaq, me këtë lajm është qetësuar edhe trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, i cili e konsideron mesfushorin e natyralizuar si qendërmbrojtës si një nga shtyllat e skuadrës. Shqipëria do të ndeshet kundër Sllovenisë dhe Islandës më 6 dhe më 9 shtator, në ndeshjet e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014. Trajneri ka nisur ftesat e para për lojtarët e Kombëtares që dëshiron të ketë për këto ndeshje dhe, me shumë gjasa, do të ketë edhe ndonjë surprizë (emri më i përfolur është sulmuesi i Shefild Uensdej, Atdhe Nuhiu).

TaipiTaipi “Golat? Synoj Kombëtaren e De Biazit”
Në sfidën e fundit që skuadra e Vil ka humbur përballë Biel Bien futbollisti i Kombëtares Shpresa, Gjelbrim Taipi, ka shënuar golin e vetëm. Ky ishte goli i dytë për Taipin pas atij të shënuar në fitoren kundra Kiasos në javën e dytë të “Challenge League” të Zvicrës. Pas golit, Taipi tregon për “asport” mbi ecurinë e mirë të Vil, si dhe dëshirën që shumë shpejt të veshë fanellën e Kombëtares. “Jam i lumtur, pasi ky është goli i dytë i shënuar me fanellën e re, pavarësisht se nuk na vlejti për rezultat. Mendoj se ecuria është e mirë, pavarësisht kësaj humbjeje. Kishim arritur katër fitore radhazi dhe gjendemi në vendin e dytë në klasifikim. Ëndrra ime, ashtu si e çdo futbollisti, është që në të ardhmen të luaj për një skuadër të rëndësishme europiane. Jam ende i ri, ndaj mendoj se më vonë do të bëj edhe kalimin. Sakaq, synimi im primar është arritja e Kombëtares së madhe dhe, për këtë arsye, e pres edhe ftesën e De Biazit”, – ka thënë Taipi.

BerishaTelenovela “Berisha”, drejt serisë finale
Etrit Berisha vazhdon të mbetet prioritet i Lacios. Në këto ditë të fundit të merkatos, mediat afër klubit çelest kanë shpeshtuar informacionet rreth lojtarit shqiptar, madje duke vendosur edhe afate. Kështu, thuhet se Berisha pritet që të marrë sot zyrtarisht pasaportën suedeze, ndërsa nesër do firmosë kontratë me skuadrën e Lacios. Të qenit ekstrakomunitar e ka penguar lojtarin që të nënshkruajë për çelestët dhe, vetëm pasi ai të jetë pajisur me pasaportë suedeze, do jetë i lirë që të vazhdojë karrierën në Itali. Portieri prishtinas është pjesë e Kalmar FF, prej vitit 2008. Javë më parë ishte spekuluar për mundësinë e kalimit të tij te Kievo Verona, kur skuadra italiane kishte pretenduar se ka një marrëveshje me portierin.

VajushiZagorçiç: Vetëm Vajushi bën gola të tillë
Trajneri i Liteksit, Zllatomir Zagorçiç, i ka thurur elozhe beniaminit të tij, Armando Vajushi. Ai ka thënë se skuadra ia komplikoi shumë gjërat vetes, pasi shpërdoroi shumë dhe në fund ka lëshuar një batutë edhe për shkodranin që vulosi fitoren 2-1 në sekondat e fundit kundër Ljubimetsit të hënën. “Ishte një ndeshje ku shpërdoruam shumë, por ndërkohë patëm edhe një kundërshtar të ashpër dhe shumë të organizuar mirë në mbrojtje. Në fund fituam pas një goli të Vajushit, që ndoshta ishte i vetmi në fushë që ishte i kthjellët dhe i qetë në ato momente tensioni”, – ka thënë ndër të tjera trajneri i Liteksit.

UjkaniIkën Ujkani, qëndron Sorrentino
Nuk ka qetësi për Samir Ujkanin. Thuajse çdo ditë në mediat italiane shkruhet mbi të ardhmen e paqartë të portierit kuqezi. Së fundmi “calciomercatto.it” ka sjellë në vëmendje një deklaratë të drejtorit sportiv të Palermos, Xhorxhio Perineti, i cili theksonte se nuk ka ndërmend që të heqin dorë nga Sorrentino. Ky i fundit është portieri titullar te sicilianët. Por, nëse qëndron Sorrentino, atëherë me shumë gjasa do të largohet Ujkani dhe destinacioni më i afërt është Sampdoria.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"